Xhemajli e Kabashi - laureatët e vitit

Sporti

Xhemajli e Kabashi - laureatët e vitit

Nga: Alban Lumi, BOTA SOT Më: 11 janar 2011 Në ora: 13:08

Enis Kabashi dhe Mimoza Xhemajli, janë shpallur më të mirët e hendbollit për vitin 2010 nga Federata e Hendbollit të Kosovës përkatësisht votat e trajnerëve të Superligës, duke ruajtur krenarinë e skuadrave të Prishtinës, në të dyja konkurrencat.

Kabashi për të fituar epitetin e më të mirit, ishte në konkurrencë të fortë me dy portierët e dalluar, Bardhyl Abazin e Kastriotit dhe bashkëlojtarin e tij, Hektor Dobroshin. Derisa Kabashi rrëmbeu 69 pikë, Abazi e Dobroshii grumbulluan nga 64 përkatësisht 58 pikë. “Jam shumë i lumtur që më është shpërblyer puna njëvjeçare në këtë mënyrë. Ky çmim më motivon për punë edhe më të madhe gjatë këtij viti, ndërkaq falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, babin tim Taibin, i cili me punën e vazhdueshme më ka ndihmuar të arrij në këtë nivel”, u shpreh Kabashi. Në mesin e me të mirëve janë edhe Fidan Cimili (Trepça), Arbër Curri, (Vëllaznimi), Burim Zaskoku (Kastrioti), Kreshnik Krasniqi (Besa Famiglia), Kastriot Jupa (Vjosa), Muhamet Dubovci (Drenica), Valbon Shala (Besa Famiglia).

Në konkurrencën e femrave në garë për kurorën e më të mirës pos fitueses, Mimoza Xhemajli të Prishtinës, ishte edhe rivalja e saj nga Kastrioti, Shqipe Tahiri. Xhemajli e fitoi epitetin e më të mirës falë tri pikëve më shumë që mori se Tahiri, ndërkaq hendbollistet tjera ishin dukshëm të votuara më pak se to. “Falënderojë trajnerët që më votuan, si dhe bashkëlojtaret dhe sponsoret e klubit. I premtoi adhuruesve tanë se do të vazhdojë edhe më tej me suksese të tilla”, tha Xhemajli.

Në pozitën e tretë ishte Burneta Rama e Shqiponjës, ndërkaq më pas u renditën: Shqipe Kërtoku (Prishtina), Lumnije Hyseni (Prishtina), Kaltrina Beka (Kosova), Mimoza Sefedini (Prishtina),

Arian Kçiku (Drita), Yllka Kupina (Kosova) dhe, Behije Selmani (Trepça).

Prishtina dhe Kastrioti - klubet më të mira

FHK si edhe herëve të kaluar shpalli edhe klubet më të mira në të dyja konkurrencat. Epiteti i më të mirëve i takoi skuadrave kampione në fuqi, Prishtina te femrat dhe Kastrioti te meshkujt. Në kategorinë e juniorëve skuadra më e mirë ishte Kosova, në kategorinë e kadetëve: Drenica (meshkujt) dhe Kosova (femrat), ndërkaq në konkurrencën e pionierëve skuadrat më të mira ishin Drenica (meshkujt) dhe Drita (femrat).

Vedat Llapashtica u shpall më i miri në konkurrencën e juniorëve, ndërkaq pas tij ishin: Florim Hoxha, Denis Zatriqi, Rinor Muhaxheri, Andi Muhaxheri, Valdrin Bujupi, Beni Syla, Syl Sylaj dhe Rashit Ismaili. Në mesin e shpresave olimpike ishin: Gresa Grajqevci, Ryva Stavci, Arlinda Krasniqi, Marigona Uka, Balerina Malaj dhe Njomëza Kelmendi, ndërkaq në konkurrencën e meshkujve në këtë kategori ishin Vigan Kuçi, Egzon Xhuka, Flamur Sadiku, Shpëtim Mehmeti dhe Otion Beqiri. Ndërkaq, trajneri më i mirë është shpallur prof. Ismet Jupa, i cili udhëheq Kastriotin e Ferizajt dhe është edhe përzgjedhës i kombëtares së Kosovës (femrat).

FHK me mirënjohje për vepër jetësore nderoi Esat Stavilecin, Gjergj Gjinin, Ismail Berishën, Beqir Buçincën dhe Fahri Buçincën. Që të gjithë nuk i fshehën emocionet për kohën e kaluar në hendboll, ndërkaq i inkurajuan të rinjtë për marrjen me këtë sport. Për punën e tyre në hendboll, pas vdekjes me mirënjohje Postmortum u nderuan: Xhavit Spahiu, Hysni Firza dhe Dërgut Abdullahu.

Me rastin e shpalljes së më të mirëve, i pari i hendbollit të Kosovës, Mexhid Devaja, tha se institucioni të cilin ai e drejton ka arsye për t’u mburrur me aktivitetet e skuadrave si brenda vendit, po ashtu në garat ndërkombëtare. Ndër të tjera ai potencoi se do të kërkojnë nga qeveria e Kosovës që të ndikojnë që vendi të njihet nëpërmjet sportit.

Dhjetë hendbollistët më të mirë

1. Enis Kabashi (Prishtina)

2. Bardhyl Abazi (Kastrioti)

3. Hektor Dobroshi (Prishtina)

4. Fidan Cimili (Trepça)

5. Arbër Curri (Vëllaznimi)

6. Burim Zazkoku (Kastrioti)

7. Kreshnik Krasniqi (Besa F.)

8. Kastriot Jupa (Vëllaznimi)

9. Muhabet Dubovci (Drenica)

10. Valbon Shala (Besa F.)

Dhjetë hendbollistet më të mira

1. Mimoza Xhemaili (Prishtina)

2. Shqipe Tahirir (Kastrioti)

3. Burneta Rama (Vëllaznimi)

4. Shqipe Kërtoku (Prishtina)

5. Lumnie Hyseni (Prishtina)

6. Kaltrina Beka (Kosova)

7. Mimoza Sefedini (Prishtina)

8. Arian Kçiku (Drita)

9. Yllka Kupina (Kosova)

10. Behie Selmani (Trepça)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat