Rama, një cikël i mbyllur

Opinione

Rama, një cikël i mbyllur

Nga: Bledi KASMI Më: 11 shtator 2009 Në ora: 11:37

Kabineti i ri qeverisës pritet që të nisë punën në një klimë politike bojkotuese të opozitës. Situata duket mjaft e ngjashme me atë të katër viteve më parë, kohë kur opozita e drejtuar nga Rama nisi një fushatë protestash agresive në Parlament, të cilat synonin bllokimin e punës së këtij institucioni. Reagimi i atëhershëmn i socialistëve kishte si qëllim të bllokonte nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian. Skenat qesharake të deputetëve socialistë, që Rama i fuste në Parlament me saze dhe bilbila, nuk mund të harrohen.

Ndërsa atëhere kishte një mënyrë tjetër për të bllokuar reformat, kësaj here Rama ka zgjedhur atë të bojkotit. Kemi të bëjmë me një film që po përsëritet shpesh dhe do të vazhdojë të përsëritet edhe në të ardhmen, sa herë Rama të humbasë betejat politike. Një skenar qesharak që nuk është vetëm me një seri. Është dëshpërimi i një humbësi që nuk ka kurajon të pranojë humbjen, ndaj ai duhet mëshiruar, sikurse duhet respektuar edhe profili që ai ka zgjedhur, të paraqitet si të ishte një viktimë e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe jo si arkitekti i humbjes së partisë që përfaqëson.

Rama po shkel në të njëjtën rrugë dhe po bën të njëjtat gabime si dhe katër vjet më parë, ndonëse ato nuk i kanë sjellë asnjë rezultante pozitive politike. Ajo çfarë ka ndodhur gjatë katër viteve të kaluara si pasojë e politikave të tij bllokuese të reformave, ka qenë një izolim që sa vinte dhe i ngushtonte lakun PS-së. Mjafton të kujtohet se në katër vitet e fundit, Rama është i vetmi udhëheqës politik dhe kryetar i Bashkisë më të madhe të një vendi që nuk e ka ftuar asnjë homolog i tij jashtë vendit për vizitë, apo i Internacionales Socialiste për t'i dhënë mbështetje politike. Mund të jetë politikani më i padëshiruar sot në Europë, për vetë atë që përfaqëson, një politikë konfliktuale të vazhdueshme kundra gjithshkaje, që nis nga raportet në PS, në raportet me kundërshtarët politikë, por edhe me faktorin ndërkombëtar. Një shëmbëlltyrë e këtij profili politikani, përsa i përket izolimit, mund të jetë sot në Europë vetëm drejtuesi bjellorus, si dhe disa liderë radikalë në Serbi.

Pas 28 qershorit ai po ngre mure të reja rreth PS-së, duke e shkëputur tërësisht nga realiteti dhe kontaktet me shoqërinë, e cila është sot shumë hapa para standardeve demokratike që ai po ofron brenda partisë. Historia e tij në këto katër vite në PS është e përplasjeve të vazhdueshme, me qendrat e rëndësishme vendimmarrëse ndërkombëtare, të cilave në mënyrë sistematike u ka refuzuar të gjitha këshillat duke u dhënë në të njëjtën kohë mesazhin që përtej të djathtës në pushtet qëndron një politikan monstër, që për ta nuk mund të jetë kurrë një partner i besueshëm, por i rrezikshëm për vetë modelin e tij politik të kokëfortësisë dhe të etjes së pakufishme për pushtet personal.

Që në hapat e parë ai i serviri bilbilat dhe sazet drejtuesve të Bashkimit Europian, që vinin në Tiranë për të firmosur Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, më pas iu serviri krizën presidenciale, sajoi krizën e zgjedhjeve lokale, që detyroi shumë personalitete europiane dhe amerikane të ngrinin supet, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte me forcën kryesore opozitare, vazhdoi me protestat kundër marrjes së ftesës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe së fundi, si fillimi i ri i mandatit të dytë në opozitë ka nisur sërish nga e para.

Ndërsa komisioneri për Zgjerim i BE, deklaronte se zgjedhjet ishin më të mirat të zhvilluara në Shqipëri, ai iu përgjigj se do të bojkotojë Parlamentin, ndërsa zv.Presidenti i OSBE-së deklaroi se zgjedhjet ishin me standarde ai iu kundërpërgjigj me ofeza këtij organizmi, duke i thënë se janë qëndrime personale, dhe kur së fundi, Bashkimi Europian po i kërkon hyrjen në Kuvend, ai deklaron se do ta fitojë pushtetin me çdo mjet.

Ndonëse e ka shkelur një herë këtë shteg që e ka futur në një qorrsokak politik, ai vazhdon me vetëmohim të mos ndryshojë. Ndonëse e ka kuptuar se kostoja e politikave të tilla është tepër e lartë për një parti politike, ai vazhdon të besojë se faktorizimi në jetën politike dhe motivimi i mbështetësve të rrudhur socialistë mund të vijë vetëm nga servirja e tezave ekstremiste.

Ai harron se situata e sotme politike është krejt e ndryshme nga ajo e katër viteve më parë. Ndërsa katër vite më parë kur përçoi për herë të parë tezat e tij radikale, ai mundi të krijojë një gardë ithtarësh të së majtës, që ishin nostalgjikë për marrjen e pushtetit me dhunë dhe rebelimin e '97, sot ka shumë pak të tillë. Rama e kuptoi se nuk mund të guxonte më shumë se përmendja e deklaratave verbale para mediave. Ai nuk bëri as rebelimin e premtuar, as nuk mori pushtet me dhunë dhe as me blerje të votave. Ai dështoi në të gjitha sfidat e tij politike. Dështoi që t'u imponohej shqiptarëve si ekstremist, dështoi t'i imponohej perëndimit si faktor kërcënues i stabilitetit të vendit dhe dështoi të motivonte njerëz që t'i shkonin pas në protesta kundër integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Qartësisht këtë e tregoi 28 qershori.

Ai tani po nis sërish nga e para të njëjtën lojë që e ka humbur disa herë dhe duke mos pasur lojtarë të mirë në fushë. Në mungesë të një vizioni për të ringritur një opozitë të besueshme, me alternativa dhe konstruktive, të hapur dhe demokratike, ai po përsërit vetveten e katër viteve më parë, duke u bërë i bezdisshëm dhe i mërzitshëm, duke na servirur sërish një film, të cilit i dihet fundi. Duke mos gjetur forca për të tejkaluar mbi modelin e tij humbës, ai tradhton veten dhe egoja e tij për të qenë një lider në nivel mbi rajonalen mund të konsiderohet sot një cikël i mbyllur. Ai mund të mbajë peng disa njerëz në PS, mund të mbajë peng disa njerëz në Grupin parlamentar, mund të mbajë peng miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Kuvend, por të gjitha këto do të jenë të përkohshme dhe nuk mund ta riciklojnë atë, sepse nuk mund ta shndërrojnë në fitues një njeri që nuk beson tek fitorja, që i trembet asaj dhe ka frikë të ndeshet për ta merituar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat