Liria e fjalës dhe dënimi i gazetares Hartman

Opinione

Liria e fjalës dhe dënimi i gazetares Hartman

Nga: Bajrush Morina, Bota sot Më: 17 shtator 2009 Në ora: 17:04

“Rri e qetë dhe sillu mirë” ose “mos diskuto në opinion për vendimet e Gjykatës së Apelit e as për përmbajtjen e saj”. Kjo ka qenë kërkesa e avokatit mbrojtës të ish-zëdhënëses së Tribunalit të Hagës znj.Florence Hartman. Por trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Bakone Justice Maloto nuk mori parasysh këtë “masë dënimi” për gazetaren e njohur Florence Hartman dhe i shqiptoi asaj dënimin mandatar prej 7 mijë eurosh gjobë.

Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës për 7 vjet me radhë, reporterja shumëvjeçare e “Lë Mondit” nga luftimet në Kroaci e Bosnje, gazetarja që zbuloi një varrezë masive në afërsi të Vukovarit më vitin 1992, e shpërblyer më vitin 1997me çmimin më të lartë francez për guxim profesional “La Fondation de France”, dëshmitarja e disa proceseve kundër disa serbëve të akuzuar, ka përmbledhur në librin e saj të fundit “Paqja dhe dënimi” të gjitha ato shënime, vërejtje e sugjerime të cilat gjatë kohës sa ka qenë zëdhënëse e Tribunalit, ose nuk ka pasur kohë t’i botojë ose e ka pasur të ndaluar t’i bëjë të njohura për publikun.

Por përse në të vërtetë është dënuar gazetarja Florence Hartman?

Pika 1.Me vetëdije dhe me qëllim ka penguar zbatimin e drejtësisë të Gjykatës Ndërkombëtare duke zbuluar informacione në kundërshtim me Urdhrin e Këshillit të Ankesave, të 20 shtatorit 2005 dhe Urdhrin e Këshillit të Ankesave të 6 prillit 2006, sepse më 10 shtator ka shkruar dhe botuar librin “Paqja dhe dënimi” në botim të “Flammariona”.

Pika 2. Me vetëdije dhe me qëllim ka penguar zbatimin e drejtësisë të Gjykatës Ndërkombëtare duke zbuluar informacione në kundërshtim me Urdhrin e Këshillit të Ankesave, të 20 shtatorit 2005 dhe Urdhrin e Këshillit të Ankesave të 6 prillit 2006, sepse ka shkruar artikullin me titull “Dokumentet kyç, të fshehura, lidhur me gjenocidin”, botuar më 21 janar të vitit 2008 nga Instituti i Bosnjës.

Thënë më qartë dhe “shqipëruar” më mirë nga këto konstrukte juridike të vendimit për dënimin e gazetares Florence Hartman del se ajo është shpallur fajtore, sepse ka botuar një libër në të cilin ka hapur “dyert e mbyllura” të Tribunalit të Hagës dhe ka shkruar dhe ka botuar një shkrim në të cilin ka hedhur dritë mbi dokumentet e fshehura të krimeve serbe ndaj popullatës myslimane gjatë luftës në Bosnje. Me një fjalë, Florence Hartman ka zbardhur disa “faqe të zeza” të krimeve serbe dhe ka ndriçuar disa prapaskena të “errëta” të punës së Tribunalit të Hagës.

Librin “Paqja dhe dënimi” kam pasur rastin ta lexoj nga “hapësira” e kufizuar e Tribunalit, nga ato prapaskena jo vetëm fizike por edhe juridike që mund të shihen e të përjetohen vetëm nga ata që janë kanë pasur punë me Prokurorinë e Tribunalit Ndërkombëtar. Duke lexuar këtë libër lexuesi i “mbyllur në qeli” zhgënjehet edhe më tepër për pastërtinë e drejtësisë ndërkombëtare, në ndërkohë që ngazëllehet dhe “ngushëllohet” shpirtërisht nga guximi i gazetares Florence Hartman për të nxjerrë në opinion të gjitha ato të pathëna të Tribunalit të Hagës, përkatësisht të Prokurorisë së Tribunalit.

Në njoftimin për shtyp të publikuar për media nga Zyra për e Shtypit e Tribunalit ndër të tjera shkruan: “Fakti që e akuzuara ka qenë për 6 vjet në detyrën e zëdhënëses së Prokurorisë, do të thotë se ajo ka qenë e vetëdijshme për faktin se çka nënkuptojnë disa vendime të besueshme”. Pra Trupi Gjykues e ka “rënduar” gazetaren Hartman me këtë fakt duke e akuzuar atë se me vetëdije ka publikuar disa dokumente të besueshme.

Në fakt, ata që kanë lexuar librin “Paqja dhe dënimi” mund të binden se të gjitha faktet e botuara në librin në fjalë kanë qenë pothuaj të njohura për opinionin publik. Askush nuk ka dyshuar në involvimin e kriminelit Milosheviq në të gjitha luftërat e përgjakshme të ish-Jugosllavisë, prandaj çka ka të panjohur për opinionin dhe cilat janë ato “vendime të besueshme” që kanë të bëjnë me krimet e Milosheviqit dhe regjimit të tij për të cilat nuk do të duhej të merrte vesh opinioni?!

Florence Hartman ka qenë e para zyrtare e Tribunalit që ia ka dorëzuar me dorë të vet aktakuzën kriminelit Slobodan Miulosheviq, pas arrestimit të tij dhe në prag të transferimit në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Por, përderisa me rastin e dorëzimit të kësaj aktakuze ajo ka kryer një shërbim zyrtar (si zëdhënëse e Prokurorisë së Tribunalit), sepse kur ka shkruar librin ka përdorur “lapsin” e saj të gazetarisë e jo qëndrimin zyrtar.

Ajo ka qenë gazetare e njohur, para se të bëhej zëdhënëse zyrtare e Tribunalit.

Ajo është dënuar si gazetare e njohur për arsye se nuk ka mundur të mbetej gjithmonë zyrtare e Tribunalit.

Ajo edhe pas këtij vendimi të Trupit Gjykues të Tribunalit do të mbetet një gazetare e guximshme që është dënuar për shkak se ka mbrojtur lirinë e fjalës.

Prandaj Florence Hartman është gazetare e pafajshme!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat