Ai mur që ra mbi të majtën soc-komuniste

Opinione

Ai mur që ra mbi të majtën soc-komuniste

Nga: Lavdrim Lita Më: 9 nëntor 2009 Në ora: 16:29

E hëna e sotme qëllon të jetë 20-vjetori i rënies së murit të Berlinit, një moment që përfaqësoi triumfin e lirisë mbi tiraninë, triumfin e demokracisë ndaj idioto-kracisë, triumfin e njerëzisë me personalitet mbi shtazërinë kolektive. Është thënë shumë herë se Muri i Berlinit ishte njëri ndër gabimet e shumta të historisë moderne. Kronika është e thjeshtë: Pas përfundimit të luftës së ftohtë, fuqitë e mëdha vendosën ta ndajnë Gjermaninë në katër zona të veçanta pushtimi. Në po aq zona u nda edhe kryeqyteti. Demokracitë perëndimore: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca i bashkuan tre zonat e tyre si dhe të tre pjesët e kryeqytetit, duke mundësuar kështu krijimin e Republikës Federale Gjermane me kryeqytet Berlinin Perëndimor. Nga ana tjetër, në zonën sovjetike të pushtimit, u formua Republika Demokratike Gjermane, në përbërje të të cilit ishte edhe Berlini Lindor. Meqenëse Berlini ishte në thellësi të territorit të Lindjes, autoritetet e reja komuniste u detyruan të izolojnë prej shtetit komunist, pjesën perëndimore të tij, këtë simbol të kapitalizmit dhe të demokracisë liberale. Synohej që gjermanët e thjeshtë të Lindjes mos të informoheshin për ç’ndodhte në anën perëndimore dhe në shtetin kapitalist gjerman. Me 9 nëntor të 1989 Gjermania rifitoi bashkimin e familjes gjermane. Muri ra.

Fakti më i dukshëm që prodhoi rënia e Murit të Berlinit, përveç shpërbërjes së luftës së ftohtë, ishte edhe fundi i ideologjive. Tiranitë komuniste i kapi efekti domino i shembjes së njëpasnjëshme. Vala e presionit bëri që liria të depërtonte në poret e konsumuara të Evropës ish-komuniste. Euforia i kaploi të gjithë, disa u gëzuan pa masë, madje u duk sikur ishte njëlloj si prerja e kordonit ombelikal me një nënë të çmendur, ishte kalimi nga një shoqëri foshnjërore që ruhej e qortohej në çdo gjest në një botë me vetëdije dhe përgjegjësi për atë që bën dhe atë që s’bën. Me rënien e Murit të Berlinit ra edhe muri i Kohës, sipas një titulli libri të Ernst Jünger. Anakronizmi më i madh që mMuri mbante në krah ishte ndarja e Gjermanisë në dy epoka të ndryshme: në Perëndim erdhi “koha” e modernitetit, koha e konsumit, e lirisë individuale dhe e demokracisë liberale, kurse në lindje “koha” kishte mbetur në Prusi, në Gjermaninë naziste e komuniste, një version miks i regresives dhe represives ndaj modernitetit. Rënia e Murit të Berlinit arriti të sinkronizojë dy Gjermanitë, të cilat jetonin në dy kohë të ndryshme. Lindja hyri në Perëndim. Komunizmi u mund të terren. Ai i pat hyrë një sfide pakthim kundër oksidentit në emër të ateizmit dhe materializmit, të progresit dhe të lirisë, të ekonomisë dhe teknologjisë, çka i solli pak nga pak zvetënimin dhe humbjen e terrenit.

Aneksi i “ostalgie”-së së komunistëve në PS/Përfundimi i Bashkimit Sovjetik, siç thotë edhe studimi i politologut amerikan Francis Fukuyama bëri të mundur “Fundin e historisë”, pra dialektika hegeliane komunizëm-kapitalizëm nuk mund të qëndronte më në këmbë - kapitalizmi kishte fituar betejën pothuajse në të gjitha fushat. Me një fjalë liberalizmi kishte fituar, pa u ndeshur me armë ushtarake, por veç me armë ekonomike e kulturore. Historia post-ideologjike kishte hapur një kapitull të ri në botën e qytetëruar. Kanë kaluar njëzet vjet dhe ne na duket sikur ka kaluar një shekull. Ka ndryshuar Evropa, ka ndryshuar bota dhe ka ndryshuar aq sa mund të thuhet edhe Shqipëria. Ndoshta Shqipëria ka regjistruar një ndryshim më të madh se vendet e tjera në konceptin e sipërmarrjes së lirë, por jemi prapa në fushën e përftimit të ideve të liberalizmit në kuadër të një identiteti, i cili na u përdhos për aq shumë kohë. Kuptohet vetiu se rënia e Murit të Berlinit vulosi përfundimisht faktin se komunizmi ishte një tragjedi për atë vende ku u eksperimentua dhe patjetër që Shqipëria në këtë klasifikim ishte në vend të parë. Komunistët shqiptarë ishin më të zellshmit në frontin e luftës së klasave, bile deri në asgjësimin total të ideve “jashtëmarksiste”. Elita e bllokut a e byrosë pësoi një traumë me rënien e Murit të Berlinit. Ajo përjetoi dukshëm ankthin e fajit për çka kishin gatur për 50-vjet. Hapja e Shqipërisë ndaj Evropës ishte tmerri që ata patën mbajtur të fshehur. Tashmë imperializmi e kishte fituar betejën, por lufta ende vazhdonte në mënyrë kameleonike, me koncepte darwiniane të adaptimit me realitetin.

Siç e dimë Partia e Punës u shndërrua formalisht në PSSH, por brenda saj nuk ndryshoi gjë, nuk pat aspak social-demokratë, por veç komunistë të thekur e të zellshëm si Nano, Ruçi, Agolli, Pëllumbi, Islami etj. E majta e dalë nga një nënë e çmendur nevrike mbeti një parti jovertebrore, pa skelet: një metamorf që mbante brenda viruset e një “ostalgie”, pra të një nostalgjie ndaj mënyrës së jetesës në Republikën Demokratike të Gjermanisë (lindore). Shumë syresh nga e majta shqiptare vuajnë ende nga humbja e ideologjisë së cilës ata i patën besuar aq shumë. Qe falimenti i plotë i një utopie vampireske që vuante nga “sindroma e Saturnit”, nga sindroma e atij që hante bijtë e vet, meqë i besonte profecisë se të bijtë do ta shfronësonin një ditë. Në mënyrë ciklike, pjesë të byrosë gjendeshin sabotatorë të pushtetit të popullit.

Këto leksione mbi muret që ndajnë dhe nuk afrojnë i kemi kuptuar në lirinë e këtyre një 20 viteve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat