A do t’ia hapë dyert e perspektivës Kosovës EULEX-i?!

Opinione

A do t’ia hapë dyert e perspektivës Kosovës EULEX-i?!

Nga: Bekim Toçani Më: 3 dhjetor 2009 Në ora: 15:36

Bllaca, pavarësisht motivit, për të folur, ka pasur jetën në rrezik dhe çfarë i intereson atij për procesin në GJND. Fundja, pyetja e madhe është: Nëse Thaçi dhe ish SHIK-istët që ulen në institucione, paskan pasur dijeni për lidhjet e Bllacës e “bllacakëve” tjerë me shërbimet e Serbisë apo shërbimet tjera të fshehta, pse kanë rekrutuar njerëz të tillë?! Përveç se vet nuk kanë qenë të implikuara në shërbime të fshehta zbulimi e kundërzbulimi! Apo, thënë edhe ndryshe, a thua SHIK nuk ka shfrytëzuar për vrasjet politike ish agjentë UDB-së serbosllave duke i shatazhuar me jetë?! Dhe a thua ndonjë nga ata agjentë të sigurimit serb nuk është gjallë ende për të dëshmuar?! Një nga kësi njerëz (S.H), në vitin 2000, në pyetjen e drejtëpërdrejtë se a ka pasur ofertë nga një anëtar i SHIK-ut në Llap (L.G) për të vrarë shqiptarë, ma ka thënë troç: Po, madje më janë ofruar para të majme, por unë nuk kam pranuar të vras njerëz të LDK, sepse i di, i njoh dhe e di mirë sa kanë punuar për Kosovën! Apo, spiunë të SHIK-ut, gajtë viteve 2000-2004, të deklarojnë haptas, që edhe nëse të vrasim, do të të vrasim në pikë të ditës…Gjëra që i ke marrë pa habi, por pa pasur guxim për ti lajmëruar ata njerëz në polici. Sepse aty ka qenë gjithnjë dikush, që i ka përcjellë informacionet te SHIK…dhe pastaj vaj halli! Të vinte thirrja anonime, në shtëpi vinte letra kërcënuese se ishe trathtar dhe pastaj nënkuptohej se të priste plumbi…Por ne kemi heshtur, s’kemi dashur të besojmë se urrejtja dhe ndytësia e kësaj strukture të SHIK do të shkojë deri aty…Por, të kthehemi te çështja e deklarimeve. Lideri i AAK Ramush Haradinaj, duke qenë i kujdesshëm në deklarimet e tij, ka shprehur habi për mosveprimin e menjëhershëm të organeve të rendit.”Drejtësia në Kosovë nuk është duke vepruar si duhet...Sa i përket DVD-së së djeshme është një ngjarje, po them e ndjeshme për Kosovën në të gjitha dimensionet e mundshme…Nuk ka logjikë që njeriu në qendër të qytetit ose të kryeqytetit, me thënë që kamë bërë këtë dhe këtë dhe ai me vazhdu lirshëm, ka deklaruar Haradinaj. Urdhëroni lexues të dashur dhe krahasoni vetëm këto tre deklarata, por duke i lexuar edhe Azem Sylën e Fatmir Xhelilin, sepse Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli ende nuk kanë nxjerrë za…Shiheni se sa do të veprojë “drejtësia” e Thaçit, nëse Kermabo me sensin francez, nuk shpikë ndonjë “fake CD” nëse arrin ndonjë ujdi me Nazim Bllacën për t’u heshtur puna…?! Një proces ka nisur! Nëse do EULEX-i, mund t’ia ndërrojë kahen historisë së Kosovës. Që ajo dhe qytetarët e saj, vërtetë ta ndiejnë aromën e lirisë dhe ta prekin dritën dhe diellin që krijojnë hapësirë zhvillimi e prosperimi! Pyetja e përmasave tej jetësore është: Pse ne nuk dëshmojmë!? A mos jemi shndërruar të gjithë në vrasës ngase përditë e vrasim të vërtetën në sytë e fëmijëve tanë në të cilët aq gënjeshtërisht betohemi?! “Kurrë mos u gjet nëse është shqiptar”, ka thënë Jusuf Gërvalla. Afrim Maliqi ka pohuar më drejt për atë gjëmën që e panë e na i hapën sytë me gisht, Ai vetë, Enveri e Xhema. “Kaherë na kanë vrarë tradhtisht, dhashtë Zoti të shpëtojnë fëmijët, me ta Liria dhe Atdheu”, ka shkruar Afrim Maliqi...Por se a është shpëtuar sot Atdheu e Liria kjo mbetet dilemë derisa nuk lirohemi nga urrejtja dhe derisa ka plagë të pashëruara, derisa nuk dëshmojmë dhe derisa nuk japim përgjigje në pyetjen kush vrau dhe pse…!? Në atë çka po ndodhë në Kosovë, dilema që të shtrëngon fort është: a do të mund të mbesim gjallë ne?! Që një ditë ta themi tregimin për të gjithë ata që na i vrau një dorë e zezë, për të cilën duhet që së paku fëmijëve t’ua themi të vërtetën e dhimbshme.

A thua si të ruhet shpirti që të mos humbet e vërteta?! Por për cilën të vërtetë bëhet fjalë, në një vend ku njeriu e thotë një të vërtetë për krimet, flet për urdhërdhënësit që drejtojnë Parlamentin apo Qeverinë…ku të gjendet durimi, mbështetja për të ngarendur për të vërtetën e prekshme dhe rrëqethëse në të njëjtën kohë! Deri kur do t’u besojmë atyre që po na vrasin në pikë të ditës?! Apo që po na vjedhin e zhvatin pandalshëm dhe përsëritshëm, në pikë të ditës?! Kemi humbur aq shumë dinjitet sa që të mos e dallojmë të mirën nga e keqja?! Sepse ka vrasje të pa ndriçuara, fëmijë jetimë dhe mungesë dashurie e harresë të padurueshme…!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat