Shtete pa sekrete? Çfarë utopie!

Opinione

Shtete pa sekrete? Çfarë utopie!

Nga: Nga Qemal Sakajeva Më: 12 dhjetor 2010 Në ora: 13:54

Media të lira, ka e do të ketë. Shtete pa sekrete, s’ka e s’do të ketë. WikiLeaks, nëse lufton me “Fjala është e lirë”, të bëhet sistem kundër censurës, që buron rrjedhjen lumë të dokumenteve të rezervuara, për qeverisje pa dokumente shtetërore sekrete, ajo ka ndërmarrë një luftë për utopinë.

S’do mend që, ka pasur vende, të cilat, po të mundnin, dhe të qenë të sigurta se do të shpëtonin pa pasoja, Kullat Binjake do t’i kishin gjuajtur me raketa të distancave të largëta, me kohë e me vakt, edhe para 11 shtatorit 2001. Por ato u goditën me bomba gjigande rrethanore - aeroplanë të rrëmbyer prej aeroporteve amerikane, të mbushur me plot udhëtarë e karburant. Pas sulmit kundër fuqisë më të madhe botërore ishte Al - Kaeda dhe njëshi i saj, arabi i gruntë Bin Laden, një gjatosh thatim, me vështrim të mprehtë, mjekër të gjatë, kallash hedhur mbi sup për rripi, duke ecur në një shkretinë shkëmbore, ndoshta për në shpellat e maleve të larta Tora Bora. Dhe ende nuk është prangosur.

S’do mend që, ka plot shtete, të cilat, po të mundnin, dhe të ishin të sigurta se do të dilnin pa u lagur, do të përvidheshin brenda arkivave sekrete amerikane, para se t’i shkonte në mend WikiLeaks. Por ato u çkyçën me mjete po aq rrethanore - kompjutera dhe nga një editor i faqes së internetit. Është WikiLeaks dhe njëshi i tij, australiani Julian Assange, një mesoburrë me pamje intelektuale, pa vështrim të egër, lëkurë bardhoshe, flokë të butë, që nga Bunkeri 007 gjigand, 100 metra nën tokë, në parkun Vita Berg të Suedi, nxorri sheshit sekrete të fuqisë botërore, ruajtur me teknologji të sofistikuar. Dhe vu në pranga në Londër, pas akuzës për dy raste abuzimi seksual.

Si sulmi terrorist me aeroplanë mbi Dy Kullat amerikane dhe sulmi kibernetik mbi Sekretin amerikan, janë sfida, gati të pabesueshme, kundër SHBA: i pari t’ia cënonte fuqinë, Fuqisë më të madhe të Botës, duke e goditur që nga brenda territorit të vet; i dyti të llangosë imazhin, e Demokracisë më të zhvilluar të Botës, duke ia nxjerrë përfushë të fshehta, që nga thellësia e fshehtësisë së vet. Po, aq saç ishte e pamundur të gjunjëzohej SHBA, me goditjet me aeroplanë të rrëmbyer, aq e pamundur është zhbërja e fytyrës dhe brendisë së demokracisë së SHBA, me publikim të dokumenteve qe ajo i kishte klasifikuar “secret”.

Duhet besuar që, SHBA nuk ka pasur dëshirë të përhapeshin shumica e atyre mijëra dokumenteve, pasi politika dhe qeverisja e kësaj faze të zhvillimit njerëzor, nuk është e kohës së drejtimit të shteteve pa mbajtur sekrete.

Duhet dyshuar që WikiLeaks ka synuar transparencën si mision, edhe pse i mëshon fort kësaj fjale e qëllimi, e pëlqyeshme sidomos nga keqpërdoruesit, idealistët, të parakohshmit dhe kundërshtarët. Të gjitha sofizmat për transparencë të plotë, afërsisht sikur bota duhet të organizohet dhe veprojë me shtete që drejtohen pa sekrete, janë vetëm utopira, si të shoqërive para Nuhut, domethënë “ëndrra në diell”. Sekrete ka pasur, ka dhe do të ketë, siç njeriu - individ, domosdoshmërisht shpall gjëra dhe fsheh gjëra. WikiLeaks duket nuk e duron dot politikën e SHBA, të fshehtat e rezervuara dhe fuqinë e dukshme të saj, dhe i goditi ato me transparencën si mburojë kundërshtimi. Vende e qoshe të botë gjallojnë nga kundër-amerikanizmi, të cilët përdorin fjalën, parullat, bombat. Ndoshta, për SHBA nuk është kushedi se çfarë publikimi i atyre dokumenteve, se sa i bën ato nervoze lehtësia e përdorur për t’ia sulmuar simbolet, me aeroplanë - fuqinë, me kompjutera - fshehtësinë. Kjo është çështja: që pas 11 shtatorit 2001, SHBA bënë gjithçka për të mos u përsëritur diçka e ngjashme si 11/9. Dhe nuk ka ngjarë më në gati një dhjetëveçar më pas. Me grabitjen e qindra mijëra dokumenteve, SHBA do të gjejnë mënyrën për t’i ndry ato edhe me fort. Dëmtimi më i madh i SHBA do të ishte vënia e këtij supershteti në pozicionin politik - e vetme kundër të gjithëve.

Por, në çfarë thuhet mbi, çfarë shpallet për, dhe çfarë lexohet nga, s’ka asgjë për t’u çuditur: zyrtarë të lartë, të mesëm, të ulët, qofshin të SHBA a të çdo shteti tjetër, japin gjykime vetjake mbi politika e personalitete, e kjo nuk përbën kurrfarë habie apo dyfytyrësie, sepse politikës së vendit tënd i flet troç. Në Shqipëri ka një thënie qyshkur nuk dihet: “Fjalët e shtëpisë nuk nxirren në rrugë”. Zyrtarët amerikanë i kanë shërbyer shtetit të vet dhe ata nuk i kanë thënë gjërat kafeneve. Nuk përbën folklorizëm për kohët moderne, nëse përqaset shteti gjigand me qelizën e shoqërisë: kur nisesh të futesh në një shtëpi, duhet të thërrasësh nga jashtë portës; ose t’i biesh ziles; ose të kesh telefonuar që më parë. Atë që futet në oborr pa thirrur, e kafshon qeni. Ai që përvidhet brenda dhomave, ndëshkohet si grabitës.

Gjithë ky zhvillim teknologjik i hatashëm përdoret edhe për luftë të kundërtash - njëri për transparencë të plotë të gjithçkaje, tjetri për fshehtësi të plotë të diçkaje. Transparenca ka ardhur duke u bërë edhe më e gjerë ndër njerëz dhe çështje. Por sekreti ka mbetur edhe më i thellë në zyra, i ruajtur me teknologji të sofistikuar. WikiLeaks mëtoi të bëjë heroin e radhës për lirinë e medias e në shërbim të demokracisë duke u përballur me gjigandin e botës, për të pakuar zullumin e qeverive. SHBA përbëjnë fuqinë më të epërme, edhe në saj të të fshehtave që për të janë të domosdoshme. Por SHBA janë SHBA nga politika e hapur e nuk janë të tilla nga dokumentet sekrete. Sepse gjithçka ka kohën e vet. Komunizmi dështoi se ishte një utopi si mendim dhe katastrofë si veprim. Transparenca pa skaj dështon sepse është një utopi si qëllim dhe bëhet dëmtues si veprim.

Shtete pa sekrete? Këto ende nuk gjenden në botën tonë që quhet Tokë. Kur thuhet “Fjala është e lirë” - dhe duhet të jetë e lirë, kjo ka të bëjë me lirinë e shprehjes, e nuk ka të bëjë me zhvatjen e dokumenteve të rezervuara, pronë e patjetërsueshme e tjetërkujt. Mjekë pa kufij ka e duhet të shtohen. Reporterë pa kufij ka e të mos pengohen. Regjime pa viza ka e të zgjerohen. Media të lira ka e s’duhet të censurohen. Por shtete pa sekrete s’ka pasur, s’ka e s’do të ketë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat