Berisha: Tender ndërkombëtar për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës

Ekonomi

Berisha: Tender ndërkombëtar për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 14 tetor 2009 Në ora: 14:33

Kryeministri Berisha vlerëson se unaza e madhe e Tiranës përbën një nga domosdoshmëritë më të mëdha infrastrukturore të vendit. Kryeministri Sali Berisha kërkoi që "brenda këtij viti, të pregatitet tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncension të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës".

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë vuri në dukje se "unaza e madhe e Tiranës përbën një nga domosdoshmëritë më të mëdha infrastrukturore të vendit".

Tirana, tha Kryeministri, "është një nga qytetet me sipërfaqe rrugore më të vogël në Europë dhe në botë". Kryeministri informoi se "nëse standardi urbanistik për qytetin është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore, gjë që sjell vështirësi të jashtëzakonshme me rritjen e trafikut".

"Tirana nuk ka industri të mëparshme që të ndotin ajrin, si TEC-e dhe industri kimike, por ka ndotjen më të lartë nga automjetet, ndaj dhe ndërtimi i unazës së madhe përbën një domosdoshmëri të madhe", tha Kryeministri Berisha. Sipas tij "gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e krahut veriperëndimor dhe perëndimor të unazës së Tiranës". Duke e konsideruar ndërtimin e uanzës së madhe si jetike për kryeqytetin, Kryeministri Berisha u shpreh se "në 2 vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm në kryeqytet. Ashtu siç ndodhi me trafikun që solli ndërtimi i Korridorit të Kombit, edhe ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të sjellë një trafik të paparshikueshëm që kësaj radhe bie direkt në Tiranë", tha Kryeministri Berisha. Duke kërkuar përgatitjen sa më shpejtë të tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e kësaj unaze, Kreu i ekzekutivit u shpreh se "në këtë tender duhet të përcaktohen si përparësi madhore 2 segmente nevralgjike të kësaj unaze. Unaza mund të shkoj edhe mbi 30 km dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi, kjo është një vepër shumë e madhe. 2 janë segmentet më nevralgjike në të cilat duhet të fillojnë më shpejt punimet: segmenti Ura e Brarit-Kthesa e Kamzës ose Ura e Limuthit, pasi nëse kalohet nga Ura e Limuthit, qyteti i Kamzës përfundimisht shmang çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar. Segmenti tjetër është trajetkorja që merr unaza në krahun e Saukut", tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "do të kërkohet bashkëpunimi me të gjitha qeveritë vendore, me qeverinë vendore të Farkës, të Dajtit, të Paskuqanit, të Kamzës dhe të Tiranës".

Qeveria miraton vendimin për krijimin e një sporteli unik në portet dhe pikat e kalimit kufitar

Kryeministri kërkoi përcaktimin e rregullave të qarta për zbatimin e këtij vendimi, sikundër procesi të mbikëqyret me rigorozitet. Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e një sporteli unik për kontrollin e qytetarëve, vendas e të huaj, në pikat e kalimit doganor dhe në porte. Kryeministri Berisha tha se ky vendim do të thjeshtojë dhe lehtësojë shumë punën në pikat tona të kalimit kufitar. “Nga 4 - 5 ndalime që u bëheshin qytetarëve vendas e të huaj që hynin në pikat tona kufitare, tani do të ketë vetëm një pikë ndalimi. Dogana dhe policia bëhen së bashku në një pikë të vetme dhe kjo e thjeshton punën”, tha Kryeministri.Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha dhe Ministri i Financave Ridvan Bode që të përcaktohen rregulla të qarta për zbatimin e këtij vendimi, sikundër procesi të mbikëqyret me rigorozitet.“Duhet të përcaktoni rregulla shumë të qarta në zbatimin e tij, në mënyrë që efekti i vendimit të fillojë menjëherë. Në këtë mënyrë, ne nuk po bëjmë asgjë tjetër vetëm atë që vende të tjera e kanë bërë dhjetëra vite më parë. Ndaj ky është një vendim shumë i dobishëm”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat