Shkodra, jo më e harruar

Opinione

Shkodra, jo më e harruar

Nga: Jozefina TOPALLI Më: 3 dhjetor 2010 Në ora: 02:13

Historia e Shkodrës është një histori e njohur mirë nga të gjithë ata që kanë jetuar në Shkodër, që dinë për Shkodrën dhe që kanë lexuar për Shkodrën. Qyteti i Shkodrës dhe pjesa e NënShkodrës kanë një pozicion gjeografik të tillë, ku derdhen një numër shumë i madh lumenjsh, përrenjsh, burimesh nëntokësore, që fillojnë nga malet e Shqipërisë, që vijnë nga Maqedonia, nga Mali i Zi, poshtë Bosnjë -Hercegovinës: me Cemin, me Moraçën, me lumin e Shalës, me lumin e Bunës, me lumin e Drinit, me Përroin e Thatë dhe me shumë lumenj të tjerë.

Ndoshta është i vetmi qytet, i rrethuar nga lumenjtë që derdhjen e tyre e kanë në basenin e NënShkodrës. Kësaj rrethane i duhen shtuar kushtet meteorologjike, të cilët ku prej dy muajsh rreshjet nuk ndalen, të paktën që nga 5 tetori, kur jo Shkodra, jo liqeni, jo NënShkodra, jo qyteti, jo komunat e Nënshkodrës, por Boga që është malësi, është përmbytur nga një përrua, që ishte tërbuar dhe çau dheun, çau kodrat, çau malin.

Veç këtyre liqeni i Shkodrës është në kuotat e tij më të paimagjinueshme për sa kohë unë kam jetuar në atë qytet. Pak herë më ka takuar të shikoj liqenin e Shkodrës deri në nivelin e urës së Bunës, gjë që tregon se situata është jashtëzakonisht e rënduar. Natyrisht, të gjithë ujërat që vijnë diku do të derdhen, derdhen në liqen, derdhen në Bunë, ku ajo bashkohet me Drinin dhe pastaj kalon nëpër komuna, nëpër fshatra, nëpër qytet.

Të gjitha ata që thonë se është hera e parë apo e dytë që është përmbytur Shkodra, gënjejnë, po ama gënjejnë keq. Shkodra është përmbytur përherë. Dhe për këtë ka foto në arkiva, për këtë shikoni te fototeka "Marubi". Për këtë ka shkrime, histori. Shkodra gjithmonë është përmbytur, jo deri te hyrja e saj, siç është sot, por edhe në Piacë. E mbaj mend unë gjatë këtyre viteve. Te shkolla "Jordan Misja", te Dugajt e Reja.

Shkodra është përmbytur çdo vit, historikisht, në shekuj, por ka një fakt se kur u përmbyt vjet, për herë të parë në histori shkoi atje një ministër, pastaj një ministër i dytë, një i tretë dhe para gjithë këtyre ministrave shkoi Kryeministri i vendit. Kjo është çudia. Shkodra është përmbytur përherë, por kurrë nuk ka ardhur kush në Shkodër. Shkodra është përmbytur përherë, por kurrë ushtri nuk ka pasur në Shkodër, kurrë polici nuk ka pasur në Shkodër, kurrë nuk ka pasur vëmendje. Shkodranët gjithmonë kanë qenë të braktisur në fatin e tyre, në përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetën, për të shpëtuar fëmijët, për të shpëtuar gjënë e gjallë.

Ajo që u bën çudi qytetarëve të Shkodrës është se si ka mundësi që mbledhja e Qeverisë të bëhet në Shkodër. Ajo që i habit qytetarët është se si ka mundësi që janë të gjithë në Shkoddër. Kur ka ndodhur kjo? Sa jam bërë unë kaq, kurrë nuk kam parë ndonjë qeveri në Shkodër. Në gjithë këto vite unë nuk kam parë ndonjëherë seri para një viti ministër në Shkodër, që të vijë për përmbytjet.

Po, po, kam parë Shkodrën e përmbytur unë, me Piacë, me Dugajt e Reja, me Dugajt e Vjetra, me lagje të vjetra, me lagje të reja. Të gjitha të përmbytura. Janë hedhur mbi 3000-3500 metra kubë ujë nga hidrocentralet. Nuk kemi folur, kemi thënë kjo është kaskada, ky është Drini. Nuk kanë ku e hedhin, do të vijë në Shkodër. Kurrë ata qytetarë nuk kanë kërkuar përqindje mbi prodhimin e energjisë, as në vitet e para, as kur ishit ju në pushtet, asnjëherë. Por për herë të parë ai qytet është ndryshe nga vitet e mëparshme.

Zoti Ruçi, kërkove llogari? Kujt? Ju, zoti Ruçi t'i kërkoni llogari Shkodrës? Për kur i kërkoni llogari? Llogarinë e 45-ës kur pushkatuat, kur burgosët, kur e shkatërruat? Llogarinë e kujt kërkoni ju në Shkodër, ndaj nesh? Llogarinë e 91-it, asaj që ju mbeti në mes? Mos shpresonit se do ta vazhdonit? Kujt i kërkoni llogari ju për Shkodrën, ju që në 97-ën e dogjët, e poqët, e përmbytët, e shkatërruat?

Kurrë ndonjëherë ai qytet me 2 mijë vjet histori nuk ka parë momente më të vështira, pas viteve '45-'46-'47 e deri në vitet '90 sesa në vitet '97-2005. Ai qytet ishte shndërruar në Kandahar. Të shkoje në atë qytet gjeje vetëm terr. Të shkoje në atë qytet, gjeje vetëm gropa. Unë pyesja kryetarin e bashkisë: More, të kanë sjellë ndonjëherë 100 mijë lekë të vjetra? Jo, kurrë. Kur i çuan një herë 1 milion euro, iu duk çudia më e madhe. Si ka mundësi? I çuan qytetit të Shkodrës 1 milion dollarë. Çfarë kishte ndodhur? Kurrë nuk kishte pasur fonde për Shkodrën, kurrë nuk kishte pasur investime për Shkodrën, kurrë nuk kishte pasur financime për Shkodrën. Kishte pasur vetëm terr, 18 orë në 24 orë. Por shkodranët kurrë nuk ju konsideruan armiqtë e tyre. Asnjëherë.

Në fakt gjendja ishte edhe më keq se kaq. Nuk ishte shtruar asnjë rrugicë, as Piaca, as hyrja e dalja e liqenit. Ishte më keq se Kandahari.

Kur dilja nga Shkodra, kishte vetëm terr, ishte burg, ishte trishtim, ishte ankth. Dhe unë i thosha vetes se ky qytet nuk bëhet më kurrë. Sado që të përpiqesh për këtë qytet, ky qytet nuk mund të rikthehet më kurrë. Por në fakt Shkodra u kthye, zoti Ruçi.

Por para se t'ju drejtohem ju, do t'i drejtohem atij kryetarit tuaj. Kur është marrë vendimi për heqjen e vizave, ai ishte i verdhë dhe djersinte. Ishte i nxirë dhe djersinte. Kurse sot nuk djerinte, as nuk ishte i verdhë, ishte i çliruar. Erdhi përmbytja! Ai, Edvin Rama, ka urdhëruar të jepet në lajme se një fëmijë tremuajshe vdiq nga të ftohtit dhe nga uji që i kishte hyrë në shtëpi. Turp! Ky është turp!

Unë jam nënë. Kam dy fëmijë. Ju jeni nëna, baballarë dhe keni fëmijë. Si mund të shpifet për jetën e një fëmije tremuajshe që në të vërtetë nuk kishte vdekur? E transmetonin me orë të tëra, me urdhër. Fëmija tremuajshe vdiq. Pyeta në spital dhe më thanë se nuk ka të vdekur. Pyeta drejtorin, nuk ka të vdekur, pyeta një infermiere: ka një fëmijë, që është prej disa ditësh i shtruar në spital, është shumë rëndë, por nuk ka vdekur. Pastaj lajmi u dha sikur fëmija kishte vdekur në trupin e nënës, që paska qenë shtatzanë dhe jetonte te Lagjja e Romëve.

Unë dua të falënderoj prefektin e Shkodrës zotin Maxhid Cungu, që është atje gjithë kohën, natë e ditë, kryetarin e bashkisë së Shkodrës kryetarët e komunave të Shkodrës, por mbi të gjithë dua të falënderoj Kryeministrin Berisha, që jo dje, jo pardje, por që prej 2 muajsh u qëndron gjërave mbi kokë për të parë se çfarë do të ndodhë, edhe kur ndodhi në Bogë, edhe kur ndodhi më poshtë, në liqen, te lumenjtë, te Valbona, Drini, te Ashta, te Thethi, Moraça, Përroi i Thatë e tek të gjithë me radhë. Ka ndjekur çdo sekondë kuotat, çfarë mund të bëhej.

Unë falënderoj Qeverinë për investimet që ka bërë për argjinaturën e Çasit të Velipojës. U hodhën para. U hodhën edhe për argjinaturën e Dajçit. Kurse gjatë kohës suaj zero lekë, në Velipojë zero lekë, në Dajç zero lekë, në Obot zero lekë, po kështu në Gurin eZi.

E di çfarë ju kërkoj juve sonte? Që të votoni buxhetin. Është buxheti i Shkodrës dhe i shqiptarëve. Në qoftë se e keni seriozisht, votoni! Amendamentet janë, janë projektet për Shkodrën, për Bunën, për argjinatura të tjera, për hapje kanalesh. Është vazhdimi i projekteve të premtuara një vit më parë, të filluara një vit më parë dhe që do të vazhdojnë.

Sa për Bunën, ai është projekt i vështirë, është projekt që kushton. Është e vërtetë. 100 vjet më parë Buna ishte e lundrueshme, nga Buna bëhej tregti, kalohej në det dhe vazhdonte tregtia me gjithë pjesën tjetër. Do ta bëjmë të lundrueshëm, por kushton. Unë jam e sigurt që gjatë këtij mandati ne do ta bëjmë të lundrueshëm Bunën. Jo se ajo nuk do të përmbytet prapë, ajo është përmbytur gjithmonë, është përmbytur dhe përsëri do të përmbytet, por të paktën ne bëjmë një masë dytësore që do të ndihmojë për të kufizuar.

Do të bëhet bypass-i i Shkodrës, që shërben si argjinaturë. Kushton shumë. Jashtëzakonisht shumë. Rrini këtu dhe ta votojmë! Mos ikni! Përndryshe do të ishte e rëndë për ju.

Folët për lumenjtë në përgjithësi. Ju jeni politikanë që shikoni mediat. Sa të vdekur ka në Gjermani? Thuajeni! Ka të vdekur në Spanjë? Thuajeni! Në Shkodër jo. Ka të vdekur në Itali, thuajeni! Në Shqipëri jo.

Shikoni Teveren në Itali! Nuk i mbajnë argjinaturat, shikoni Danubin, është përmbytur në të gjithë gjatësinë, nëpër të gjitha shtetet ku kalon. Shqipëria nuk është Gjermania, megjithatë ne nuk kemi asnjë të vdekur. Shqipëria nuk është Franca, megjithatë nuk kemi të vdekur, Shqipëria nuk është as Spanja, as Çekia, as Austria, as si vendet e tjera të fuqishme, megjithatë ne nuk kemi të vdekur.

Unë ju kërkoj të votoni buxhetin, të gjitha projektet që ndihmojnë Shkodrën, të gjitha projektet që ndihmojnë shqiptarët kudo që janë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat