Gjurma e Lulëzim Bashës tek arritja e 8 nëntorit të vizave

Opinione

Gjurma e Lulëzim Bashës tek arritja e 8 nëntorit të vizave

Nga: Nga Lavdrim Lita Më: 10 nëntor 2010 Në ora: 16:35

Në veprën "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, humanisti i mesjetës Marin Barleti mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve. Me stilin e gjallë dhe elegant me të cilin shkruan Barleti dëften fare mirë ngase vinte fuqia e pashtershme luftuese e Gjergj Kastriotit. Ai shkruan se burimi i forcës kalorësiake të pinjollit të Kastriotëve vinte kryesisht nga aftësia e tij strategjike për të bashkuar fuqinë e princërve Muzaka, Topia, Zaharia, Spani e Balshaj dhe për të adresuar forcën e tyre drejt një qëllimi të përbashkët. Kronika mesjetare na mëson se “bashkimi” dhe “qëllimi i përbashkët” ishin dy mekanizma që ndezën makinën luftuese të Skënderbeut kundrejt ardhës së pushtuesve otomanë, çka u sollën bashkësisë shqipfolëse fitore ushtarake, morale dhe politike.

Mirëpo dikotomia fitimtare në “bashkim” dhe “qëllim të përbashkët” ka shtyrë në sukses jo vetëm personazhe madhështore të së kaluarës, por edhe aspirantë të tashmes. Është aktuale paradigma mishëruese e bashkimit si një strategji e përbashkët. Mjaft të kemi parasysh Ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha, një ndër figurat e mazhorancës që është investuar me mish e shpirt në liberalizimin e vizave të shqiptarëve. Me një llaf ai përfaqëson imazhin e përvojës dhe sigurisë nëpërmjet idesë së bashkimit në një qëllim të përbashkët. Prania e tij e djeshme përkrah kolegëve europianë ishte një simbolikë që transmetonte siguri dhe seriozitet. Ai është një politikan që bind. Padyshim buzëqeshja e tij xhentile ftonte në optimizëm fisnik qindra-mijëra qytetarë se dita e lëvizjes së lirë po vjen.

I datëlindjes 1974, Lulëzim Basha është një nga politikanët që të ardhmen e ka të pritshme. Koha ka punuar për të dhe për të ardhmen e tij politike. I diplomuar për Juridik në Universitetin e Utrechtit në Holandë, ai ka punuar më parë në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krimet në Jugosllavi, si dhe në administratën e OKB-së në Kosovë. I afruar me PD-në në 2005, ai u bë një nga liderët e KOP-it, kësaj risie liberale në politikën e djathtë shqiptare, falë prezencës imponuese të vizionit dhe oratorisë së tij. Komiteti i Orientimit të Politikave përkundër atyre që e përbuzin nga smira ka qenë prova më e dukshme se rinia mund të aktivizohet në politikë dhe mund të transformohet në një dinamo të rëndësishme reformash. Gjatë legjislaturës 2005-2009, Basha u imponua si protagonist i politikës shqiptare si Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit nga viti 2005-2007, kur ndërmori ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, e cilësuar si Rruga e Kombit që bashkoi trevat shqiptare. Më pas si Ministër i Jashtëm në 2007, ai do t’i jepte një shtysë krejt tjetër bashkimit të Shqipërisë në aleancën perëndimore të NATO-s. Si Ministër i Jashtëm u tha homologëve, se Shqipëria e tij e meriton. Punoi me pasion për Rrugën e Kombit, dhe tani ka meritë të jashtëzakonshme në liberalizimin e vizave. Këto nuk janë pak. Lobimi i tij në kancelaritë e oksidentit cyti interesin ndaj reformave dhe arritjes së standardeve. Prapë ideja e “bashkimit” funksionoi për qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në NATO. Pas bashkimit në organizatën më të madhe të sigurisë botërore, një tjetër sfidë e priste Shqipërinë. Ku liberalizimi i vizave ishte epiqendra e agjendës së qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Berisha për të bashkuar plotësisht vendin me kontinentin mëmë, Europën. Një tjetër sfidë e priste delfinin e Berishës për të siguruar praninë e kërkesës së Ministrave të Brendshëm të BE-së. Këtë ai e realizoi me vendosmëri. Sepse në të gjitha postet ku ka drejtuar, është shquar për energji, korrektësi dhe rezultate të pakundërshtueshme. Ai ndoqi deri në imtësi detyrimet shtetërore për liberalizimin e vizave, dhe për këtë i duhet dhënë e njohur publikisht një meritë të veçantë. Fushata sqaruese, që ka njohur si protagonist Ministrin e Brendshëm, ka qenë e dobishme. Qytetarët shqiptarë, në përgjithësi, e kanë të qartë se çfarë do të përfitojnë nga heqja e vizave dhe ku janë vijat e bardha ku duhet të kalojnë. Shqiptarët do të synojnë të nxjerrin maksimumin nga rrëgjimi i ri i lëvizjes së lirë. Nga ana tjetër, ka pak gjasa që ata të bien në pozitat e shpërdorimit të kësaj të drejte.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat