Berisha - emblema e qytetërimit perëndimor shqiptar

Opinione

Berisha - emblema e qytetërimit perëndimor shqiptar

Më: 7 tetor 2009 Në ora: 12:35

Festë në kryeqendrën e Kosovës për politikanin që e vendosi çlirimin e shqiptarëve nga okupimi serb në krye të aksionit të vet politik. Kursi i reformave për rikthimin e etnisë shqiptare në gjirin e familjes europiane - ku janë bashkëthemelues dhe kontributorë kryesorë – vlerësohet nga institucionet e shtetit më të ri Ballkanik si një konsensus që do të ndihmojë stabilitetin e rajonit, por edhe ritmet e integrimit të Kosovës në NATO e në BE

Sali Berisha, politikani që vuri fibrën kombëtare në krye të aksionit të vet politik, qëkur u vu në krye të protestave studentore për liri e pluralizëm, në fund të vitit 1990, është pritur si një lider kombëtar në vizitën e tij të parë në Prishtinë, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të 2008-s. Kryeministri Berisha përkrahu gjithmonë rezistencën e shqiptarëve të Kosovës për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar dhe konstituimin e një identiteti shtetëror, të përshtatshëm me rrethanat. Historiku e gjen Sali Berishën si një protagonist të zhvillimeve mbarëshqiptare, që nga viti 1991, kur lidhja e shkrimtarëve të Kosovës shndërrohej në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të vijuar më vonë me mbështetjen e pakursyer të forcave politike që vepronin në gjysëmilegalitet në Kosove, me grupet e shoqatat e shqiptarëve në diasporë, apo edhe me mbështetjen e pakursyer të propagandës që emetonte RTSH për aspiratat e shqiptarëve të Kosovës. Sali Berisha ishte promotori i tezës “Një komb -një qendrim”, njëra nga lëvizjet që nga ndikuar më shumë në krijimin e konsensusit ndërkombëtar për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës. Sali Berisha dhe Partia Demokratike, forca që ai udhëhiqte në vitin 1999, u shndërruan në nuklën e njërit nga operacionet humanitare më të rëndësishme në epokën moderne; atë të pritjes dhe të strehimit të të shpërngulurve nga operacioni i spastrimit, që kryen forcat ushtarake dhe udb-ashe të Serbisë. Pas këtij momenti, roli i Sali Berishës u shenjua ditë pas dite nga kontributi i aksionerit kryesor, derisa pas 3 korrikut 2005, Partia Demokratike fitoi të drejtën e qeverisjes dhe Sali Berisha u bë për herë të parë kryeministër i Shqipërisë (londineze – siç i thonë shqiptarët e përtej kufinjve). Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe shndërrimi i vendit në një vend-kandidat për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian regjistrojnë kursin cilësor të ndryshimeve që përfshinë Shqipërinë dhe që kanë gjurmën e pangatërrueshme të Sali Berishës. Me 17 shkurt të 2008-s, Kosova proklamoi pavarësinë e saj dhe shumica dërrmuese e banorëve të saj njihnin Sali Berishën si një kontributor kryesor në këtë proces. Me vizitën e djeshme, shqiptarët e Kosovës treguan mirënjohjen e tyre për kontributin shumëvjeçar të Sali Berishës për pavarësimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve – siç tha ai – në një Evropë të Bashkuar, por edhe mbështetën alternativën thellësisht perëndimore që ai proklamon çdo ditë në aktivitetin e vet politik, alternativën e rikthimit të shqiptarëve në gjirin e familjes evropiane, në gjirin e familjes, së cilët ata i përkasin, por që u shkëputën me dhunë nga pushtimi aziatik i 5 shekujve, si dhe më pas nga uzurpimi i mëse 5 dekadave komunizëm diktatorial e orientalist.(55)

...

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat