Vetëvrasja politike e PS-së

Opinione

Vetëvrasja politike e PS-së

Nga: Hamit TAKA Më: 7 shtator 2009 Në ora: 11:12

Këndo o muzë, zemërimin e Ramës! Si një kuçedër politike në grahmat e fundit, që i përplas të shtatë kokët e shtatë bishtat, zoti Rama bën ç'është e mundur për të mbetur kryetar i PS-së, duke shmangur kështu pasojat… Thirrjet për anarki, mospranimi i zgjedhjeve, bojkotimi i Parlamentit, shkelja e statutit të partisë, ankesa te Presidenti, tentativat për të prishur imazhin e vendit, përjashtimi i kundërshtarëve brenda partisë… përbëjnë alibitë dhe gjithë apologjinë e zemëruar të tij, e cila në thelb vulos vetëvrasjen politike. Me mbështetjen që i jep kryetarit në detyrë dhe zhvillimet në Kongresin e Jashtëzakonshëm, vetë PS bëri vetëvrasje politike. Ajo ra pre e interesave të ngushta të një klani të vjetër që mban peng Partinë Socialiste dhe e arrivizmit të disa të rinjve të zgjedhur nga Rama, pinjollë (nipa e mbesa) të ish-byroistëve dhe ish-bllokmenëve. Vetë zoti Rama, me vetëvlerësimin e tij, i cili e paraqet veten (ose i beson vetes) si një krijesë e rënë nga qielli, me promovimin e mendësive dhe begraundin politik gjatë e pas fushatës elektorale, bëri hara-kiri dhe po lë prapa një trashëgimi rrënimtare. Jo vetëm numri i besimtarëve të filozofisë abstraksioniste për të vetët dhe amiqësore ndaj kundërshtarëve ka rënë në mënyrë të ndjeshme, por edhe mjaft media, opinionistë politikë, mbështetës të ekzaltuar të tij janë distancuar, kanë ulur tonet ose i janë kundërvënë hapur.

Zoti Rama përdor brenda partisë së uzurpuar prej tij parimin makiavelist: "Një princ i përdor të gjitha mjetet për të krijuar dhe mbajtur pushtetin. Princi qëndron mbi moralin e zakonshëm kur ushtron pushtetin e tij dhe mund të përdorë korrupsionin, minimin dhe arrestime të rastit, kur ai e quan të nevojshme. Pushteti politik udhëhiqet nga mendimi se në qoftë se nuk sundon, një tjetër do ta bëjë këtë… Politika është një formë e luftës për pozicione të mira dhe në instancën e fundit për mbijetesën e sundimtarëve". Ky ishte edhe kallëpi i diktatorit Hoxha. Prandaj mund të themi, me argumentet që do të sjellim në vijim, se PS është në momentin e takimit të ekstremeve-fëminia (Partia Komuniste Shqiptare) me pleqërinë (Partia Socialiste Shqiptare). Por, zoti Rama thelbit makiavelist përpiqet t'i veshë lëvozhgën laramane të demokracisë së diskutueshme. Ai rreket t'u mbushë mendjen shqiptarëve se nuk u kushton shumë rëndësi interesave afatshkurtëra të elitës, siç është përshembull fitorja në zgjedhje, por interesave afatgjata të vendit. Ai do të thotë se, bërthama e filozofisë së tij "përtej së majtës dhe përtej së djathtës" qëndron në gjetjen e arsyetimeve të drejta, që hedhin themelet e pajtueshmërisë së të gjithëve pa dallime partiake, për të mirën e bashkësisë dhe shoqërisë. E thënë shkurt, gjithë shqiptarët duhet të bashkohen rreth filozofisë abstraksioniste të Ramës.

E kam përsëritur disa herë ndikimin e fatalizmit në art edhe në politikëbërjen e zotit Rama. Ai çdo ditë u bie këmbanave të fatalizmit, sikur Shqipëria po vithiset, sikur këtu s'ka shpresë. Por arti është tjetër gjë dhe politika është tjetër gjë. Fatalizmi në politikë është shkatërrimtar. Sido që një filozof i madh ka thënë se, kur kombinohet talenti artistik me talentin në politikë, fitohet gjenialiteti i drejtimit efektiv, zoti Rama nuk plotëson as kushtet e nevojshme dhe as ato të mjaftueshme. Ai vetëm përpiqet t'i veshë politikës imazhin artistik. Këtë përpiqet ta arrijë me ndihmën e disa mediave në shërbim të zellshëm ndaj tij, të vetëquajtura të pavarura dhe imitimeve të shëmtuara për vendin dhe kohën ala-Obama. Kështu ai ra në vetësugjestion e vetëhipnozë, duke besuar e ushqyer nga servilët që e rrethojnë, për interesa të ngushta vetiake, ëndrrën joshëse se fama iu ngjit si rraketë në qiell dhe atje do të mbetej përjetësisht si një diell për shqiptarët. Në gjendje ekzaltimi dhe ëndërrimi, i dukej se njerëzit sulmonin sallat, dyndeshin në to sa nuk kishe ku të hidhje mollën, ata më entuziastët kacavirreshin nëpër shtylla e parmakë dhe zvarriteshin gjer poshtë podiumit të tij, vetëm e vetëm që të kishin mundësi të dëgjonin nga afër politikanin e zemrës. Mirëpo këto skena të vërteta emocionale i përkasin vetëm Berishës në vitet 1991-1992, kurse në 2009 kacavjerret e zvarritjet i përkasin asaj rrace, të cilët kërkojnë me investime të vogla e afatshkurtëra, në prag të fushatave, të korrin fitime të mëdha afatgjata. S'është çudi që kjo rracë "fluide" (përshembull Seseri) të hidhet sa nga e majta po aq edhe nga e djathta. Mirëpo, historia dhe jeta i kanë bërë shqiptarët më realistë se sa duken, pavarësisht se ishin nën veprimin e opiumit ideologjik për pesë dekada. Ata e bënë zgjedhjen e vet dhe mjaft të qëlluar, duke e lënë Ramën dhe të vetët në opozitë. Ata e panë se, PD nuk donte dhe nuk kishte nevojë të shfaqej ndryshe nga ç'ishte dhe i besuan, ndërsa PS-së, të cilës ia njihnin thelbin, nuk ia besuan shfaqjen ndryshe. "Heronjtë" e PS-së, në vazhdimësinë e trashëgimisë, duan të dalin jashtë të përditshmes, të zakonshmes, duke synuar ose ta skllavërojnë ose ta pushtojnë shpirtin e qytetarit, gjë që nuk është as demokratike, as socialiste. Kështu zoti Rama, duke mos qenë i sinqertë me shqiptarët, por edhe me vetveten, ka bërë vetvrasjen politike. Kush është një herë i sinqertë me vetveten është gjithmonë. Kush ka zbuluar të vërtetën e vet e ka zbuluar për të gjithë. Të jesh i sinqertë do të thotë të keshë guximin të zbresësh deri në imtësitë më të vogla. Talenti artistik vetëm mund ta ngushëllojë për mungesën e bukurisë në politikë.

Demokracia nuk është një sistem i vetëkuptueshëm, por evolues dhe krijues. Shtetet kanë forma të ndryshme qeverisjeje, që do të thotë mënyra të ndryshme të marrjes me politikë. Po ashtu demokracia nuk importohet, ajo ndërtohet nga brenda me pjesëmarrjen e gjithë faktorëve dhe aktorëve politikë e socialë. Edhe në vendet më demokratike shpesh shtrohen pyetje të ndryshme: kush është më e rëndësishme liria apo siguria (në SHBA pas ngjarjeve të 11 shtatorit); cili është roli i shoqërisë civile në qeverisjen e vendit në raport me partitë politike (në vendet nordike); si është më mirë për burimet e pushtetit të jenë të epshme apo të paepshme (Franca, Gjermania). Pyetja e fundit ishte prezente menjëherë pas zgjedhjeve legjislative-të bëhej kompromis mes së djathtës e të majtës apo të ruheshin me fanatizëm pozicionet ideologjike? PD dhe LSI, me burime të mjaftueshme pushteti, zgjodhën bashkëpunimin, zhvillimin, kompromisin dhe bindjen politike mes tyre, d.m.th. mes së majtës dhe së djathtës. Pra, ato u treguan të epshme për interesat madhore të vendit. Kurse koalicioni i majtë, me në krye PS dhe Ramën, u treguan të ngurtë në principet ideologjike, deri duke e quajtur tradhëti këtë epje të nevojshme të këtyre forcave politike.

Dihet se politika merret me mënyrat e realizimit të qëllimeve dhe nevojave të përbashkëta. Për këtë është e rëndësishme të dihet se çfarë çështjesh ndodhen në rendin e ditës të zgjedhësve, qytetarëve e politikanëve dhe çfarë alternativash trajtimi paraqiten. Dhe jo rrallë ndodh që në vende të ndryshme pozita dhe opozita bien në një mendje për qëllimet, por grinden për mënyrat se si duhen arritur. Kjo ndodhi për bukuri në mjaft raste gjatë mandatit katërvjeçar të qeverisjes së PD-së, kur u arritën kompromise historike. Mirëpo shfaqjet, qëndrimet dhe zhvillimet në kampin e opozitës para e pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duken diametralisht të kundërta me ato raste të mençura. Sot, çdo shqiptar normal i di qartë qëllimet madhore të politikës sonë: lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në vendet e Shengen-it dhe anëtarësimi në BE. Duke njohur këto qëllime, kuptohet qartë se politika e personalizuar e zotit Rama, direkt apo indirekt, çon në mosrealizimin e objektivave. Ndjenja e fitores dhe e ruajtjes së pushtetit pa fund mbyt arsyen e shëndoshë, gjë që u reflektua qartë në kongresin refraktar të PS-së, i cili mëshiroi shumë pika takimi midis ekstremeve që përmendëm më sipër.

Zoti Rama, sa erdhi në pushtet ka folur për kthimin në identitet. Kongresi i Jashtëzakonshëm e ktheu PS në origjinë. Partia Komuniste dhe udhëheqësi i saj, sa erdhën në pushtet, neutralizuan kundështarët e tyre brenda dhe jashtë partisë. Eliminuan dhe ekzekutuan gjithë intelektualët me prejardhje borgjeze, vazhduan me ata të arsimuar jashtë, për të fuqizuar pushtetin e diktaturës së proletariatit. Po këtë taktikë, përdori dhe zoti Rama sa erdhi në krye të partisë dhe veçanërisht në kongresin e fundit, duke eliminuar ata që mendonin ndryshe dhe sigurisht ata ishin nga më të mirëshkolluarit. Të eliminosh të diturit nga drejtimi i partisë është sikur ta kthesh partinë në një tufë delesh të urta dhe vetë të jesh bariu i grigjës. Në anën tjetër, në mënyrë mekaniciste dhe me qëllime diabolike personale, ftoi me "bujari" disa të rinj, të cilët kanë studiuar jashtë, por që nuk e njohin aspak realitetin shqiptar dhe kanë përvojë zero në politikë, vetëm me një kusht: pranohej në parti dhe zgjidhej rrufeshëm në forumet drejtuese vetëm në se voton për atë që të pranon, të punëson dhe të premton pushtet për të ardhmen. Falë mediave, qytetarët i kanë njohur disa prej tyre, të cilët kanë në thesarin e tyre kulturor dhe mënyrën e komunikimit trashëgiminë më fondamentaliste të sharjeve, fyerjeve, banalizmave politike, epiteteve dhe etiketimeve ekstremiste të baballarëve apo gjyshërve dhe parimin se nuk ka fitore pa e asgjësuar kundërshtarin (etalon ishte znj. Spiropali).

Duke qenë se demokracia në vendin tonë është në hapat e para, në zhvillim e sipër dhe reformat bazohen kryesisht te përvoja e demokracive të konsoliduara, është e vështirë të konstatosh dallime thelbësore në programet e dy partive të mëdha. Mund të dallosh vetëm nuanca principiale. Dallimi bëhet kryesisht në vendosmërinë e zbatimit të reformave, në besnikërinë e qeverisë dhe administratës ndaj programit të shpalosur para elektoratit nga partia fituese, në vendimmarrjet e mbështetura në legjislacionin në fuqi dhe në komunikimin demokratik të të zgjedhurve me qytetarët. Duke qenë se PS-ja nuk ka mundur asnjë herë të bëj një program serioz dhe, duke mos patur alternativa të reja bashkëkohore të besueshme për elektoratin, specifike për një të majtë moderne, ajo përpiqet të operojë vetëm me imazhin mediatik, duke hedhur mbi supet e popullit një mjegullnajë rozë e utopiste. Kjo ishte arsyeja që PS dhe kryetari i saj, i cili e personalizoi fushatën, nuk e paraqitën kurrë atë programin e bujshëm të 1000 çështjeve në 1000 faqe, të mbështetur në 7 shtylla… Kjo mungesë e paprecedent u përpoq të kompensohej me imazhin mediatik të një kryetari mbinjerëzor, që hidhej përpjetë nën ritmet e këngës së fushatës "Çohu!" dhe me disa fletë-palosje, që kryetari i shpërndante vetë dorë më dorë dhe gojët e liga duan të thonë se brenda qytetarët gjenin ndonjë qindëshe apo 50 euroshe, sipas kaptinës së votuesit.

Kjo ishte arsyeja që kryetari i PS e anashkaloi në kongres punën e programit, shkaqet e humbjes e të tjera dhe i mëshoi këngës së fushatës, që deshi ta kthente në një himn për veten. Te interpretimi koreografik i këngës teleshikuesit panë edhe një herë sforcon e gardës së vjetër për t'u rinovuar, të cilët bënin kërcime karikaturale (nuk na harrohet kërcimi qesharak i zotit Dokle në mitingun përmbyllës para Kryeministrisë). Ndonëse në rininë e tyre këngë e veprime të tilla përbënin herezi, pasi kishte vetëm një hymn: "Enver Hoxha, o tungjatjeta!...", atyre u duhej të ndërmerrnin një sakrilegj të tillë, sado i sforcuar të ishte, se ndryshe u thyheshin karriget. Megjithatë thelbi ishte i njëjtë, në qendër ishte lideri: "Unë do të fitoj…" dhe jo ne do të fitojmë.

Por ky kongres foli edhe për dobësinë dhe zbetësinë e kundërshtarëve të Ramës brenda Kryesisë, pavarësisht se qëndrimi i tyre ishte parimor. Dihet se refleksi i natyrshëm i njeriut nuk është aspak afirmimi, por përshtatja e tij me mendimin e kohës. Përjashtimi nga ky rregull përbën veçanësinë e liderëve të rinj karizmatikë e fitimtarë. Ata nuk u ngritën dot mbi mendimin e kohës së partisë së tyre, duke i ardhur rrotull e rrotull, duke bërë lëshime. Brenda atyre individëve, që marrin përsipër të ulin nga kali liderin socialist, të lidhur me dhjetra fije interesah me "kongresmenët" votues, duhet të veprojnë forca tepër të rralla e të sprovuara, që të shfaqet e të ruhet veçanësia: një njohje e sigurt e gjendjes, situatës e perspektivës së vendit e të botës, një mendjemprehtësi e rrufeshme, një mospërfillje e patrembur e, para së gjithash, guxim, trefish guxim, një kurajë e patundur në bindjen e vet.

Por, këto tipare i kanë munguar e i mungojnë akoma vetë PS-së, sido që pretendon rinovimin dhe të majtën moderne evropiane. Ajo gjithmonë është vërtitur midis dy poleve: midis së vjetrës dhe së resë, mallit të turbullt rinor dhe vullnetit epror e ironik për pushtet të pleqve, midis romantikës dhe "pjekurisë", midis çirakëve të rinj dhe zanatçinjve të vjetër… Në fund të fundit, Rama heshturazi përgjigjet me fjalët e disa përfaqësuesve të racës së artistëve: "E bëra për veten time, kush të dojë ta pëlqejë, kush të dojë le të mos e pëlqejë".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat