PDK-AKR: Negociatat vazhdojnë në ditët e ardhshme

Kosova

PDK-AKR: Negociatat vazhdojnë në ditët e ardhshme

Më: 12 shkurt 2011 Në ora: 20:33

Pas rreth dy orë bisedimesh ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret takimi i drejtuesve të PDK-së dhe atyre të AKR-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës në lidhje me negociatat për formimin e koalicionit qeverisës. Derisa pas takimit zyrtarët e PDK-së nuk janë prononcuar për media, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se nuk heq dorë nga posti i presidentit, ndërkohë që bisedimet do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme.

Ai ka thënë se presidenca do të jetë në fushëveprimin e koalicionit të AKR-së dhe ka shprehur bindjen se do ta ketë postin e presidentit.

“Presidenca do të jetë pjesë e hapësirës së veprimit tonë, andaj bisedimet kanë qenë komunikative me respekt reciprok dhe ne do të vazhdojmë. Nuk është lehtë të formohet një qeveri funksionale dhe ne insistojmë që të jetë funksionale që do të punojë për qytetaret e Kosovës”, ka thënë Pacolli.

Duke mos dhënë detaje tjera të takimit me PDK-në, Pacolli ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë ditëve në vijim, pasi që siç është shprehur ai, për formimin e një qeverie funksionale duhet të sqarohen edhe shumë çështje tjera përveç postit të presidentit.

“Formimi i qeverisë me PDK-në gjegjësisht mes AKR-së dhe PDK-së është vullnet edhe i partisë fituese në këto zgjedhje, por edhe vullnet i plotë i AKR-së. Dua t’ju them se është edhe miratim i plotë i bashkësisë ndërkombëtare pa spekulime dhe kjo na jep një dëshmi tjetër që do të ketë një qeveri në mes këtyre dy partive “, ka thënë Pacolli.

Megjithatë, ai nuk pranoi që koalicioni PDK-AKR është një punë e kryer. Ai po ashtu theksoi se nuk është kërkuar ndonjë emër tjetër brenda koalicionit të AKR-së për postin e presidentit.

Ndërkaq, Muhamet Mustafa nga E 15, pjesë e koalicionit parazgjedhor me AKR-në, ka thënë se koalicioni ka propozuar Pacollin për president dhe nuk pranohet asnjë ofertë tjetër.

“Në atë fushatë ne kemi kandiduar zotin Pacolli për president të Kosovës dhe i gjithë koalicioni mbetet në këtë kërkesë dhe në këtë qëndrim “, ka thënë Mustafa.

Ndonëse ishte paralajmëruar edhe një takim i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës pas takimit me drejtuesit e AKR-së, ai nuk është mbajtur. Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se mbledhja do të mbahet nesër, kur edhe parashihet vazhdimi i negociatave me AKR-në për krijimin e koalicionit qeverisës.

AKR këmbëngul në postin e presidentit për të hyrë në koalicion qeverisës me PDK-në, përderisa kjo e fundit i ka kërkuar Pacollit të heqë dorë nga kjo kërkesë, duke i ofruar postin e zëvendëskryeministrit dhe atë të shefit të diplomacisë kosovare, si dhe udhëheqjen e tri ministrive.

Oferta e PDK-së është refuzuar nga AKR-ja, e cila dëshiron postin e presidentit, një zëvendëskryeministër, gjashtë ministri dhe gjashtë zëvendësministra, në të kundërtën preferon të mbetet në opozitë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat