Berisha: Shqipëria dhe Kosova, të bashkuara në Evropën e Bashkuar

Kosova

Berisha: Shqipëria dhe Kosova, të bashkuara në Evropën e Bashkuar

Nga: Bota sot Më: 6 tetor 2009 Në ora: 13:21

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, arriti në Kosovë, me ç’rast është takuar me përfaqësues të shtetit dhe të institucioneve të vendit, vizita e tij do të zgjasë dy ditë. Kryeministri shqiptar Sali Berisha në aeroportin e Prishtinës, duke u pritur nga personalitetet më të larta shtetërore të Republikës së Kosovës. Kosovë-Shqipëri, nanshkruan 6 marrëveshje bilaterale.

Takimi, Sejdiu-Berisha

Kosova, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha tha se në Kosovë po ndërtohen dhe po vendosen institucione me standarde demokratike dhe sipas tij këto standarde në disa aspekte janë unike në rajon dhe më gjerë. Këto deklarata kryeministri Berisha i bëri të martën gjatë takimit që zhvilloi me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Berisha: Kosova është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.- Sejdiu: Kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e sigurojnë Kosovën për mbështetje të mëtejshme në ecjen përpara. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha tha se në Kosovë po ndërtohen dhe po vendosen institucione me standarde demokratike dhe sipas tij këto standarde në disa aspekte janë unike në rajon dhe më gjerë. Këto deklarata kryeministri Berisha i bëri të martën gjatë takimit që zhvilloi me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Lidhur me procesin e decentralizimit në Kosovë, Berisha vlerësoi se formimi i komunave të reja përbën një ngjarje shumë pozitive për paqen dhe stabilitetin.

Kryeministri Berisha theksoi se Republika e Kosovës është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, pasi sipas tij 20 muajt e fundit janë muajt e parë të stabilitetit në rajon dhe kjo falë pavarësisë së Kosovës. Berisha premtoi se vitin e ardhshëm do të fillojë edhe projekti për ndërtimin e hekurudhës mes Shqipërisë dhe Kosovës, që do të lidhte edhe më shumë dy vendet tona.

Çmohet roli i Shqipërisë

Kurse presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu theksoi se jemi në një kohë të re, në një kohë të dëshmimit të fuqishëm të vlerave të Republikë së Kosovës dhe të dëshmimit të vlerave të përbashkëta të identitetit tonë.

Ai pohoi se kryeministri Berisha dhe shteti shqiptar e sigurojnë Kosovën për mbështetje të mëtejshme në ecjen përpara.

"Sot dëshiroj të përgëzojë nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë", tha Sejdiu dhe njoftoi se në mënyrën më të shpejt do të bëjë miratimin e tyre. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dekoron kryeministrin Sali Berisha me Medaljen e Lirisë. Me këtë rast kryeministri Berisha theksoi se ky është një akt madhor qe Kosova i bëhet atij.

Takimi Thaqi-Berisha

Berisha: Shqipëri-Kosovë, dy vende, por vëllezër

Pyetjes së një gazetari të Reuters se si e shohin rrugën e integrimit në BE Kosova dhe Shqipëria, së bashku apo më vete, nisur edhe nga një deklaratë e Berishës për Shqipëri të madhe, kryeministri shqiptar iu përgjigj:

"Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme, por një komb. Nuk ka askund dy kombe shqiptar, dy kombe serbe etj. Por, ato nuk janë vende të huaja dhe ky koncept duhet të largohet, jemi vëllezër".Kryeministri Berisha më tej ka vlerësuar punën e mirë që është bërë në Kosovë, duke pranuar se në 20 muajt e fundit

Thaçi- Berishës: Realizove ëndrrën e shqiptarëve. Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar Berishën si arkitekt të ndryshimeve në Shqipëri dhe realizuesin e projektit të ëndrrave të shqiptarëve për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës. Në këtë drejtim Thaçi ka deklaruar se ata janë duke numëruar minutat për ndërtimin e autostradës në pjesën e Kosovës.

Më tej, ai e ka falënderuar Berishën për kontributin e tij dhe të politikës së Tiranës në mbështetje të forcimit të shtetit të Kosovës.

Nga takimi, Berisha-Thaqi

Dy homologët shqiptar, Berisha-Thaqi me vizione dhe qëllime të përbashkëta

Delegacioni i Kosovës e pret ngrohtësisht arrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.

Marrëveshjet bilaterale

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan gjashtë marrëveshje të rëndësishme, të karakterit politik dhe ekonomik që do të ndikojnë në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjashtë marrëveshjet mes dy vendeve u nëshkruan në selinë e qeverisë së Kosovës, në Prishtinë, në kuadër të vizitës zyrtare dy ditore që Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha nisi sot në këtë vend, me ftesë të homologut të tij, Hashim Thaçi. Ato u nënshkruan pas takimit që dy Kryeministrat zhvilluan pa praninë e gazetarëve. Marrëveshja e lëvizjes së ndërsjelltë të shtetasve dhe protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, dhe ai i Kosovës, Thaçi, ndërsa marrëveshjet e tjera u nënshkruan nga anëtarë të dy delegacioneve, Shqipëri- Kosovë. Zbatimi i tyre pritet të thellojë jo vetëm bashkëpunimin mes dy vendeve, por do të lehtësojë për më shumë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe anasjelltas. Vizita e sotme e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në Prishtinë, e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, është konsideruar si një vizitë historike dhe e një rëndësie të veçantë dhe shihet si një mundësi e re për të shënuar progres në bashkëpunimin ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë. Marrëveshjet e nënshkruara: Më poshtë vijojnë marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara sot mes Shqipërisë dhe Kosovës: - Marrëveshja për Lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve.- Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare.- Marrëveshja në fushën e doganave.- Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar.- Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm.- Marrëveshja e bashkëpunimit të Administratave lokale.

Berisha në Aeroportin e Prishtinës

Kryeministri Sali Berisha nisi sot vizitën e tij të parë në Kosovën e pavarur. Takimin e parë Kryeministri Berisha e pati në selinë e qeverisë së Kosovës me Kryeministrin Hashim Thaçi. Pas takimit, në prani të dy Kryeministrave dhe të medias, u nënshkruan 6 marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve: Marrëveshja për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe Protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, u nënshkruan nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi; Marrëveshja në fushën e doganave u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave të Shqipërisë Endri Pema dhe Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës Bedri Hamza; Marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar u nënshkruar nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Zenun Pajaziti; Marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm u nënshkruar nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës Zenun Pajaziti; Marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale u nënshkrua Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Sadri Ferati. Më pas, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën u shprehën: Kryeministri Berisha: Faleminderit zoti Kryeministër. Edhe një herë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, respektim më të madh dhe admirimin së pari për rolin dhe kontributin tuaj thelbësor në çlirimin e Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në udhëheqjen e qeverisë së Kosovës, në një nga periudhat më historike për Kosovën. Ju falënderoj përzemërsisht për pritjen vëllazërore, por kam kënaqësinë time të madhe dhe gëzimin e veçantë të theksoj se në 20 muaj Kosova ka shënuar arritje të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër që unë di në historinë e re. Dhe kjo është një meritë e jashtëzakonshme e udhëheqjes politike të Kosovës, e forcave politike dhe qytetarëve të Kosovës. Ajo çka më impresionon në sensin më pozitiv është fakti se si luftëtarët e lirisë po ndërtojnë me përkushtimin më të madh vlerat për të cilat ata luftuan dhe kjo është një gjë e veçantë. Në 20 muaj, këtu, në Kosovë po vendosen disa standarde, të cilat do t’i kenë lakmi të gjitha vendet e tjera. Këtu po vendosen standardet më të gjera të respektimit të pakicave dhe unë jam i bindur se ky është një kontribut i madh i Kosovës për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe një shembull i shkëlqyer në një nga fushat më sensitive. Në Kosovë po konsolidohet një sistem decentralizimi ndër më të mirët, ndër më të gjerët, i cili, absolutisht, do të prodhojë paqe, stabilitet dhe zhvillim dhe është një nga themelet e çdo demokracie. Më ka ardhur shumë mirë që u krijuan komunat e reja. Është jashtëzakonisht pozitive dhe unë jam i bindur se qeveria do t’u japë të gjitha përgjegjësitë e kompetencat. E rëndësishme për një vend të lirë është qe qytetarët të ndjehen të sigurt, të lirë dhe të kenë sa më afër qeverinë e tyre direkt. Në Kosovë është krijuan dhe po vazhdon të konsolidohet tradita e zgjedhjeve të lira. Pra, kemi të bëjmë me disa zhvillime shumë të rëndësishme, në një kohë rekord të shkurtër, Kosova është njohur gjithashtu nga 62 vende të lira të botës e vende të tjera janë në proces e sipër, është anëtarësuar në dy institucionet më serioze financiare të planetit, institucione të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ekonomia e Kosovës është një ekonomi dinamike, e vogël, por që i rezistoi furtunës së përgjithshme financiare botërore. Në Kosovë ndodhet KFOR-i, një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por një faktor që do ndihmojë e po ndihmon Kosovën, forcat e sigurisë së saj në procesin e përgatitjes për integrimin në NATO. Në Kosovë, Bashkimi Europian ka sjellë një mision të fuqishëm, EULEX-i, i cili po mbështet qeverinë e Kosovës në ndërtimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve, faktikisht, po jep një ndihmë të pazëvendësueshme në perspektivën europiane të Kosovës. Me Kryeministrin, ne bëmë një bilanc të zhvillimit dhe të marrëdhënieve si midis dy vendeve tona, ashtu edhe me fqinjët tanë. Ne jemi dy vende me popullsi shumicë shqiptare. Ne kemi përgjegjësi të madhe të përcjellim mesazhin tek të gjithë fqinjët tanë se kanë dy miq të vërtetë në Shqipëri dhe Kosovë. Më erdhi jashtëzakonisht mirë me progresin që ka bërë Kryeministri në negociatat me Maqedoninë. Edhe marrëdhëniet tona me Maqedoninë dhe Malin e Zi janë marrëdhënie shumë të mira, të shkëlqyera dhe shoh me interes shumë të madh intensifikimin çdo ditë e më shumë të marrëdhënieve me Kosovën, me Malin e Zi, me Maqedoninë, por dhe shpresoj së shpejti edhe me Serbinë. Fobia nuk shërben ndaj askujt. Në histori kemi kaluar shumë gjëra të pamerituara, por kompleksiteti i saj na ka çliruar nga komplekset. Ndaj jemi të vendosur të punojmë për një klimë miqësore bashkëpunimi dhe integrimi rajonal. Ishte një lajm shumë i gëzueshëm për mua dhe gjithë shqiptarët vendimi i qeverisë së Kosovës për të ndërtuar autostradën Prishtinë-Vermicë. Uroj që edhe qeveria serbe të fillojë ndërtimin nga Nishi. E informova Kryeministrin se gjatë këtij mandate, ne do të ndërtojmë autostradën tjetër Qafë Morinë-Shkodër, një pjesë e mirë është e ndërtuar, por pjesën tjetër të pandërtuar që është 34 kilometra, në mënyrë që Kosova perëndimore të ketë dalje më të shpejtë në det. Porti i Shëngjinit është i gatshëm. Qeveria shqiptare do t’i japë Kosovës në dispozicion të plotë këtë port. Vitin e ardhshëm do të nisë studimi i fizibilitetit dhe projektimi i hekurudhës që do të lidhë dy vendet tona. Ne do të kompletojmë hekurudhën me Maqedoninë , por do lidhemi edhe me Kosovën. Pozicioni i saj gjeografik është shumë për transportin hekurudhor nga portet tona, të cilat bëhen çdo ditë e më të rëndësishëm. E gjithë lufta dhe përpjekjet e shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë e kudo është që të kapim orën europiane. Ne kemi pasur problem të mëdha në të shkuarën, nuk kemi ndërtuar dot të ardhmen. Tani, ne jemi të lirë dhe po ndërtojmë të ardhmen. Kjo e ardhme ndërtohet në kuadrin e një bashkëpunimi të ngushtë e të gjithanshëm me miqtë tanë në rajon e kudo në botë. Sot, u nënshkruan një seri marrëveshjesh, të cilat synojnë të vendosin në këtë rajon standardet euroapiane të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave dhe problemeve të sigurisë. Nuk mund të mohohet se në disa aspekte, në rajon ora është mbrapa. Radhët e gjata që shihen në pikat tona kufitare në tërësi janë jashtë kohe. Ndaj është në detyrën e qeverive që të gjejnë format më të praktike, më lehtësuese për fluksin e pandalshëm të njerëzve dhe mallrave. Këtë diskutim e kam bërë edhe me kolegët e mi Malit të Zi, të Maqedonisë dhe shoh se ka një mirëkuptim të gjerë. Në të ardhmen do të nënshkruhen një seri marrëveshje të tjera që do të kompletojnë infrastrukturën ligjore të një bashkëpunimi dhe partneriteti vëllazëror shekullor, për të gjithë rajonin. Edhe një herë zoti Kryeministër, ju falënderoj me mirënjohje për të gjithë mikpritjen dhe më duhet sërish t’ju siguroj se në këtë qytet dhe këtë vend, janë të vetmit në botë që vij çdo ditë me kënaqësinë më të madhe, po të kem mundësi. Kryeministri Thaçi: Të nderuar përfaqësues të medias, autoritete qeveritare të Shqipërisë, i nderuari zoti kryeministër i Shqipërisë Sali Berisha! Sot jam i privilegjuar dhe emocionalisht i prekur thellë nga ndjenja e respektit për vizitën tuaj, të nderuar të pranishëm, për vizitën e mikut tim, Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha dhe ka shumë arsye të ndjehem kështu, së pari, ta ftoj homologun tim nga Shqipëria si Kryeministër i Republikës së Kosovës, Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik, me vizion të qartë për integrim në NATO dhe Bashkimin Eruopian. Pastaj, kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën. Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha, është vizita e parë në Kosovën e pavarur, prandaj i nderuar Kryeministër, zoti Sali Berisha, mirë se ke ardhur në Kosovë, institucionet legjitime të Republikës së Kosovës të mirëpresin, populli i Kosovë të mirëpret. Sot, Kosova pret arkitektin e ndryshimeve në Shqipëri, Kryeministrin Sali Berisha, realizuesin e projektit të ëndrrave të shqiptarëve me ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë. Por, i nderuari Kryeministër, kam kënaqësinë t’ju informoj se edhe ne tani më nuk po numërojmë muajt apo vitet, por po numërojmë ditët kur do të fillojmë me realizimin e projektit gjithashtu ëndërr të qytetarëve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës Morinë-Prizren-Prishtinë dhe unë dua të besoj fuqishëm dhe ju ftoj qysh sot që, siç kishim shtrëngimin apo përqafimin e ngrohtë në tunelin e Kalimashit në hyrjen e muajit historik, do ta kemi përqafimin e ngrohtë në ambient të hapur në Morinë, buzë bjeshkëve të Pashtrikut, për vazhdimin e autostradës në drejtim të Morinit, Prizrenit, Prishtinës. Sot, pritëm jetësuesin e integrimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministrin Sali Berisha, kontribuesin e madh për pavarësinë e Kosovës. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, siç edhe jeni të njoftuar, Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu do ta çmojë dhe do ta vlerësojë lart me çmimin për pavarësi, që ju e meritoni, Kryeministrin Berisha. I nderuari Kryeministri Berisha me lejo t’ju falënderoj personalisht për të gjithë kontributin tuaj personal, të qeverisë suaj, të politikës së Tiranës në mbështetje të forcimit të shtetit të Kosovës. Ne po ndërtojmë një shtet demokratik, me institucione funksionale, me demokraci të re, por të zhvilluar, të kultivuar, me respektimin në kuptimin më afirmativ të mundshëm të minoritarëve. Tani jemi në prag të organizimit të zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e pavarur dhe është mjaft inkurajues që ne kemi shumë subjekte edhe minoritarë. Unë besoj fuqishëm dhe po punoj që edhe këtë provim të rëndësishëm të parë, mund të them jashtëzakonisht kuptimplotë, Kosova, partitë politike, institucionet, qytetarët ta kalojmë me sukses të plotë. Së shpejti presim edhe raportin e progresit nga Komisioni Europian për Kosovën, por edhe studimin e fizibilitetit. Kemi besim të plotë se Kosova do ta fitojë në mënyrë meritore udhërrëfyesin europian për integrimit, me të cilin do të ballafaqohemi me shumë sfida, por me përgjegjësi të lartë shtetërore për të implementuar të gjitha aktivitetet e nevojshme për një vend demokrat, kritere demokratike edhe në politikë, edhe në legjislacion, edhe në ekonomi. Tanimë shteti i Kosovës po konsolidohet. Tani ne jemi pjesë edhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe i Bankës Botërore, së shpejti do të jemi pjesë edhe e Bankës Europian për Zhvillim dhe Rindërtim. Nuk është fshehtësi të themi publikisht se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë raporte tej shtetërore, raporte vëllazërore. Ky bashkëpunim i shkëlqyer mes dy qeverive tona është duke u thelluar në vazhdimësi dhe si rrjedhojë e këtij bashkëpreokupimi, dy qeveritë tona nënshkruan marrëveshjen e lëvizjes së ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, protokolli i për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshjen në fushën e doganave, e bashkëpunimit policor ndërkufitar, marrëveshjen e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm dhe marrëveshjen e bashkëpunimit të administratave lokale. Këto marrëveshje rregullojnë bashkëpunimin ndërshtetërore në fushat përkatëse, duke vendosur rregullat që do të respektohen nga shtetet tona. Ne do të vazhdojmë të kemi një bashkëpunim shumë të avancuar. I nderuar zoti Kryeministër Berisha, ne, si institucione të Kosovës, kemi këshillat, rekomandimet dhe ndihmesën e pakursyer dhe shumë dobiprurëse edhe të komunitetit ndërkombëtar, kemi bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in. Jemi duke ndërtuar raporte të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, me Maqedoninë, me Malin e Zi dhe vullneti është i njëjtë edhe në raportin ndërshtetëror me Serbinë. Prandaj, kam kënaqësinë për këtë mikpritjen të cilën e organizoi populli i Kosovë, institucionet e saj për ju, zoti Kryeministër. Ne do të vazhdojmë përkushtimet tona të përbashkëta që lidhen drejtpërdrejtë me integrimin euroatlantik dhe avancimin e ndërtimit të institucioneve tona. Pyetje: Si e shihni rrugën drejt BE-së të Shqipërisë dhe Kosovës si një shtet apo dy shtete? Kryeministri Berisha: Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij. Nuk mund të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe apo dy kombe kroate, etj. Por a kanë pasur ndikim, a kanë pasur pasoja traumat dhe ndarjet e pamerituara midis shqiptarëve? Mos harroni se në një gjatësi të madhe të kufirit Shqipëri-Kosovë ka patur tela me gjemba. Nuk besoj të ketë pasur midis Vojvodinës dhe Hungarisë, apo dhe probleme të tjera . Është detyrë, për të mos thënë domosdoshmëri e qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Kosovës, të bashkëpunojmë ngushtësisht për kapërcimin e pasojave të këtyre ndarjeve. Sot ideali kombëtar i shqiptarëve është ideali evropian, sepse ne aty kemi përcaktuar të ardhmen tonë më të shkëlqyer. Nuk dimë ndonjë të ardhme më të ndritur për ne shqiptarët se integrimi në Evropë. Përpjekja jonë për të shpejtuar standardet që ekzistojnë në BE dhe për të bërë që ato t’i gëzojnë qytetarët shqiptarë është një përpjekje e drejtë dhe e ndershme. Dua të theksoj se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme. Është në interesin jetik të çdo shqiptari konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, por këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin, janë vende vëllezër. Shumë vende e cilësojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe në botë dy vendet që kanë më se të drejtë të quhen të tillë janë Shqipëria dhe Kosova. Kryeministri Thaçi: Realisht ne po kalojmë dhe po punojmë për tejkalimin e padrejtësive, të cilat kanë ndodhur. Po jetojmë në një realitet dhe po punojmë për një projekt të vlerave euroatlantike. Shqiptarët jetojnë në shumë shtete, por ne jemi një komb. Po punojmë fuqishëm për konsolidimin e demokracive në ato vende, për respektimin e angazhimeve demokratike dhe implementimin e të gjitha standardeve më të larta euroatlantike. Siç e përmendi dhe Kryeministri Berisha, vendet e rajonit, Kosovën dhe Shqipërinë, i kanë dy vende mike, dy vende të partneritetit, të bashkëpunimit, të paqes, të stabilitetit si dhe të angazhimeve integruese rajonale dhe euroatlantike. Sot Shqipëria është në NATO, shumë shpejt do të jetë edhe në BE. Le të rikthehemi për pak sekonda në histori. Ku ishte Shqipëria para pak vitesh? Ishte në një diktaturë të tmerrshme komuniste. Tani Shqipëria është e lirë prej diktaturës, është pjesë e NATO-s dhe do të ecë e sigurt drejt BE-së. Ku ishte Kosova, para disa kohësh? Duke bërë përpjekje për t’u çliruar nga komunizmi jugosllav e më pas duke luftuar për lirinë e saj. Sot Kosova është e lirë, e pavarur, po zhvillon demokracinë dhe po punon me hapa të sigurte për integrimin në NATO dhe në BE. Kështu po punojnë edhe vende të tjera të rajonit. Prandaj unë e shoh të ardhmen e rajonit dhe të dy vendeve tona si të ardhmen e vlerave evropiane, integruese dhe natyrisht të standardeve të BE-së: rajon pa kufij. Pyetje: Zoti Thaçi praktikisht me këto marrëveshje që nënshkruat, siç ishte dhe ajo e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si mendoni se do ta presë komuniteti ndërkombëtar këtë veprim? Kryeministri Thaçi: Gjithë bota demokratike, bota e lirë, mendimi i hapur, bota civile, demokracia kërkon bashkëpunim, integrim, respektim të vlerave bashkëpunuese. Bashkëpunimi është një prej vlerave më të larta të komunitetit ndërkombëtar dhe e gjithë bashkësia ndërkombëtare e përkrah bashkëpunimin e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit. Edhe me Shqipërinë, Maqedoninë e Malin e Zi kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme. Gjithashtu, kemi vullnetin e mirë, qytetar, politik dhe shtetëror për bashkëpunim të ndërsjelltë ndërshtetëror edhe me Serbinë. Nga bashkëpunimi askush nuk duhet të ketë frikë. Përkundrazi. Kemi inkurajim dhe mbështetje të fuqishme në këtë drejtim. E gjithë bota demokratike e përkrah përkushtimin tonë euroatlantik. Pyetje: A e ndjeni veten lider i kombit, sikurse ju cilësojnë në Kosovë, zoti Berisha? Kryeministri Berisha: E ndjej veten një qytetar të lirë shqiptar, që pati fatin e jashtëzakonshëm të shohë ëndrrat e mëdha të kombit të realizuara. Ne na takoi fati i madh të përjetojmë shndërrimin në realitet të ëndrrës së lirisë, e cila është ëndrra e të gjitha ëndrrave, është projekti i të gjitha projekteve. Kosova e lirë është realizmi më i madh i shqiptarëve në historinë e tyre. Sigurisht nuk mund të them se pa Lidhjen e Prizrenit dhe Pavarësinë e Kosovës , kjo do të mund të kishte ndodhur. Por që nga koha e luftërave të Skënderbeut e deri më sot, kjo është arritja më e madhe e kombit shqiptar. Pastaj kemi projektuar arritje të tjera. E ndjej veten me fat të madh që jetova këto kohëra. Pyetje: Në Kosovë kohët e fundit po flitet për profilizm ideologjik të partive politike. Dimë që Partia Demokratike e Shqipërisë është e drejtuar nga e djathta. Nga është e drejtuar Partia Demokratike e Kosovës, nga e majta apo nga e djathta? Kryeministri Thaçi: Fillimisht dëshiroj të theksoj se ky është takim i nivelit më të lartë shtetëror, është vizitë institucionale shtetërore e kryeministrit Berisha dhe këtu të dy jemi si kryeministra të dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo vizitë, këto takime, janë mbi çdo ideologji dhe çdo parti. Janë përpjekjet tona shtetërore për implementimin e vullnetit të njerëzve edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Dua të flas shumë hapur. Edhe mua, edhe zotin Berisha na ka bashkuar idea edhe pa u njohur fizikisht. Zotit Berisha, është ithtar i luftës kundër diktaturës në Shqipëri. Unë si student kam udhëhequr lëvizjen studentore kundër komunizmit dhe pushtimit serb në Kosovë. Diktatura në Shqipëri ra në atë kohë. Këtu gjithashtu filloi dhe u godit shumë rëndë dhe natyrisht pushtimit serb në Kosovë po i jepej goditja më e rëndë. Partia Demokratike e Kosovës u themelua prej transformimit të lirive çlirimtare dhe grumbullimit të intelektualëve të çmuar të Kosovës, të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Përpjekja ime ka qenë për atdhe. Tashmë është përpjekje për liri, për rend demokratik, për integrim në NATO dhe BE. Kryeministri Berisha: Do të shtoj se në këtë çështje koncepti dhe qëndrimi im është ky: Nuk ekziston midis forcave politike të shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë e Malit të Zi, problemi i spektrit politik. Këtë ata e kanë në raport me grupimet evropiane apo botërore. Por kjo nuk është vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe me vendet e tjera fqinje nuk ndikon në mmarrëdhëniet ndërshtetërore spektri politik i forcës politike që fiton zgjedhjet. Kushdo që fiton zgjedhjet në Itali, marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë mbeten të shkëlqyera. Kushdo që fiton zgjedhjet në Greqi marrëdhëniet mbeten të shkëlqyera. Kam pasur marrëdhëniet më të mira me kryeministrin Karamanlis dhe jam i bindur se po kaq të mira do të jenë edhe me kryeministrin e ri Papandreu. Ato janë çështje të strukturave partiake. Pyetje: Përballja e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Rusia si aleate e fortë e Serbisë ka deklaruar se do të jetë një mbështetëse e fortë e çështjes së Serbisë. A mendoni se kjo do të ndikojë në vendimmarrjen e gjykatës ndërkombëtare, duke patur parasysh se Rusia është një pengesë e fortë edhe për aleatët e Kosovës? Kryeministri Thaçi: Ne si Kosovë nuk duam dhe nuk pretendojmë ta politizojmë atë proces. Nuk dëshirojmë të vëmë ngjyrime të pretendimeve gjykuese politike apo paragjykuese ndaj ndonjë shteti të caktuar. Ne i besojmë këtij procesi. Jemi të përgatitur dhe do të kemi opinionin e drejtë, i cili do të përputhet realisht me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mendimeve të marra nga institucionet legjitime.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat