Janë larguar apo vetëlarguar?

Sporti

Janë larguar apo vetëlarguar?

Nga: Kemajl Goca, BOTA SOT Më: 12 janar 2011 Në ora: 12:43

Në klubin me traditë të hendbollit, Kastrioti i Ferizajt (meshkujt), gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet në binarë dhe si mendojnë të tjerët. Pakënaqësi ka në mesin e hendbollistëve, por ka prej atyre që nuk janë pjesë e klubit për shkak të pakënaqësive. Dy talente të hendbollit, Vlerëson Zherka e Hamdi Salihu, në javën e fundit të vjeshtës nuk ishin pjesë e skuadrës. Burimet e afërta me klubin bëjnë të ditur se këta dy talent janë larguar nga klubi, ndërsa këtë gjë e mohojnë zyrtarët e këtij kolektivit.

Merret vesh se e gjitha ka ndodhur se dikujt nga hendbollistët iu është dhënë paga, e dikujt jo. Më një fjalë, supozohet se këto padrejtësi kanë ndikuar që të largohen dy talentet. Nënkryetari i klubit, Lulzim Abazi, tha se është e vërtet se ka pasur vonesë të pagës, por assesi që kanë larguar apo përzënë dikë. “Vlerëson Zherka e Hamdi Salihu nuk kanë qenë në listë të pagave, por ne i kemi futur, sepse e kemi parë të arsyeshme dhe në fakt ka qenë edhe stimuluese për ta. Është vonuar paga sa e di për një ose dy ditë dhe jo më shumë. Arsyet pse ata nuk janë ardhur në ndeshjet e fundit nuk e di, përveç që kam informacione se kanë pasur disa pakënaqësi. Nuk kemi hendbollistë të largojmë e aq më tepër talent të kësaj loje, por sinqerisht mund të them se edhe në Zherkën, edhe në Salihun, llogarisim të jenë në përgatitje për pjesën pranverore. Ata janë hendbollistë tanë. Sigurisht se kanë qenë të manipuluar nga dikush tjetër dhe asgjë të keqe nuk ka pasur aty”, ka thënë Abazi. Vlerëson Zherka është i biri i Verim Zherkës, që dikur ka qenë ish hendbollist i dëshmuar. Verim Zherka nuk pranojë të flasë asgjë, por tha se është e vërtetë se djali i tij ka pasur pakënaqësi pa dhënë detaje të tjera. Ai e mohoi se Vlerësoni është në bisedime me KH Prishtinën. “Nuk e di që është në negociata me Prishtinën. Njëherë për njëherë nuk ka asgjë”, tha Verim Zherka. Trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, tha se dyert janë të hapur për të gjithë talentet e aq më tepër për Vlerëson Zherkën e Hamdi Salihun që janë edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës. “Me Vlerësonin dhe Hamdiun as që kemi kontaktuar, por fundja ata mund të jenë pjesë e skuadrës sonë për faktin se janë dy talent të mëdhenj të hendbollit”, ka thënë Kabashi. Burimet bëjnë të ditur se Zherka e Salihu janë larguar pa dëshirën e tyre nga klubi, por gjithnjë duke mos mundur të durojnë padrejtësitë e bëra nga kryesia. Me gjithë që nuk e pranojnë zyrtarët e klubit, në fakt mos shkuarja në stërvitje e këtyre dy talenteve flet më së miri. “Në fund të edicionit vjeshtor djali im, Vlerësoni dhe Hamdiu, nuk kanë stërvitur dhe as që kanë luajtur në fanellën e ferizajasve. Kjo është e tëra”, theksoi Verimi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat