Me bojkotin, opozita po mohon veten

Opinione

Me bojkotin, opozita po mohon veten

Nga: Luan Myftiu Më: 9 shtator 2009 Në ora: 16:13

Historia ka treguar se shumë forca politike në demokraci kanë fituar vlera sidomos me qëndrimet e tyre konstruktive në opozítë. Virtyti admirohet sidomos pse në çdo rrethanë ai i bën vend vetes. Nuk është turp të humbësh një garë. Turp është të deklarosh se ke fituar, kur ke humbur. Të gjitha partitë politike “luftojnë” me bindjen se alternativa e tyre e bën më të mirë jetën e qytetarit. Kur nuk fiton alternativa më e mirë, i humbur del sovrani. Partia që humbet, me qëndrimet e saj duhet të ngushëllojë elektoratin e dëshpëruar. Kurse ankesat e PS-së duken si ato të tellallit, që qahej më fort se i zoti i mallit. Kjo qaramane duhet të ketë më shumë besim në gjykimin, që i bën vetë sovrani shkaqeve të humbjes. Nuk i takon PS-së të shtiret para elektoratit sikur vetëm ajo është viktima e manipulimit. Nuk e mbulon dot ajo përgjegjësinë duke klithur për, gjoja, mbrojtjen e votës së lirë. Nuk duhet t’i shëmbëllejë ajo rojës, që i ankohej vetes pse nuk e kishte ruajtur mirë dyqanin. Për të tilla ankesa populli thotë: “Në vend të qahen qetë, qahet qerrja”. Vaj halli ç’duhet të bëjnë ata, që s’kishin komisionerë! Bojkoti i parlamentit nuk i shërben imazhit të PS-së. Edhe sikur vërtet të jenë bërë gabime, zbardhja e tyre nuk duhet të pengojë punën për realizimin e reformave. Nuk vihen vetulla duke nxjerrë sytë. Vetëm një arrogancë e marrosur djeg jorganin për një plesht. Kështu si po vepron opozita, del më i madh bishti se sqepari. Jo më kot një i ditur ka thënë se më e rëndë nga “fatkeqësia” është ekzagjerimi i saj. Nëse “kupola” e PS nuk ka synime të tjera ndaj vetë partisë, nuk i falet t’ia ulë kësaj seriozitetin me bojkot. Nuk e braktis ushtari i devotshëm llogoren, as toreadori arenën, ku zhvillohet beteja për një fitore të denjë. Sa më e matur, mirëkuptuese dhe konstruktive të shfaqej PS-ja në kërkesat ndaj të ashtuquaturit manipilim, aq më të pakënaqur do ta bënte elektoratin e saj ndaj “manipulatorëve”. Populli e zë lepurin me qerre. Ai ka bindjen se hanxhiu me qiraxhínë takohen. Ai e zbulon fajtorin më shpejt se komisionet parlamentare. Kur elektorati krenohet me standardet që arriti, socialistët nuk i njohin zgjedhjet fare. Ka liderë të PS-së, që nuk e kanë kuptuar mesazhin që dha rezultati i këtyre zgjedhjeve. Prandaj i bien fyellit me një vrimë duke u ankuar se, gjoja, u janë vjedhur votat. Duke u tallur me misionin e saj në Kuvend, opozita po vë në dyshim qëllimin e ankimimit të saj. Kurse me bojkotin po injoron veten. Ajo ka aq shumë mundësi të ngrihet në lartësinë e një force konstruktive, sa, ndoshta, dhe vetë fitorja e zgjedhjeve nuk do t’ia jepte këtë shans. PS-ja duket nuk i njeh ligjet e vlerave që fiton njeriu, a partía, kur përballon fisnikërisht një humbje. Duket ajo nuk njeh as vlerën e tolerancës, si majën e trimërisë për të zbardhur të vërtetën. Ndoshta prandaj po bën të kundërtën. Me bojkotin dhe kushtet e tij absurde ajo vërteton se ka mbetur arrogante në shpirt dhe puniste në taktikat për të kërkuar të vërtetën me presione e shantazhe.

Askush nuk e pengon opozitën të ngrejë zërin në Kuvend për çdo të drejtë. Madje, vetë mazhoranca i është zotuar (dhe e ka mbajtur fjalën!) se do ta respektojë si një domosdoshmëri për realizimin normal të një jete pluraliste parlamentare. Durimi i të djathtës shpesh i ka kaluar caqet e mirësjelljes dhe të tolerancës ndaj një opozite arrogante, përjetësisht e pakënaqur. Dhe, ndoshta, pikërisht kjo sjellje ndaj opozitës ia ka shtuar vlerat këtij krahu politik në luftën e tij konstruktive. Kjo e ka ndihmuar të realizonte ato reforma, që bindën dhe miqtë ndërkombëtarë se këtu, në Shqipërí, funksiononin parimet demokratike, konsesusi i nevojshëm, normat e një sistemi pluralist, europian.

Opozita është e detyruar të hyjë në parlament, sepse atë e urdhëron vullneti i sovranit. Nuk votoi ai për deputetë, që të shullëhen kafeneve e për t’i ulur kështu imazhin Shqipërisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat