Si reagojnë partitë politike për Protokollin

Kosova

Si reagojnë partitë politike për Protokollin

Më: 12 shtator 2009 Në ora: 14:52

Partitë politike në vend kanë reaguar ndaj nënshkrimit të protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, për bashkëpunim në fushën policore, marrëveshje kjo që u nënshkrua pa pëlqimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Subjektet opozitare deklarojnë se një gjë e tillë është pritur pasi që institucionet e vendit qysh në fillim kanë qenë të njoftuara për aranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë dhe karshi këtij aranzhimi ato kanë luajtur vetëm rolin e spektatorit.

Ndryshe nga shumica e subjekteve politike, Aleanca Kosova e Re, këtë marrëveshje nuk e shehë si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Dardanisë e vlerësuan të dëmshëm nënshkrimin e protokollit EULEX-Serbi, ndërsa kritikuan qëndrimin e institucioneve të Kosovës në lidhje me këtë çështje, duke thënë se reagimi më shumë është bërë në formë deklarative se sa me veprime konkrete.

"Duke u nisur nga sjelljet po edhe nga veprimet e bartësve të institucioneve të Kosovës, ky vendim ka qenë i pritur, sepse deklarimet e tyre nuk janë bazuar në veprime konkrete. Do të thotë diçka tjetër flasin, por veprimet e tyre nuk përkojnë me realitetin", ka thënë Sejdë Tolaj nga LDD-ja.

Partia Reformiste ORA mendon se “nuk është hera e parë që pala kosovare të paraqitet si spektatore e jo si aktore për zhvillimet të cilat kanë të bëjnë pikërisht me Kosovën dhe nuk është në gjendje të sheh e aq më pak të parasheh mundësitë të përfitimin e Kosovës nga këto zhvillime”.

Në konferencën e sotme për shtyp, Teuta Sahatqija, kryetare e Partisë Reformiste ORA, tha edhe këto:

"Ky protokoll do të ndihmojë Serbinë për përshpejtimin e hapave për liberalizimin e vizave dhe afrimin me BE. Gjë e cila në kushte normale të fqinjësisë së mirë do të ishte inkurajuese edhe për ne, se do të na jepte shpresë se edhe ne në të ardhmen e afërt do t’i bashkëngjitemi familjes së madhe të BE-së. Por për të gjithë janë të njohura aktivitetet e Serbisë në pengimin e sovranitetit tonë, dhe afrimi i një fqinji me BE me orientim armiqësor ndaj nesh, do të thotë largimi i Kosovës nga këto procese të liberalizimit apo aderimit në BE".

Ndryshe nga partitë e tjera opozitare, Alenca Kosova e Re, nënshkrimin e protokollit ndëmjet EULEX-it dhe Serbisë nuk e shehë si të dëmshëm për Kosovën.

“Të jemi të sinqertë se për këto gjëra vendos Solana e jo ne. Duhet ta dijmë kauzën tonë nëpër të cilën po kalojmë. Nuk guxojmë të kundërshtojmë miqët tanë që na kanë ndihmuar gjatë kohëve të vështira që të arrijmë deri te liria dhe sovraniteti ynë”, kështu është shprehur, ndër të tjera, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat