Kosova po humb miliona euro nga embargoja e Serbisë

Ekonomi

Kosova po humb miliona euro nga embargoja e Serbisë

Nga: Ismail Shabani, BOTA SOT Më: 8 mars 2009 Në ora: 17:07

Kanë kaluar tre muaj që prodhuesit vendor janë përballur me një problem shumë të madh, atë të bllokimit të prodhimeve për në Bosnje dhe vendet tjera dhe kalimit nëpër Serbi. Kjo bllokadë po e dëmton me miliona euro prodhuesit vendor dhe mund të zvogëloj numrin e punëtorëve. Sipas Myzejene Selmanit, kryetare e Komisionit për Ekonomi dhe Tregti në Kuvend të Kosovës, thotë se në Qeverinë e Kosovës janë disa mosmarrëveshje për mos marrjen e ndonjë vendimi lidhur me mos zbatimin e nënshkrimit të marrëveshjes së CEFTA-s.

Do të vendosin me kohë!

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Komisioni Evropianë është duke u marr në mënyrë adekuate për t’iu përgjigjur bllokimit të mallrave nga ana e Serbisë. “Kjo është një çështje politike, por Kosova e ka një qasje integruese të hapjes e jo një qasje të bllokimit. Ne në kohën e duhur do të kemi një përgjigje adekuate, e cila do jetë e konsultuar dhe e koordinuar me partnerët ndërkombëtar aq më parë me Komisionin Evropian”,-thotë zëdhënësi Krasniqi. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk është duke e heshtur problemin e mos zbatimit të nënshkrimit të marrëveshjes se CEFTA-s. Sipas tij, nuk qëndron se Qeveria e Kosovës, është duke heshtur këtë problem.

Ndërsa, Myzejene Selmani, kryetare e Komisioni për Tregti e Industri në Kuvendin e Kosovës, thotë se ata si komision kanë marrë vendim që të rekomandoj ministrinë e Tregtisë e Industrisë përkatësisht qeverinë e Kosovës të ndërmarrin urgjentisht veprime reciprociteti ndaj vendeve që nuk e respektojnë Marrëveshjen e CEFTA-s. Ajo thotë se marrëveshja e CEFTA-s është një marrëveshje e nënshkruar në të cilën mund të ndërhyhet më kërkesën e ndonjë anëtari. “Rekomandimi për veprime reciprociteti është marrë nga fakti se marrëveshja e CEFTA-së nuk po respektohet nga disa anëtarë e posaçërisht nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”,-tha kryetarja e komisionit, Myzejne Selmani. Sipas saj, kjo është një marrëveshje e gjallë dhe ajo duhet këtë marrëveshje ta konfigurojë në çështjen e Republikës së Kosovës, pra duhet të zyrtarizohet se Kosova ka qenë një shtet i pavarur, atëherë ka qenë në administrimin e UNMIK-ut, UNMIK-u ka dhënë kompetencat dhe Qeveria e Kosovës duhet të ndërmerr hapa. “Qeveria e Kosovës është duke e heshtur këtë problem dhe nuk është duke ndërmarrë masa të reciprocitetit. Sipas burimeve tona, faktori ndërkombëtar nuk dëshiron të ngutet me masat e reciprocitetit, por sugjeron zgjidhje diplomatike. Por, Selmani nuk pajtohet me këtë. “Nuk kisha me thënë faktori ndërkombëtar. Sepse pas 17 shkurtit kompetencat janë në duart e qeverisë. Pas 17 shkurtit nuk njihet më UNMIK-u, por Qeveria e Kosovës”, thotë Selmani.

Në Qeveri mosmarrëveshje

Selmani, pohon për gazetën “Bota Sot” se në Qeveri janë disa mosmarrëveshje për mos marrjen e ndonjë vendimi lidhur me bllokimin e mallrave të Kosovës nga ana e Serbisë. Sipas saj, CEFTA nuk është vetëm problem i Qeverisë së Kosovës, por është i gjithë partive politike. “Ne kemi kërkuar nga MTI-ja që të sjellin raportin në komisionin për Ekonomi lidhur me humbjet e shkaktuara nga mos zbatimi marrëveshjes së lirë dhe ky komision të jap vizën për diskutim në Kuvendin e Kosovës”, thotë Selmani, duke shtuar se ka premtim nga Ministri i MTI-së se do të sjellë raportin në Komision. “Për neve si nënshkrues të marrëveshjes nuk është duke u zbatuar marrëveshja e CEFTA-s, ndërsa me kompanitë serbe lidhen kontrata për punën në Korporatën e Energjetike të Kosovës. Për mos funksionimin e marrëveshjes së CEFTA-s ne po i shpërblejmë kompanitë serbe”,-thotë Selmani. As anëtari i Komisionit nga radhët e LDD-së, Berim Ramosaj, nuk beson se faktori ndërkombëtar bën presion mbi Ministrinë e Tregtisë e Industrisë që të mos ndërmerren masat e reciprocitetit. “S’na kanë thanë, ende nuk dua me paragjykuar, faktori ndërkombëtar nuk ka ndërhyrë ende në këtë proces... nëse i ka thënë ministrit faktori ndërkombëtar ai duhet të del para qytetarëve të Kosovës të thotë kjo çështje është e UNMIK-ut apo e EULEX-it dhe nuk është çështje e imja dhe ne e arsyetojmë, ne në fakt jemi ka e fuqizojmë Qeverinë e Kosovës”,-thotë Ramosaj. Kryetari i Institutit GAP, Shpend Ahmeti, thotë se kanë kaluar tre muaj dhe mund të themi se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. “Koordinimi me Brukselin kuptohet behët me bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo Institucionet e Kosovës duhet t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të Kosovës. Në atë moment që ka bllokim të mallrave duhet të merren masa e reciprocitetit dhe kjo është e vetmja që kemi kërkuar”, thotë Ahmeti, duke shtuar se produkte tona tash e tre muaj nuk kanë qasje në tregjet e Bosnjës dhe të Serbisë, ndërsa produktet e tyre kanë qasje dhe në të njëjtën kohë as që po mundemi të takohemi në CEFTA, tha ai. Sipas tij, Brukseli duhet të bëjë presion ndaj Bosnjës dhe Serbisë ose Qeveria e Kosovës duhet të merr masa reciprociteti. Po të merreshin masat e reciprocitetit në atë kohë Serbia menjëherë do të kishte ftuar takimin e CEFTA-s. Nga 3 dhjetori i vitit të kaluar prodhuesit vendor janë ballafaquar me problemin e parë në tregun e Bosnjës, me mos njohjen e vulës së Doganave të Kosovës dhe është kërkuar vulë e UNMIK-ut. Ndërsa, prof. Dr. Safet Merovci, thotë se nuk duhet të merren masa të reciprocitetit, për arsye se Kosova është vend i vogël. Bashkim Osmani, nga fabrika “Laberion”, thotë se ka disa muaj që kjo fabrikë është përballur me një problem shumë të madh, atë të bllokimit të prodhimeve për në Bosnje dhe vendet tjera dhe kalimit nëpër Serbi. Kjo bllokadë po e dëmton me miliona euro këtë fabrikë dhe mund të zvogëloj numrin e punëtorëve. Drejtori, Osmani, tha se për në tregun e Bosnje Hercegovinës ishin interesuar shumë herët dhe deri tash prodhimet e “Laberionit” janë konsumuar me të madhe atje. “Tash pas bllokadës nga Serbia dhe Bosnja apo mosnjohja e vulave të Kosovës ne e kemi humbur një kontratë shumë serioze në vlerë mbi 1 milionë euro, të cilën nuk kemi mundur me realizuar për shkak të barrierave tarifore”,-thotë drejtori i fabrikës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat