Bode paraqet në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në buxhetin e shtetit

Ekonomi

Bode paraqet në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në buxhetin e shtetit

Më: 12 korrik 2010 Në ora: 16:06

Pas përcaktimit në Konferencën e Kryetarëve të kalendarit për shqyrtimin e ndryshimeve në buxhet, Komisioni për Ekonominë dhe Financat i filloi sot shqyrtimin e projektligjit “Për disa Ndryshime në Ligjin nr 10. 190 datë 4.12.2009 “Për Buxhetin e Vitit 2010”.

Ndryshimet u prezantuan përpara Komisionit nga Ministri i Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode. Bazuar në kërkesën e Komisionit Evropian për të bërë kujdes me menaxhimin e buxhetit, si dhe nëpërmjet përdorimit racional të stimujve fiskalë, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e eksporteve për të gjitha produktet shqiptare, duke përfshirë edhe industrinë vendase. Bode nënvizoi se kjo e rritje e eksporteve shoqëruar me rritjen e importeve në nivelin 8% ka sjellë për rrjedhojë përmirësimin e ndjeshëm të bilancit tregtar dhe bilancit të pagesave. Më tej, Ministri i Financave nënvizoi se është regjistruar rritje e investimeve të huaja direkte, që është evidentuar edhe nga Banka e Shqipërisë. Përsa i takon rritjes së të ardhurave, Ministri sqaroi se kjo rritje ka qenë konsistente me 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë rritur me 24%.

Bode vuri në dukje se për 6 mujorin e ardhshëm parashikohet një ulje e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, ndërsa do të mbetet e paprekur, madje do të kenë rritje shpenzimet për pagat dhe pensionet nga 2% deri në 12%. Duke vijuar me prezantimin e objektivave të Qeverisë, Ministri i Financave theksoi se synohet të ruhet niveli i borxhit aktual në 59.9% me tendencë rënieje deri në nivelin 54%. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar që deficiti vjetor të jetë në nivelin 3,5%, Ministri Bode siguroi se deficiti do të mbahet në kufijtë e 3,1% të PBB-së përgjatë 6-mujorit në vijim, ndërsa po ulet vazhdimisht kostoja e borxhit publik.

Qeveria, nënvizoi ndër të tjera Ministri i Financave, sjell ambicien e saj për të stabilizuar parametrat makroekonomikë me qëllim krijimin e një klime të favorshme që nxit mbështetjen ndaj biznesit privat. Zoti Bode garantoi se nuk ka asnjë vështirësi në borxhin publik dhe s’ka probleme në kontraktimin e borxheve të reja. Ndryshimet në buxhet, sipas Ministrit të Financave favorizojnë mbështetjen e biznesit dhe ekonomisë reale përballë sfidave të krijuara nga kriza ekonomike globale.

Komisioni vijoi me pyetje për Ministrin Bode që kishin të bënin kryesisht me metodologjinë e llogaritjes dhe menaxhimit të buxhetit, rekomandimet e FMN-së, niveli i realizimit të të ardhurave nga pushteti vendor, reformën në skemën e sigurimeve shoqërore, ndikimin e rritjes së akcizave, etj.

Përfaqësuesit të opozitës gjatë diskutimeve u shprehën skeptikë në lidhje me shifrat e parashikuara nga Qeveria për nivelin e realizimit të të ardhurave, deficitin buxhetor, borxhin publik, etj. Gjithashtu ata kërkuan dhëna më të detajuara mbi zëra të caktuar të buxhetit, si dhe zhvillimin e seancave dëgjimore me drejtues të institucioneve të ndryshme në varësi të qeverisjes qendrore, por edhe të instituticioneve të pavarura në lidhje me ndryshimet në buxhet.

Pasi iu përgjigj pyetjeve, në fund të fjalës së tij, Ministri i Financave garantoi se të gjitha të dhënat e paraqitura dhe objektivat e përcaktuara janë të garantuara dhe të bazuara në ecurinë e ekonomisë së vendit. Sipas zotit Bode, Shqipëria ka qenë vendi me performancën më pozitive në rajon dhe rasti i Shqipërisë konsiderohet si histori suksesi nga të gjitha instituticionet financiare ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat