Integrimi në Be për shqiptarët nuk është bashkim kombëtar!

Opinione

Integrimi në Be për shqiptarët nuk është bashkim kombëtar!

Nga: Dr. Muhamet Aliu Më: 28 prill 2010 Në ora: 15:39

Duket e pabesueshme nganjëherë, por është e vërtetë. Edhe qeveritarët kanë dalë nga populli. Po pra, disa nga pjesa më popullore e popullit. Mënyra patriarkale e të jetuarit e gjeneratës së mesme ia mundësoi një zhvillim relativisht të mirë në dy drejtime: mundësoi mbajtjen dhe financimin e brezit më të ri familjar për shkollim, në njërën anë; dhe, ndikoi në ruajtjen e vlerave tradicionale, kombëtare e popullore, në anën tjetër.

Ishin këto dy atribute që me të vërtetë e fisnikëronin rininë. Pushtetarët kolonialistë serbo-jugosllavë këto zhvillime i shihnin si rrezik, dhe për këtë arsye, me ndihmën e disa vendorëve përpunonin forma të veprimit në mënyrë që ky zhvillim maksimalisht të zvogëlohej. Në funksion të kësaj filluan përjashtimet prej shkollave, përndjekjet, burgosjet, diferencimet ideopolitike, ndarja në të ndershëm e të pandershëm e të tjera.

Edhe përkundër vështirësive të shumta, karvani ecte. U krijua një gjeneratë e përgatitur mjaft mirë profesionalisht dhe e edukuar drejt tradicionalisht. Kuptohet që pastaj kjo gjeneratë do të ishte bartëse e zhvillimeve shoqërore në Kosovë. Në rrethanat e reja demokratike u mundësua që udhëheqësit t’i zgjedhë populli. Pra, të dalin nga populli.

Modestia, thjeshtësia, mënyra e komunikimit me popullin, përgatitja shkollore e të tjera, krijojnë optimizëm të arsyeshëm në opinion.

Gradualisht fillon “thurja”. Janë këto në fillim thurje të buta, duke filluar nga “ato me kravata”, tërheqja në koluare të ngushta, mandej kjo thurje forcohet me truproje, këto vinë duke u shtuar, me përcjellës për familjarët e tyre, me vetura me dritare të padukshme, deri te thurja e hekurt në automjete të blinduara, e kështu me radhë. Duke e ulur komunikimin me masat, tanimë fillon shikimi nga lart.

Çfarë shihet nga kjo lartësi?

Një masë e tërë njerëzish që merren me punët e përditshme, që duhet të jenë të mirë e të sjellshëm, t’i kryejnë obligimet ndaj shtetit, të mos ankohen kur për një certifikatë të lindjes, për një certifikatë kurorëzimi ose për ta regjistruar një automjet të kërkohen edhe pesë dokumente të tjera, të cilat diku lëshohen, e diku tjetër vulosen, kur i shtohet edhe sjellja burokratike e nëpunësve (eja sot, eja nesër), nuk mjafton një javë për ta nxjerrë një dokument.

Injoranca shtohet kur në fjalimet e tyre janë aq të papërgjegjshëm; sikur ky popull nuk di çfarë po ndodh rreth tij e më larg. Po harrojnë se në këtë masë njerëzish janë edhe ish-shokët e tyre të shkollës. Tash artistë, piktorë, gazetarë, sociologë, psikologë, mjekë, profesorë, kuadro shkencore, mandej, bujq e mjeshtër të mirë, të papunë që lexojnë e të tjerë e tjerë. Mundohen të na bindin se si toleranca ndaj krimit është zero, megjithëse nuk dimë për ndonjë rast të gjykuar për keqpërdorim ose korrupsion. Mandej, sikur kemi rritje ekonomike të kënaqshme në shkallë vendi, përmirësim të gjendjes energjetike, arsimim të reformuar, e të tjera.

Edhe tani, kur janë të lënduara në masë të madhe vlerat etike, morale e kombëtare, për shkak të kondicionimit patriotik, po na flasin për “bashkimin kombëtar,” për të cilin aq shumë po punojnë, dhe i cili do të ndodhë kur ne dhe të tjerët rreth nesh, do të integrohemi në bashkimin evropian”.

Integrimi evropian ofron shumë favore, për ne dhe të tjerët. Por duhet ta kuptojmë drejt. Integrimi në BE për shqiptarët nuk është bashkim kombëtar!

Bashkimi Evropian është asociacion i bashkimit të shteteve komb, jo bashkim i qytetarëve në shtetin evropian. Sipas këtij rregulli, si do të shpjegohej prania në BE e qytetarëve shqiptarë jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme. Si do ta quajnë Kosovën anëtare të bashkimit evropian, shtet i cilit komb? Multietnik? Pastërtia etnike në Kosovë është 94%!

Shqiptarët e Maqedonisë, të Kosovës Lindore, të Malit të Zi e të tjerë automatikisht do të kalonin në pakica etnike të këtyre shteteve, anëtare të Bashkimit Evropian.

Nga kjo del se hyrja në BE e shteteve ballkanike ofron lehtësira të mëdha, në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe kapitalit, por e çimenton edhe më shumë, çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan.

Do të ishte e ndershme që forcat politike dhe intelektuale në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoni të akordohen në funksion të formimit të shtetit-komb, i cili do të ndihej komod në BE. Komod do të sillej, edhe në rast se një ditë ky bashkim vullnetar i shteteve evropiane do të shpërbëhej.

Frazeologjia e përditshme kastës politike shqiptare (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) se bashkimi do të ndodhë në Bruksel, në kuadër të bashkimit evropian, të sjellë në dilemë: Janë këta injorantë apo mashtrues?. Apo edhe njëra edhe tjetra? Nuk po më pëlqen të besoj!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat