Kontributi i Ramës për vizat

Opinione

Kontributi i Ramës për vizat

Nga: Majlinda BREGU Më: 12 nëntor 2010 Në ora: 01:35

Jemi një mazhorancë që përveçse pasqyron sot gëzimin e ligjshëm të një kombi të tërë, që ka bërë realitet ëndrrën e vjetër të lëvizjes së lirë në Europë, prezantohet politikisht para zgjedhësve, e aftë të përmbushë premtimin kryesor elektoral: liberalizimin e vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Ky ishte një nga premtimet tona kryesore, politikisht, sigurisht që do ta prekim sot, nesër, në fund të vitit, vitin tjetër, në zgjedhjet e ardhshme, se sigurisht kemi arsye për t'u ndjerë mirë dhe krenar. Sepse nuk bëjmë thirrje, demagogji rruge në shi, pa shi, para Parlamentit, kryeministrisë; mund të vazhdoni të bëni protesta pa fund sepse keni zgjedhur të bëni vetëm një gjë në një vit e gjysmë histori, vetëpërjashtimin nga arritja e procesit më të madh të qytetarëve.

Meqë po diskutohet, spekullohet, lexohet raporti apo opinioni i Komisionit Europian, po përsëris, nuk ka arsye për asnjë nga ne për t'u ndier i trishtuar sot. E para, sepse qytetarët shqiptarë kanë zgjedhur të jenë të gëzuar, ndryshe nga ju që nuk mund të gëzoni, sepse mezi prisni të jeni të shqetësuar; dhe e dyta, sepse edhe në atë raport që ju po përpiqeni ta shihni vetëm me syze të errëta, është raporti që në krahasim me raportet e tjera që kanë mbërritur në Shqipëri gjatë këtyre viteve, vlerëson në mënyrë absolute reformat e ndërmarra. Në asnjë raport tjetër që KE-ja i ka dërguar Shqipërisë, nuk ka pasur vlerësime positive për kuadrin institucional, ligjor, për iniciativat dhe reformat e ndërmarra. Nuk ka pasur asnjëherë vlerësime më pozitive për situatën makroekonomike dhe standardet e të drejtat e njeriut, që në këtë raport cilësohen si të dallueshme qartë dhe gjerësisht të kënaqshme. Këto janë premtimet që një qeveri u jep qytetarëve. Nëse në raport thuhet që situata makroekonomike në Shqipëri është stabël, që administratata ka një kuadër ligjor institucional që vjen duke u përmirësuar, që rrogat dhe pensionet në këtë vend janë rritur, pavarësisht ndikimeve të krizës ekonomike, që Parlamenti shqiptar pa ndihmën dhe kontributin tuaj ka votuar ligje të rëndësishme që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e imazhit për të drejtat e njeriut, siç është ligji i antidiskriminimit, ju duhet të ndiheshit po kaq mirë sa edhe ne, sepse në fund të fundit një qeveri matet me atë çka prek qytetarët, jo me debatin që ju kërkoni të ndërtoni dhe të konsumoni në Parlament.

Unë po iu lexoj kontributin tuaj të munguar në procesin e liberalizimit të vizave:

Gjatë miratimit të ligjit "Antimafia" në dhjetor 2009, të ligjit të ri "Për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja për çështje kriminale", kusht për liberalizimin e vizave, ju nuk ishit të pranishëm; në miratimin e ligjit "Për mbrojtjen ndaj diskriminimit", në shkurt 2010 ju nuk ishit të pranishëm, ndryshe nga pritshmëria jonë që do ta miratonit; sërish, ligji për Policinë Gjyqësore u miratua pa konsensusin e opozitës në korrik 2010; po e përsëris të gjitha këto ligje ishin kushte të roadmap-it për liberalizimin e vizave.

Epo se çfarë tjetër mund të bëni ju veç bojkotit të ligjeve duke mos dhënë kontributin tuaj për këtë proces, unë nuk di. Nëse ju e mendoni kontributin tuaj me greva urie, me bllokim, me bojkot të gjatë Parlamenti, me bllokim të votimit të rezolutave për Shqipërinë. Nëse ju e keni lidhur kontributin tuaj me sloganin tuaj të qershorit 2010 "hap kutitë, të çlirohen vizat", mendoj se sot e keni kuptuar shumë mirë. Gjeni mënyra për të hapur mendjen tuaj, se vizat u çliruan, kutitë tuaja fatkeqësisht sa herë të kërkoni cenim të ligjit, nuk do hapen.

Kemi një opozitë me axhendë pa busull brenda së cilës i vetmi shënim është "zhurmues dhe kundërlajm", sa herë që ka ngjarje të mëdha. Duke iu referuar vetëm ngjarjeve më të freskëta, atyre të vitit të fundit dhe duke "harruar" bilbilat në Parlament para anëtarësimit në NATO apo sulmin që nisi në vigjilje të procesit të pajisjes me pasaporta biometrike: kjo opozitë u ngjujua 2 javë në mes të bulevardit, në kohën që komisionerja Malmstrom pritej të deklaronte vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen dhe pak minuta pasi ky vendim u mor, lideri i opozitës Edvin Rama shkroi një letër, ndoshta nga më qesharaket në histori për nga nonsensi i saj, ku i kërkonte Komisionit Europian të mos pengonte shqiptarët të lëviznin pa viza në hapësirën Shengen, përpos krizës politike që kishte si skenarist atë vetë. E theksoj, këtë e bëri pasi u mor vendimi.

Këto janë fakte dhe mbeten në histori. Shpresoj dhe besoj që ka brenda opozitës një segment deputetësh që mund dhe duhen të ndërgjegjësohet për funksionin e tyre politik, atë të pjesëmarrjes dhe votimit të ligjeve të caktuara në Parlament dhe në mënyrë të veçantë të kursejë oponencën për ligje të rëndësishme, që lidhen direkt me proceset madhore integruese të vendit.

Ne si mazhorancë e kemi bërë ofertën tonë, ajo është një dhe e patjetërsueshme, kompromis në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, sepse jemi të bindur që kjo është rruga e vetme që na çon me dinjitet drejt Europës, dimensionet e së cilës janë vijëzuar vetëm të diktuara nga ligji dhe jo pazaret apo interesat partiake. Kjo është Europa ku aspirojmë të shkojmë, ndaj ftoj opozitën të reflektojë për të dhënë pjesën e saj kontributore në një proces që nuk do të njohë kthim, ai i integrimit të vendit në BE.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat