AAK kritikon Qeverinë për procesin e regjistrimit

Kosova

AAK kritikon Qeverinë për procesin e regjistrimit

Më: 16 prill 2011 Në ora: 14:19

Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sërish kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, siç janë shprehur, për mos planifikim të duhur të regjistrimit të popullsisë, duke thënë se kanë pasur katër vite afat që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për këtë proces.

Në një konferencë për media të shtunën, anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se janë bërë shkelje në regjistrimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, regjistrimin e pasurisë së ekonomive familjare dhe se është vërejtur një qasje ndryshe ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë.

“Kjo tregon qartë se qeveria për pos pushtetit të vet nuk brengoset për asgjë tjetër aq më pak për ato që janë interes i qytetarëve të vendit. Janë bërë shkelje në regjistrimin e të rriturve, janë bërë shkelje në regjistrimin e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, nuk janë regjistruar madje as si qytetar jo rezident, në veçanti fëmijët që janë lindur jashtë vendit, janë bërë shkelje në regjistrimin e pasurisë të ekonomive familjare dhe po ashtu është bërë një qasje ndryshe ndaj qytetarëve shqiptar dhe ndryshe ndaj qytetarëve serb”, ka thënë Tërmkolli.

Për më tepër, Tërmkolli regjistrimin e popullsisë në Kosovë e ka quajtur edhe regjistrim mbi baza etnike, jo për shkak siç ka thënë ajo të decentralizimit që është bërë në baza etnike, por edhe qasjes jo korrekte të institucioneve të regjistrimit.

“Pse është gjendja në veri nuk ka faj regjistrimi i popullsisë, por as Enti i Statistikave, por pse ndërkombëtarët dhe në veçanti vendorët nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar këtë gjendje dhe vazhdimisht konfirmojnë ato struktura paralele është çështje e tyre dhe mbetet çështje e pazareve politike”, ka thënë Tërmkolli.

Sipas saj, problemi kryesor në regjistrimin e popullsisë qëndron në përgatitjet e dobëta që janë bërë rreth këtij procesi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat