Më trego çka feston të tregoj kush je

Opinione

Më trego çka feston të tregoj kush je

Nga: Faton Abdullahu Më: 13 gusht 2009 Në ora: 15:13

Shënimi i një dite, një përvjetori, për një ngjarje të caktuar, për një personalitet, për një vlerë, apo qoftë edhe ta zëmë për një produkt të caktuar ushqimor, për një pije, apo edhe për gjëra të tjera nga më të ndryshme, është fenomen jo vetëm kulturor dhe krejt i rëndomtë që ndodhë anekënd botës dhe që gjithashtu është praktikë e lashtë. Ato i shënon për qëllime nga më të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme; individi, familja, shoqëria, kombi, shumë kombe bashkë, shteti, shoqatat, institucionet etj. Normale edhe tek ne ka të tilla, nga më të ndryshmet dhe ato nuk janë të pakta.

Pas luftës tek ne disa festa, përvjetor a ditë të shënuara nuk janë më, disa kanë ndryshuar së paku në formë, ndërkaq jo pak janë edhe krejt të reja që kurrë nuk i kemi pas. Dhe përsëri varietetet, plotësimet apo risitë janë krejt normale në këtë fenomen. Por sa për faktin se jemi bërë frik shtet i ri, sa për atë që i takojmë disa feve, sa për atë që jemi ndikuar shumë nga kulturat e ndryshme, dhe sa për atë që zyrtarisht jemi shoqëri shumëkomunitetesh, gjithsesi ndryshimet, risitë dhe shtrirja e tyre që i karakterizon këtë dukuri sociale tek ne, janë për shumë çka shumë unike që nuk mund t’i hasësh gjetiu.

Me tërësinë e saj gjithsesi komplekse, ky fenomen thotë dhe reflekton shumëçka për kulturën e një populli, për shkallën e vetëdijes së tij politike e kombëtare, për identitetin e tij qytetërues apo fetar. Flet për respektin që ai di t’i bëjë të kaluarës së tij, për synimet dhe vlerat që aspiron, për stadet dhe përmasat e unitetit brenda vetes, për memorien kolektive dhe shumë çka të kësaj natyre. Dhe prapë ky kompleksitet i këtij fenomeni, pra i shënimit të ditëve të caktuara, i festave të ndryshme, thotë dhe zbulon shumë edhe për individin, por tani jo vetëm të shkrirë në kolektivitet të caktuar, por si njeri me nevoja dhe qëllime unike. Flet për raportin e tij me vetveten, me individin tjetër, flet për perceptimet e tij, memoriet, vlerat që i refuzon apo aspiron apo dhe do që t’i trashëgoj. Thënë thjeshtë dhe përmbledhtazi, për këtë temë komplekse, ky fenomen, si te individi ashtu edhe te grupi, zbulon dhe identifikon shumë raporte, zhvillime, ndjesi, identitete që shtruar ndryshe mund të diagnostifikohen edhe me një thënie të thjeshtë “më trego çka feston të tregoj kush je”.

Ky fenomen nuk mund të kuptohet mirë te shqiptarët nëse nuk merret parasysh se ne ishim kohë të gjatë të robëruar nga shtete e perandori të ndryshme e për rrjedhojë të ndikuar nga kultura të ndryshme çka determinoj ndarjen si komb, por edhe dallime më të mëdha fetare e kulturore ndërmjet vet nesh të cilat rrallë e hiq mund t’i gjesh tek kombet tjera. Prandaj të shpeshtën manifestimet dhe përvjetorët e ndryshëm, shënimet e ditëve fetare, nacionale apo kulturore, ngjarjeve e personaliteteve të ndryshme në një ose mënyrë tjetër reflektojnë këtë tragjedi, këtë mbijetesë, por edhe këtë qëndresë e këtë aspiratë për liri, afrim e bashkim. Mu për shkak të këtij fati me decenie e me shekuj shumë shpesh kemi festuar, përkujtuar e shënuar ditë të cilat na i kanë imponuar të tjerët, qoftë në fe, në kulturë, në politikë e në çka jo tjetër. Dhe po kaq gjatë na janë mohuar, ndryshuar e ndaluar ato që kemi dashur vetë t’i festojmë e për të cilat ne kemi menduar se mund të jenë më të mirat.

Për fatin tonë shumë gjëra kanë ndryshuar për të mirë. Përkundër kësaj, fenomeni për të cilin po flasim jo vetëm që është bërë edhe më kompleks, por ai po bëhet edhe i përçudshëm. Duke qenë të ndihmuar nga të huajt por për rrjedhojë edhe të ndikuar shumë nga ata, duke qenë protektorat e më pas me pavarësi por me prani të madhe prapë të qendrave pak a shumë të njëjta, e mbi të gjitha duke u kthyer në shtet jo nacional por zyrtarisht shtet shumëkomunitetësh, jo pak festa e përvjetor kanë ndryshuar, disa kanë mbetur si ishin, por disa të reja na janë shtuar. Në rrethana të reja kemi edhe servime të reja për ca përvjetor e ca ditë, si ato zyrtare të OKB-së apo të BE-së të cilat tek ne sa për shkak të ndikimit të madh që ato kanë, sa për shkak të një vardisjeje të panevojshme të disa vendorëve që e bënë atë të gërditshme, krejt këto, e bëjnë fenomenin për të cilin po flasim me parregullsi paqartësi e humbjeudhe.

Ka hapësirë për të rregulluar jo pak gjëra në gjithë këtë. Kjo mund të bëhet edhe nga institucionet e Kosovës edhe nga iniciativat e lira qytetare. Ne, jo vetëm institucionalisht duhet të mundohemi që me këtë fenomen, pra me përvjetorët, me festat, me shënimet e ditëve të rëndësishme në jetën tonë, të krijojmë identitet më stabël, kulturor, kombëtar e edhe fetar. Gjithsesi të krijojmë edhe identitet më stabël shtetëror. Vazhdojmë të kemi festa e përvjetor që pothuajse ende janë gjysmëklandestin sepse nuk përkrahen sa e si duhet nga institucionet shtetërore aq më pak nga disa ndërkombëtar. Për më keq vazhdojmë të përkujtojmë e shënojmë ditë të reja të heronjve, luftërave e ngjarjeve të fundit, me çka ndahemi deri në përçarje, për ta penguar kështu legjitimitetin shtetëror të shtetit tonë të brishtë mbi të cilën duhet të brumosen togvlerat si bazë orientuese e rrugëtimit tonë institucional, demokratik e nacional. Por nuk është pragmatike që të presim që këtë ta bëjnë si duhet e sa duhet institucionet e huaja apo shoqatat e financuara nga të huajt. Ato kanë prioritete të tjera dhe baza mbi të cilën strukturohet legjitimiteti i tyre, të shpeshtën, nuk ka të bëjë me identitetet kombëtare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat