Durrës-Kukës, përfundon njëra urë e autostradës

Ekonomi

Durrës-Kukës, përfundon njëra urë e autostradës

Më: 1 gusht 2009 Në ora: 14:03

Ka përfunduar këto ditë ndërtimi i urës më të madhe të autostradës Durrës - Kukës - Morinë, duke u vënë në funksion të automjeteve. Ajo lidh brigjet e fshatrave Përbreg dhe Shtiqën në Rexhepaj mbi lumin Luma dhe ka një gjatësi prej rreth 400 metrash, ndërsa është 60 metra e lartë.

Ura përbën një korsi të autostradës me dy kalime dhe ka zëvendësuar urën e vjetër të uzinës së bakrit të ndërtuar në vitet ‘60, e cila me parametrat shumë modestë ishte bërë pengesë e madhe për qarkullimin. Segmenti Rrëshen – Kukës - Morinë ka gjithsej 37 ura, nga të cilat 27 të ndërtuara nga "Bechtel-Enka" dhe 7 nga "Granit" (ku bën pjesë pikërisht ura në fjalë).

Dy të tjera janë në proces ndërtimi në segmentin Kolsh-Kukës, ndërsa një tjetër sapo është montuar. Në ditët e zakonshme në këtë rrugë lëvizin rreth 8-9 mijë mjete, ndërsa në fundjavë fluksi arrin deri në 13 mijë automjete.

Ndërtimi i urave në segmentin Kukës-Morin ka zgjatur 3 vjet dhe është shoqëruar në mjaft raste me probleme, duke sjellë shtyrjen e afateve në kontratë. Puna duhet të ishte përfunduar në shkurt të vitit 2008.

Vlera fillestare e kontratës ka qenë pak më shumë se 10 milionë dollarë, ku u përfshinë 7 ura, në një terren deri diku edhe problematik për strukturën gjeologjike. Me përfundimin e urës shkurtohet distanca në 14 km nga 16 km që ishte para ndërtimit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat