Çekuilibri i Ramës vjen nga heqja e vizave

Opinione

Çekuilibri i Ramës vjen nga heqja e vizave

Nga: Bledi KASMI Më: 11 nëntor 2010 Në ora: 01:51

Nuk do të jetë e lehtë për Ramën që në ditët dhe muajt e ardhshëm të përballojë lehtësisht të gjithë koston politike të kundërvënies ndaj procesit të heqjes së vizave. Nervozizmi i shfaqur dje në konferencën për shtyp do të jetë më i shpeshtë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Sa më shumë që të afrohet dita e zgjedhjeve lokale, aq edhe më të çekuilibruar do ta shohim kreun e PS-së.

Rama do të paguajë koston e një politike tërërisht amatoreske. Me dhjetra politikanë europianë e kishin paralajmëruar Ramën që të mos e shndërronte në një proces politik liberalizimin e vizave, por ta konsideronte ashtu sikurse Brukseli një proces teknik. Ata i kërkuan votimin e një sërë ligjesh të rëndësishme, për ta bërë opozitën pjesë të atij procesi. Me kokëfortësinë që e karakterizon, Rama bëri të kundërtën. Që ditën e parë që Parlamenti nisi të votojë detyrimet e kërkuara nga BE-ja për heqjen e vizave, ai i urdhëroi deputetët e tij të votojnë kundër. Ky qëndrim nuk ndryshoi përgjatë të gjithë viteve që Parlamenti strukturoi të gjithë reformën e heqjes së vizave.

Rama besoi shumë tek një dështim i qeverisë. Ai e minoi procesin dhe arriti deri aty sa në majin e këtij viti të synonte edhe destabilizimin e vendit, me paramilitarë të paguar për të shkaktuar trazira. E gjitha kjo bëhej në një moment vendimtar, ku grupi i ekspertëve të Komisionit Europian monitoronte përmbushjen e kritereve shtesë, të vendosura për heqjen e vizave gjatë vitit të kaluar.

Rruga e zgjedhur nga Rama, e nxori opozitën zbuluar në sytë e opinionit, si një pengesë në heqjen e vizave. Ai e përjashtoi atë nga përfitimet që mund të dilnin prej këtij procesi. Nga një çështje teknike, Rama e shndërroi procesin e liberalizimit të vizave në një betejë të pastër politike. Në datën 8 nëntor, ai pa të shkatërruar si një kala prej rëre të gjithë ngrehinën e tij politike. Rama e humbi bastin politik të liberalizimit të vizave. Dhe ky mund të jetë basti, i cili do ta nxjerrë përfundimisht atë nga politika. Ndryshe nga pranimi i Shqipërisë në NATO, procesi i liberalizimit të vizave është shumë herë më i ndjeshëm për opinionin. Rama i kundërshtoi të dy këto procese, por atë që do të vuajë më gjatë është ai i heqjes së vizave, sepse ky është një proces shumë herë më i prekshëm dhe përfituesit janë aq të shumtë, sa edhe socialistët do t'ia bëjnë "haram" votën që i kanë dhënë deri dje. Shqiptarët nuk kanë harruar dhe nuk e harrojnë izolimin e Enver Hoxhës, aq më pak kanë për të harruar përpjekjet e Ramës për të zgjatur akoma më shumë atë izolim.

Kryetarit të PS-së do t'i duhet të kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës me argumentin qesharak se ishte Evropa që ia hoqi vizat shqiptarëve dhe aspak reformat e qeverisë, megjithëse vetë Evropa po thotë të kundërtën. Është i njëjti argument që ai servirte edhe me anëtarësimin në NATO, megjithëse edhe Presidenti amerikan dhe drejtuesit e NATO-s thonin të kundërtën.

Rama ka humbur kartën e kredibilitetit përpara zgjedhësve të tij. Ata që e besonin se kartat e identitetit janë të falsifikuara, tani mbajnë radhë të gjatë për t'u pajisur me këto karta. Ata që i frymëzonte duke u thënë se pasaportat biometrike nuk kanë elementët e sigurisë, sot kanë prerë kuponat për t'u pajisur brenda 48 orëve. Ata që i gënjeu se do të bënte revolucionin proletar për marrjen e pushtetit me dhunë me qëllim të pengimit të procesit të heqjes së vizave, sot kanë prenotuar biletat e avionëve për t'u nisur me pushime në të katër anët e Evropës.

Ditën që Rama do t'u duhet t'u bëjë thirrje mbështetësve të deridjeshëm për të zhvilluar "protestën e radhës, të paparë ndonjëherë" do të duhet që lajmërimet t'i nxjerrë në rrugët e Romës, Parisit, Berlinit, Bonit... Do t'i duhet të bredhë si "çifuti në shkretëtirë" dhe do t’a ketë shumë të vështirë për t'i gjetur, që t'i gënjejë sërish.

Ushtarët e deridjeshëm të gardës së tij revolucionare, sot janë njerëz të lirë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat