Qindra qytetarë protestuan kundër marrëveshjes EULEX-Serbi

Kosova

Qindra qytetarë protestuan kundër marrëveshjes EULEX-Serbi

Nga: Ramiz Bojaj, Bota sot Më: 14 shtator 2009 Në ora: 12:57

Prishtinë-Në sheshin “Nënë Tereza”, para institucioneve qeveritare dhe atyre të EULEX-it, protestuan dhjetëra qytetarë të udhëhequr nga “Vetëvendosja”, duke iu kundërvi kështu marrëveshjes së protokollit të nënshkruar në mes të EULEX-it dhe Serbisë, marrëveshje në të cilën nuk është përfshirë Qeveria e Kosovës. Rreth 1 mijë qytetarë kanë protestuar sot kundër nënshkrimit të protokollit EULEX-Serbi. Përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare, të cilat organizuan protestën, kërkuan dorëheqjen e krerëve të institucioneve si dhe akuzuan misionin e EULEX-it se po dëmton sovranitetin e Kosovës. Protestuesit marshuan prej bibliotekës kombëtare deri te ndërtesa e qeverisë dhe EULEX-it dhe më pas u shpërndanë të qetë.

Protestës së 22 organizatave joqeveritare iu bashkëngjitën sot rreth 1 mijë qytetarë, të cilët shprehën kundërshtimin për nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Organizatorët e protestës akuzuan liderët e institucioneve të Kosovës, dhe Misionin e EULEX-it se po dëmtojnë sovranitetin e Kosovës. Liderit i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti duke iu drejtuar protestuesve para selisë së EULEX-it tha se ky mision nuk po punon në zhvillimin e Kosovës , por forcimin politik të Serbisë. Sipas Kurtit dy protokollet tjera, për dogana dhe gjyqësi janë edhe më të këqija sesa ai për bashkëpunim policor.

“Është e qartë ku shpie kjo rrugë. Kjo rrugë na çon drejt gjakderdhjeve të reja të cilat ne më së paku i duam”, ka theksuar Kurti.

Kurti akuzoi më pas liderët e institucioneve të Kosovës se nuk po bëjnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit për shkak të interesave të tyre personale.

“Ne jemi në këtë gjendje pikërisht se kemi politikanë që për asgjë nuk japin dorëheqje, se kemi politikanë duan poste dhe privilegje sa më të mëdha”, ka thënë Kurti.

Protestuesit u ndalën edhe para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe asaj të Qeverisë.

Igballe Rugova nga Shoqëria civile kërkoi dorëheqjen e liderëve të institucioneve të vendit.

“Ne e dimë shumë mirë se çka do të thotë miratimi i këtyre protokolleve. Sepse ne qytetarët po i bartim pasojat, e jo krerët e institucioneve. Prandaj kryeministër Thaçi jep dorëheqje, sepse ne po i bartim pasojat”, ka thënë Igballe Rugova.

Edhe Avni Zogiani nga organizata “Çohu” akuzoi liderët e institucioneve se kanë gënjyer popullin pasi njëherë e kundërshtuan protokollin dhe pastaj heshtën.

“Liderët kosovarë thanë se 6 pikshi ka vdekur, por protokollet EULEX-Serbi janë rezultat i këtij gjashtë pikshi. Pra ata po na rrejnë”, ka thënë Zogiani.

Protestuesve iu drejtua edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driatn Tali. Më pas protestuesit janë shpërndarë të qetë, ndërkaq edhe sipas policisë nuk ka pasur asnjë incident.

Protesta u organizua vetëm 2 ditë pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Protokolli mori mbështetjen e shumicës së vendeve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, pasi ato deklaruan se ai ka karakter teknik dhe nuk rrezikon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Slloganet

Protestuesit brohoritin slogane anti-qeveri dhe anti-EULEX, duke kërkuar me çdo kusht mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës në çdo cep të territorit të vendit tonë, pavarësisht se zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë garantuar institucionet shtetërore të Kosovës edhe popullin shqiptar se marrëveshja teknike ELEX-Serbi nuk cenon integritetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, theksoi se nga nënshkrimi i këtij Protokolli EULEX-Serbi, Policia e Kosovës do t’i shërbejë edhe Policisë së Serbisë “i cili protokoll ia cenon Kosovës sovranitetit dhe trash lidhjen me Serbinë”. Ai tha së fillimi i bashkëpunimit me EULEX-in nënkupton fillim të bashkëpunimit me Serbinë. “E ne nuk e duam këtë!”, tha ai. Ndërkaq, një tjetër parullë që ka renë në sy është edhe ajo, “Bac u KRYmb”. Në njërën nga pankartat që bie në sy në këtë protestë e cila do të filloj pas pak, shkruan: “T’shitunit po na shesin”. Ndërkohë, pjesëmarrësit mbajnë vetëm flamurin kombëtarë në duar dhe jo flamurin e Kosovës. Protesta nis nga BKUK për të përfunduar para selisë se EULEX duke formuar shkronjën “S”, e cila simbolizon fjalën sovranitet.Me famuj kombëtar dhe parulla të shumta, si "Bac u kry, e shitën Kosovën", "EULEX Made in Serbia", "Kosova në BE e jo nën BE", "Duam në BE, por jo me EULEX", "Protokollet i shtojnë dhe trashin lidhjet e Kosovës me Serbinë", etj, demonstruesit marshuan sipas trajektores së paralajmëruar drejt ndërtesës së Kuvendit dhe asaj të Qeverisë së Kosovës, derisa pika e dytë e ndalimit të demonstruesve ishte ajo para ndërtesës ku aktualisht ndodhet EULEX-i, ish-selia e UNMIK-ut.

Nga parullat e shumta, dominuan ato, si "Bac u kry, e shitën Kosovën", "EULEX Made in Serbia", "Kosova në BE e jo nën BE", "Duam në BE, por jo me EULEX", "Protokollet i shtojnë dhe trashin lidhjet e Kosovës me Serbinë", "Institucionet lejojnë-protokollet vazhdojnë", "T'shiturit, por na shesin", "Hashimi edhe i bukur edhe tradhtar", "Protokollet janë zbatim i gjashtë pikëshit", "EULEX baras me UNMIK", etj.

Policia njofton për rrjedhë të qetë të protestës

Sot (14/09/2009) duke filluar nga ora 12:00 është mbajtur demonstrata e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe një numri të konsiderueshëm të OJQ-ve në të cilën kanë marrë pjesë rreth 1 mijë persona. Gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur demonstrata policia ka monitoruar rrjedhën e saj, si dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përballuar fluksin e demonstruesve, për të bllokuar rrugët e përshkuara nga demonstruesit, si dhe ka ridrejtuar trafikun me qëllim të shmangies së çrregullimeve në komunikacion. Demonstrata ka përfunduar rreth orës 14:00 dhe nuk është raportuar për ndonjë incident, ka njoftuar Policia e Kosovës. Rreth orës 14:20 masa e demonstruesve është shpërndarë e qetë dhe të gjitha rrugët e kryeqendrës janë liruar për qarkullim normal, thuhet në kumtesën e Policisë së Kosovës.

Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës mbështet demonstratën

Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, në takimin e mbajtur ditën e hënë, pas shqyrtimit dhe analizës së gjendjes së krijuar për shkak të nënshkrimit të protokoll-marrëveshjes mes EULEX-it dhe Serbisë, vendosi që të dal në mbështetje të plotë të demonstratës së organizuar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe 22 shoqatave tjera dhe asociacioneve që veprojnë në Republikën e Kosovës. Sindikata e Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës është kundër protokollit të nënshkruar nga ana e EULEX-it dhe Serbisë, kundër hipokrizisë dhe kundër cenimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Mursel Zymberi, kryetar i SSHCK-së.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat