Maskarada edviniano-socialiste e bojkotimit të parlamentit

Opinione

Maskarada edviniano-socialiste e bojkotimit të parlamentit

Nga: Jakup Gjoça Më: 7 shtator 2009 Në ora: 11:11

Sa “transparencë “ kishte zhvillimi i punimeve të grupit parlamentar të PS, që do të vendoste fatin e bojkotit të parlamentit nga PS-ja, e pohoi deputeti i PS-së, Andis Harasani, i cili deklaroi “... pati një incident në sallë midis dy deputetëve...”. Gjithkush është i ndërgjegjshëm se çfarë mbart incidenti në sallën ku është grupi i parlamentarëve socialistë. Në grupin parlamentar socialist nuk ka më logjikë politike, nuk ka më transparencë politike, nuk ka më demokraci të shprehjes së mendimit të kundërt.

Janë ndeshur me grushta, të verbuar nga fanatizmi edvinist. Transparenca socialiste e gjakosur me grushtet e ringut!!! Kjo është Maskarada Edvinisto-socialiste edhe në grupin parlamentar. Diktatura Edviniste, edhe ne PS, edhe në kryesi, edhe në grupin parlamentar, shtyp me dhunë çdo mendim të kundërt, çdo mendim ndryshe. Maskarada është edhe vetë fakti i prezencës të Edvnit në punimet e grupit parlamentar të PS. Derisa Edvini injoroi vullnetin e popullit që të votonte kandidaturën e tij në parlament, manipulon me dhunën e diktatorit çdo mendim të kundërt me Edvinizmin.

Edi Rama aktualisht është thjesht një kandidat për kryetar partie. Nuk ka as mandatin e deputetit. Atëhere, përse Edi Rama merr pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar? Përse Edi Rama përcakton edhe vendimet e grupit parlamentar, përderisa aktualisht është kryetar mandatmbaruar? Kjo a nuk është Maskarada e jotransparencës politike në PS?

Maskarada Edviniane vendos që PS të kushtëzojë hyrjen e saj në parlament.

Në Demokraci sa hapësirë politike ka një parti që të kushtëzojë hyrjen e saj në parlamentin pluralist? Dhe çdo të thotë politikisht “kushtëzim i pjesëmarrjes të partisë politike në parlamentin pluralist?”

Në Demokraci janë të kundërta, janë të papajtueshme, janë jashtë çdo logjike të pluralizmit politik hapësira politike (ose ndryshe transparenca demokratike e dialogut politik) me kushtëzime politike të pjesëmarrjes së partisë politike në parlamentin pluralist. Në parlamentin pluralist nuk kushtëzon asgjë, nuk dikton asgjë, por gjithçka bazohet në transparencën demokratike të dialogut. Sistemet moniste politike kushtëzonin gjithçka në parlamentet e monizmit politik. Parlamentet e sistemeve moniste ishin gjithë-gjithë Maskaradat e politikës së regjimit.

Politikisht, kushtëzimi i hyrjes së PS në parlament nënkupton që PS-ja kërkon t’ia kushtëzojë kapriçot e saj politike një parlamenti të lirë, një parlamenti që sapo ka marrë votëbesimin e vullnetit të votimit demokratik të popullit. A mundet që në një Demokraci, në një sistem politik pluralist, një parti opozitare ta kushtëzojë parlamentin? Kushtëzim i parlamentit, politikisht do të thotë ...manipulim politik i tij. Ndryshe, nuk ke pse i trembesh transparencës demokratike të dialogut në parlament.

Kushtëzimi i parlamentit dhe transparenca demokratike në parlament janë politikisht krejtësisht të kundërta. Pikërisht vota e lirë e popullit i dha PS-së mosbesimin, i dha mosqeverisjen, i dha mosmundësinë e kushtëzimeve politike. Kurrsesi, në parlamentet pluraliste - në bazë të kushtetutës demokratike - opozita nuk ka asnjë të drejtë juridike e kushtetuese që të kushtëzojë politikisht asgjë!!! Kjo a nuk është Maskarada politike e Edvinizmit socialist?

Kushtëzimet politike ndaj një parlamenti janë klima politike e diktaturave politike, e sistemeve moniste politike. Vetëm Stalinizmi dhe Enverizmi ishin të afta politikisht që të kushtëzonin çfarëdo parlamenti monist. Sikurse edhe Stalinizmi e Enverizmi, edhe sot Edvinizmi, kërkojnë që të kushtëzojnë politikisht parlamentin e lirë, të votuar nga shqiptarët më 28 qershor.

Çdo të thotë politikisht “Kushtëzim i hyrjes së PS në parlament? Edvinizmi kërkon që edhe parlamentin e ri ta kushtëzojë politikisht, sikurse kushtëzoi kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së. Kushtëzimi i hyrjes së PS në Parlamentin e ri është alibia e madhe e humbjes politike të Edvinit, por edhe alibia më e madhe e rizgjedhjes së Edvin Ramës në karriken e kryetarit të PS.

Maxhoranca e parlamentit të ri shqiptar është produkt i aleatizmit politik të forcave politike të kaheve të ndryshme politike, dhe kjo shfaqet edhe si një tregues i emacipimit të lartë të Demokracisë në Shqipëri. Që opozita parlamentare njëpartiake të kushtëzojë, të bojkotojë parlamentin e një maxhorance shumëpartiake, dëshmon edhe për atavizmin e saj politik, për mendësitë e monizmit politik, prej nga është edhe origjina politike e PS-së (PPSH-ja Enveriste). Një parti politike opozitare, që qysh në fillim kërkon kushtizimin e hyrjes në parlament, sa do te jetë transparence në debatin parlamentar? Vetëkuptohet që jo!

Kjo është Maskarada politike e Edvinizmit.

Ka shumë të ngjarë, që kundër Edvinizmit, deputetë socialistë, të ndërgjegjësuar për përgjegjësinë politike, do të marrin pjesë në parlamentin e ri shqiptar. Ky do të jetë edhe një faktor shtesë politik i Maskaradës Edviniste, dëshmi se Edvinizmi akoma nuk ka mundur ta pushtojë transparencën socialiste.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat