Qeveria dorëzohet, nuk i kundërpërgjigjet Serbisë

Ekonomi

Qeveria dorëzohet, nuk i kundërpërgjigjet Serbisë

Nga: BOTA SOT Më: 14 shkurt 2009 Në ora: 00:17

Qeveria është treguar e pafuqishme për të ndërmarrë masa reciprociteti në tregti ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Përveç zemërgjerësisë së krijuar për humbjen disa miliona eurosh brenda muajit për ekonominë e Kosovës, qeveria nuk po jep asnjë argument se Kosova është e pavarur dhe sovrane.

Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave bënë të ditur zyrtarisht të enjten se nuk do të ndërmarrin masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës, duke braktisur kështu qëndrimin kritik dhe të ekspertëve për t’i dhënë frymë sovranitetit dhe mundësi zhvillimi prodhimtarisë vendore, që edhe ashtu gjendet në pozita diskrimnuese me vendet anëtare të CEFTA-s, për shkak të shkallës shumë të lartë të importit.

Mallërat e Kosovës që eksportohen jashtë vendit që nga 3 dhjetori po bllokohen të shiten brenda Serbisë dhe Bosnjës dhe po ashtu nuk po u lejohet as kalimi andej. Qeveritarët thonë se nuk duan të hyjnë në një garë të atillë “të dështuar” nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina. Për ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, reciprociteti nuk do t’i zgjidhte problemet me ato vende.

“Sa i përket embargove, janë mënyra të cilat nuk kanë sjellë lumturi te popujt e këtij regjioni, por vetëm ngatërresa. Qeveria e Kosovës ka një filozofi konform sjelljeve të qytetëruara”, thotë minstri Shala.

Por, ai tregohet i kujdesshëm në deklarimin e tij, duke ua lënë mundësinë e marrjes së vendimit për reciprocitet, në duart e qytetarëve. Ai thotë se qytetarët me sjelljet e tyre dhe në të mirë të vendit të vet, do ta bëjnë përzgjedhjen më të mirë dhe më të përgjegjshme për produktet që ata konsumojnë.

Ministri Shala thotë se në bashkëpunim me ndërkombëtarët, qeveria është duke shkuar drejt realizimit të qëllimit, për eksportimin e produkteve të Kosovës në këto dy vende.

“Ne do t’i përzgjedhim rrugët e fundit diplomatike, do t'i përzgjedhim të gjitha mënyrat që të mos luajmë me lojëra të vjetra dhe të mos biem në grackat që disa mendje të krisura në Ballkan ende i përdorin. Por, nëse këto mënyra nuk rezultojnë me rezultatet, do të veprojmë si shtet”, thotë ministri.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se qeveria është tërhequr nga presioni i ndërkombëtarëve. “Qeveria e Kosovës, edhe këtë radhë, këtë vendim e ka shtyrë, për shkak të presionit ndërkombëtar që është bërë ndaj institucioneve tona. Por, ky presion nuk është i drejtë, pasi që një presion i tillë do të duhej të bëhet për të dyja palët dhe jo vetëm për kosovarët”, thotë Shahini.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat