Vegim Gashi i duhet Prishtinës, tash

Opinione

Vegim Gashi i duhet Prishtinës, tash

Nga: Qëndresa Krasniqi Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 16:46

Sfida më e madhe për të gjithë ne tani ka përfunduar. Jemi shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Obligimi më i madh për Kosovën dhe popullin e saj, tani është angazhimi për të gjetur formulën e zhvillimit dhe frymëzimit si vend me perspektivë të qartë europerëndimore. Zgjedhjet lokale në çdo vend të botës, veçanërisht për popullin kanë një rëndësi të madhe. Aty vendoset për një të tashme dhe të ardhme më të mirë.

Pse qytetarët e Prishtinës duhet të dalin në këto zgjedhje? Qytetarët kryeqytetas në zgjedhjet e së dielës duhet të dalin në zgjedhje për dy arsye: 1. Për të ç`rrënjosur mentalitetin e vjetër menaxhues të punëve në kryeqytet; 2. Dhe, për të dhënë besimin e tyre, për njerëz të pastër, të dëshmuar, me sinqeritet dhe profesionalizëm.

Qytetarët e Prishtinës, në tri palë zgjedhjet e kaluara, kanë votuar duke u ndikuar emocionalisht për njërin apo tjetrin kandidat, që vinte prej subjekteve politike të preferuara. Pak është shikuar se çka ofron, apo çka mund të bëjë për të mirën e qytetit. Aq sa është menduar, aq edhe është bërë në kryeqytetin e Kosovës. Prishtina, edhe dhjetë vjet pas luftës, ka gati të njëjtën fotografi. Ndërtimet pa leje, e kanë venitur bukurinë e qytetit. Kaosi në trafik, po ashtu. Mungesa e parkingjeve krijon tollovi, pakënaqësi dhe humbje kohe. Të gjithë kërkojmë përparim. Të gjithë kërkojmë diqka ndryshe. Ka kaluar koha kur ne tani, duhet të mendojmë dhe të votojmë të prirur nga ideologjitë. Sot ne duhet të mendojmë për veten tonë, për mirëqenien tonë. Qytetari i Prishtinës, është lodhur.

Çka ofruan kandidatët gjatë fushatës zgjedhore. 1. Isa Mustafa, kryetari aktual i Prishtinës, njëherazi edhe kandidat i LDK-së edhe për një mandat tjetër, gjatë gjithë fushatës zgjedhore, qytetarëve të Prishtinës u ka ofruar dy gjëra: prezantimin e punës së tij dy vjeçare (të cilën qytetarët e njohin dhe e prekin çdo ditë) dhe përplasjen me PDK-në.

Çka prezantoi Isa Mustafa prej punës së tij: Disa rrugë, disa parqe, por jo edhe rezultatin e gjithë premtimeve të 2007. Pse Isa Mustafa u fut në këtë “lojë”, përplasjesh me PDK-në? Qka na interesojnë neve raportet politike PDK-LDK. Prishtinës dhe qytetarit të saj, nuk u intereson më lufta ndërmjet partive. Nuk u intereson më as çka thotë Isa Mustafa, as Hashim Thaçi, as Fatmir Sejdiu, e besa as Barak Obama. Qytetarit të Prishtinës dhe Kosovës sot, i intereson një gjë; zhvillimi ekonomik që do të ngriste cilësinë e jetesës së tyre.

2. Astrit Salihu, kandidati i partisë më të madhe në vend, bëri bujë në fillim të fushatës. Arriti që të nervozojë profesorin e urtë. E qiti prej taktit. Astriti i identifikoi problemet me të cilat përballet sot qytetari i Prishtinës. Astriti kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes së Isa Mustafës, mënyrën e tij të zgjidhjes së problemeve. E kritikoi për mospunë. Astriti dha fjalë, dha kritika, por jo premtime të argumentuara me projekte konkrete. E Prishtinës, i duhet një zgjidhës i problemeve, jo një identifikues i tyre.

3. Vegim Gashi, njeriu të cilit i besoi shumë që nga fillimi kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, gjatë gjithë fushatës elektorale tregoi sinqeritetin dhe përkushtimin e tij për të ndryshuar diçka në mentalitetin menaxhues të punëve në kryeqytet. Mënyra e qasjes së Gashit në fushatë së paku deri më tani, ka demonstruar një seriozitet të madh, një profesionalizëm të vërtetë si profesor dhe si menaxher. Gashi, është marrë shumë pak me kritika, e shumë më shumë me hartim dhe prezantim të projekte. Ashtu si kandidatët e tjerë, edhe Vegimi premtoi shumë. Por, për dallim prej të tjerëve ai u tregua më bindës, jo pse ishte më orator, por sepse premtimet i argumentoi me projekte konkrete. Projekti i furnizimit të kryeqytetit me ujë të pijshëm 24 orë, është i besueshëm, sepse Gashi ka treguar rrugën e realizimit të tij. Nuk është diçka që s`mund të bëhet, nevojitet vetëm vullneti dhe një menaxhim i mirë.

Gashi prezantoi projektin e zgjidhjes së kaosit në komunikacion, me projekt konkret të zbërthyer mirë. Prezantoi platformë konkrete për zhvillimin e fshatrave të Prishtinës. E

dha projektin e qartë, për krijimin e kapaciteteve humane. Gashi na ofroi sinqeritet të madh gjatë gjithë fushatës. Na ofroi përkushtimin e tij për ti ndryshuar gjërat. Na ofroi profesionalizmin e tij prej menaxheri. Pse mos ta provojmë?

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat