Mbi 200 pjesëmarrës në seminarin e 29-të të Gjuhës Shqipe

Kultura

Mbi 200 pjesëmarrës në seminarin e 29-të të Gjuhës Shqipe

Më: 16 gusht 2010 Në ora: 11:30

Sot fillon Seminari i 29-të Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe, i cili do të mbahet në Prishtinë, ku do të marrin pjesë mbi 200 studiues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë seminar do të trajtohen tema të zgjedhura problemore nga fusha e albanologjisë, do të mbahen kurse të gjuhës shqipe për të huajt në tri nivele, do të mbahen tri ligjërata nga lëmi i ngushtë i filologjisë dhe një mbi shtetësinë e Kosovës. Një tryezë ndërkaq do t’i kushtohet humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terezës, për nder të njëqindvjetorit të lindjes së saj.

116 studiues shqiptarë dhe të huaj do të marrin pjesë në sesione shkencore, 81 pjesëmarrës të huaj do të mësojnë gjuhën shqipe, ndërsa 40 të tjerë do të kenë referime shkencore. Do të lexohen ndërkaq 106 kumtesa mbi kontaktet e gjuhës së sotme shqipe.

Në këtë seminar, për herë të parë do t’iu jepet mundësia që të marrin pjesë edhe studiuesve të rinj shqiptarë.

Seminari do të zgjasë punimet deri më 27 gusht.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat