Bojkotimet i shqiptarëve nga shqiptarët

Opinione

Bojkotimet i shqiptarëve nga shqiptarët

Nga: Ibrahim Berjashi Më: 6 qershor 2009 Në ora: 17:17

Liderët shqiptarë në Mal të Zi as dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare malazeze nuk e kanë bërë asnjë hap për t’u bashkuar edhe për të përfaqësuar shqiptarët në parlamentin malazias. Ata vazhdojnë të “lundrojnë” me paragjykimet e deplasuara të liderizmit irracional e shpërfillës ndaj njëri-tjetrit. Javën që vjen, Parlamenti i Malit të Zi duhet të konstituojë komisionet dhe trupat e tij. Ata nuk arrijnë dot të themelojnë grupin e tyre që të sigurojnë subjektivitet në Kuvend dhe mekanizmat e tij. Nuk dha asnjë rezultat pozitiv ftesa që u bëri kryetari dhe deputeti i UDSH-së, Ferhat Dinosha, që deputetët shqiptarë ta formojnë një grup të vetin. “Kësaj radhe duhet të formojnë patjetër grupin e vet parlamentar për shumë arsye”, ka thënë Dinosha në letrën e tij. Grupi do të përbëhej nga UDSH-ja, Forca e Re Demokratike, Lista Shqiptare dhe Koalicionit Shqiptar -“Perspektiva”. Sa i përket kryetarit të Klubit, Dinosha ka thënë se ai parimisht do të duhej të ishte nga UDSH-ja, pasi që kjo parti ka fituar më tepër vota në zgjedhjet parlamentare. “Por, për hir të tejkalimit të gjendjes jo të mirë në bashkëpunimin e ndërsjellë”, kryetari i UDSH-së propozon që “kryetari i Klubit të zgjidhet sipas mekanizmit të rotacionit, që do të thotë që çdo deputet yni të gjendet edhe në krye të klubit”. Kryetari i parë i Klubit do të ishte deputeti i UDSH-së, vetë Ferhat Dinosha, kurse më pas me mandat njëvjeçar do të ishin deputetët e subjekteve të tjera shqiptare mbi bazën e parimit të numrit të votave. Përgjigjja në ofertën e Dinoshës ka qenë e afatizuar deri më 20 maj, por partitë parlamentare shqiptare këtë letër të tij e kanë marrë joseriozisht edhe me një dozë averzioni, sepse “ai nuk ka dëshirë të jetë opozitë”. Këshilli Qendror i Forcës së Re Demokratike ka vendosur që negociatat për themelimin e klubit të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi t’i vazhdojë vetëm me Listën shqiptare dhe Koalicionin shqiptar- Perspektiva, përkatësisht Mehmet Bardhin e Amir Hollajn. UDSH vazhdon ta bojkotojë pjesëmarrjen në punën e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi. Kryetari i KNSH-së, Tahir Tahiri thotë për “Bota sot” se edhe pse UDSH-së rregullisht i dërgohen ftesat, edhe pse kryetari i saj Ferhat Dinosha pat deklaruar kohë më parë publikisht se do të kyçet në veprimtarinë e KNSH-së, megjithatë po vazhdon me të vjetrën. Përfaqësuesit e kësaj partie parlamentare nuk ishin të pranishëm as në mbledhjen e këtyre ditëve të KNSH-së në të cilën ky forum miratoi programin e punës dhe buxhetin për vitin 2009. “Normalisht se ky bojkotim i UDSH-së nuk është në favor të avancimit e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi”, thotë Tahiri. Lideri i UDSH-së, Ferhat Dinosha pak ditë më parë deklaroi se zgjedhjet parlamentare të marsit e kanë ndryshuar hartën politike shqiptare në Mal të Zi, dhe se tash janë më shumë parti parlamentare, fakt ky që tregon se duhet bërë ndryshime edhe në KNSH. Dinosha vazhdon të shprehë kundërshtimet e tij për mënyrën e themelimit të këtij këshilli, duke akuzuar Lidhjen Demokratike në Mal të Zi se ka shkelur ligjin duke “rrëmbyer” shumicën absolute të anëtarësisë në KNSH. Por, kreu i KNSH-së, Tahir Tahiri, nga LD-ja thekson se procesi i konstituimit të këtij forumi kushtetues, jo vetëm tek shqiptarët, por i të gjitha pakicave të tjera në Mal të Zi, është bërë mbi bazat e Ligjit dhe të mbikëqyrjes së Ministrisë së Pakicave që udhëhiqet nga UDSH-ja, drejtpërdrejt nga ministri Fuad Nimani. Në këtë rast, sipas z. Tahiri, Dinoshës nuk i ka faj LD në MZ.

Lideri i UDSH-së thotë se ekspertët e të drejtave të pakicave nacionale në demokracitë evropiane i kanë quajtur këshillat nacionale të pakicave edhe “qeveri të pakicave”. Natyrshëm kjo qeveri duhet të ketë fatin e qeverisë së shumicës. Pas çdo palë zgjedhjeve parlamentare formohet qeveria e re, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve. Përbërja e Këshillit Nacional të Shqiptarëve, me fjalë të tjera, determinohet nga zgjedhjet edhe pse ligji nuk e ka qartësuar sa duhet këtë element, sikundër as rolin, hapësirën dhe përbërjen e Kuvendit të Elektorëve, në të cilin mund të votohen vetëm përfaqësuesit e sektori civil, e jo si ka ndodhur para konstituimit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve që përfaqësuesit politikë të ngufasin edhe Kuvendin e Elektorëve, duke mënjanuar përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat