Italia dhe Shqipëria

Opinione

Italia dhe Shqipëria

Nga: Saba D’Elia Më: 7 maj 2010 Në ora: 17:46

Migracioni shqiptar ka tashmë një formë të re, që karakterizohet gjithnjë e më shumë si “rrethore”. Në këto dy dekada janë ndërthurur mekanizma virtualë, të cilët duke lehtësuar flukset e informacioneve dhe njohuritë e ndërsjella, kanë fuqizuar lidhjet midis dy komuniteteve.

Zbarkimet e para të shqiptarëve në brigjet italiane në vitin 1992 përfaqësuan një pikë kthese në konceptimin e fenomenit të emigracionit në Itali. Imazhet e transmetuara drejtpërdrejt në televizionet kryesore ndryshuan perceptimin që kishin italianët për fenomenin e migracionit: Italia ishte shndërruar përfundimisht në një vend imigrimi dhe jo më emigrimi. Në gjuhën e përditshme shqiptarët zunë vendin e qytetarëve që vinin nga zona maghrebine dhe në perceptimin kolektiv u imponua stereotipi i klandestinit që mbërrin në brigjet italiane me varka të sajuara, shpesh viktima të trafikantëve të paskrupullt. Në atë moment filloi të ndjehej hyrja e qytetarëve të vendeve të huaja si një proces i pashmangshëm dhe afatgjatë, të cilit do t’i duhej të bënte llogaritë me historinë dhe me një sistem ekonomiko-social tashmë të globalizuar.

Ardhja e shqiptarëve në Itali përbën në një farë mënyrë, paradigmën e migrimeve bashkëkohore. Në fillim të viteve ’90, prania e shqiptarëve në Itali ishte perceptuar më shumë si një kufizim sesa një burim, edhe në dritën e ngjarjeve që e përfshinë këtë komunitet. Imazhet e atyre zbarkimeve dramatike në vitet nëntëdhjetë, janë gjithsesi të largëta dhe ato histori kanë shijen e ngjarjeve tashmë të kaluara. Edhe pse bëhet fjalë për komunitetin e dytë, pas atij rumun, dhe për pasojë komuniteti i parë jashtë BE-së në Itali (sipas të dhënave të fundit nga Karitas, komuniteti shqiptar që jeton në Itali është i përbërë nga rreth 440 000 persona), koha ka lejuar integrimin e tij në sistemin ekonomik dhe social italian, duke e larguar nga dimensioni fillestar i emergjencës: komuniteti shqiptar është komuniteti i parë studentor i huaj me rreth 20.000 studentë në universitetet italiane dhe 84 mijë nxënës në shkolla dhe për më tepër 20.000 janë bizneset e regjistruara që drejtohen nga shqiptarët. Që prej atyre zbarkimeve të para në fillim të viteve ’90, migracioni shqiptar ka pësuar ndryshime të mëdha. Në fakt, migracioni shqiptar ka tashmë një formë të re, që karakterizohet gjithnjë e më shumë si “rrethore”. Në këto dy dekada janë ndërthurur në fakt, mekanizma virtualë, të cilët duke lehtësuar flukset e informacioneve dhe njohuritë e ndërsjella, kanë fuqizuar lidhjet midis dy komuniteteve.

Pikërisht dukuria e kthimit vullnetar është një nga temat kryesore që do të adresohen në 5 dhe 6 majin e ardhshëm, gjatë një bashkëbisedimi stimulues mbi temën e migrimit në Shqipëri, me titull “Italia dhe Shqipëria 2010: Migrimi mes Integrimit, Kthimit dhe Zhvillimit”, realizuar falë bashkëpunimit me ACLI - Ipsia, Karitasin italian dhe Ambasadën Italiane në Tiranë, në sezonin e eventeve “Italia dhe Shqipëria 2010 - dy Popuj, një Det, një Miqësi”, organizuar po nga kjo ambasadë. Fenomeni migrues shqiptar paraqet karakteristika të veçanta për shkak të afërsisë politike, historike dhe kulturore me Italinë dhe ky bashkëbisedim në të cilin do të marrë pjesë edhe Presidenti i Dhomës së Deputetëve Italianë, Gianfranco Fini dhe Kryetarja e Parlamentit Shqiptar Znj. Jozefina Topalli, moderuar nga gazetari Bruno Vespa, do të jetë një mundësi për të propozuar një reflektim mbi marrëdhëniet dhe shkëmbimin e vazhdueshëm kulturor, ekonomik dhe njerëzor, prodhuar nga përvojat e migrimit midis dy vendeve. Migrimi duhet domosdoshmërisht të kuptohet si një proces. Vëmendja duhet të përqendrohet në vendet e nisjes, por edhe në ato të mbërritjes, në gjendjen e atyre që largohen dhe të atyre që kthehen, por edhe të njerëzve që mirëpresin të ardhurit. Këto janë premisat në të cilat do të zhvillohet debati “Italia dhe Shqipëria 2010: Migrimi mes Integrimit, Kthimit dhe Zhvillimit”.

Të nxisësh integrimin do të thotë të vlerësosh kapitalin migrues, i kuptuar kryesisht si rritje e aftësive profesionale dhe rrjeteve relacionale, duke e njohur emigrantin si burim si për komunitetin e origjinës, ashtu edhe për atë ku ka mbërritur. Sa më shumë të jetë i integruar një person dhe sa më shumë të marrë pjesë në jetën e komunitetit në të cilin është ingranuar, aq më shumë është në gjendje të ndërtojë veprime me ndikim pozitiv në vendin e origjinës. Në këtë këndvështrim, kthimi vullnetar mund të lexohet si një fazë e mundshme e një rruge të suksesshme me trajektore rrethore dhe si një forcë shtytëse e dëshirueshme. E për këto arsye është e rëndësishme të identifikohen veprime konkrete për të mbështetur trajektoren rrethore të rrugës së migrimit dhe për të vlerësuar përvojat dhe aftësitë e fituara në Itali dhe Shqipëri.

(Autori është Ambasador i Italisë në Shqipëri)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat