Gjurmët e krimit serb: Vjollca Berisha, e mbijetuara e masakrës në Suharekë

Kosova

Gjurmët e krimit serb: Vjollca Berisha, e mbijetuara e masakrës në Suharekë

Më: 25 prill 2009 Në ora: 11:26

Gjurmët e krimit serb ende janë të freskëta. Të mbijetuarit e masakrave nga krimi më çnjerëzor, rrëfejnë për mizorinë e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë, të bërë gjatë kohës së luftës. Vjollca Berisha është njëra nga 2 dëshmitaret e vetme të gjalla, të cilat i kanë shpëtuar masakrës se paramilitarëve serbe, të cilët me 26 mars të vitit 1999 masakruan 48 anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka. Ajo rrëfen për ditën famëkeqe, të masakrës ku rropatjet e saj për të mbijetuar dhe për të shpëtuar jetën e të birit të saj, Gramozit, 8-vjec, kishte kërcyer nga furgoni me të cilin forcat serbe bartnin kufomat e të vrarëve. Ajo thotë se duke ikur nga furgoni, kishte shkelur edhe mbi trupat e pajetë të bashkëshortit, vajzës 16 vjeçe dhe djalit tjetër 14 vjeçar. “Ne jemi bërë si të vdekur, pasi të plagosur kemi qenë unë edhe djali. Kur na ngarkuan në kamionin me kufoma kam kthyer kokën nga fëmijët e mi dhe kam parë djalin, Gramozin, qe i kishte sytë hapur dhe nuk lëvizte. Me pas i thashë hajde kërcejmë prej kamionit, kështu edhe vepruam”, thotë e mbijetuara, Vjollca Berisha. Gjykimi për vrasjen e anëtareve të familjes, i cili u zhvillua në Beograd, nuk shëron plagët e dëshmitares se gjenocidit serb.

“Dënim me vdekje, se tjetër vendim s’ka. Ata po luajnë ende me eshtrat e fëmijëve tanë. Ne nuk kemi trupat e tyre dhe s’kemi asnjë varr për të shkuar për ditëlindjet e tyre”, shprehet Vjollca.

Ajo thotë se në mesin e të vrarëve, pos vrasjes se fëmijëve 9 muajsh, ka pasur gra shtatzëna e të moshuar 100 vjeçar.

“Ne kemi qenë rreth 50 veta ne një lokal, ku shumica ishin fëmije. Por kishte edhe një plakë 100 vjeçare”, shton Vjollca.

Ajo rikujton se pas ekzekutimit në mesin kufomave të vrara ka pasur persona të gjalle të cilëve nuk ka mundur t’iu japë ndihme. Mirëpo ajo ka arritur te shpëtoje djalin e saj Gramozin. Në muret e lokalit ku u bë masakra janë ende të freskëta gjurmët të cilat e tregojnë atë. Vendi në të cilin është kryer krimi mendohet te ruhet ashtu siç është ruajtur deri me tani, ne mënyre qe faktet e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosove të mbeten të freskëta për drejtësinë. Për të rikujtuar dhe për te mos e harruar kurrë masakrën mbi familjen Berisha, në qendër të qytetit të Suharekës është ngritur edhe një lapidar. Ende janë të freskëta kujtimet e krimit serb në Kosovë, në kontekst të të cilit mungojnë më shumë se 2000 persona të pagjetur. Plagën edhe më të madhe e rëndojnë provokimet e Serbisë, e cila jo vetëm që nuk ndëshkon kriminelët por vazhdon t’i mbrojë ata. Rasti i fundit i gjykimit të masakrës së Suharekës është vetëm provokim dhe nëpërkëmbje e plagëve të civilëve në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat