Presheva, Bujanoci e Medvegja janë Kosovë

Kosova

Presheva, Bujanoci e Medvegja janë Kosovë

Nga: Rukie Berisha, BOTA SOT Më: 16 janar 2009 Në ora: 16:53

Më qëllim të përkrahjes për shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, Lëvizja për Bashkim ka filluar aksionin “Presheva është Kosovë”, duke vendosur kështu pankarta në kryeqytet, që simbolizonin dëshirën e shqiptarëve që jetojnë atje për liri dhe pavarësi.

“Populli shqiptar i cili jeton në trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë i ka të gjitha karakteristikat e kombit: ai është formuar historikisht në bazë të gjuhës së përbashkët, vazhdimësisë territoriale, formimit të njëjtë shpirtëror, si dhe kompaktësisë ekonomike me pjesët tjetra të kombit. Prandaj populli shqiptar në këto komuna e ka të drejtën e patjetërsueshme të vetëvendosjes së kombeve deri në shkëputje”, thanë drejtuesit e Lëvizjes për Bashkim.

Fitor Murati, anëtar i Lëvizjes për Bashkim, tha se ky aksion është marrë duke pasur parasysh se neglizhencën dhe politikën pasive që deri më sot po ndjekin Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë ndaj popullit shqiptarë në ato treva. “Presheva, Bujanoci e Medvegja aktualisht jetojnë në kushte pushtimi - nën dhunë, terror e militarizëm dhe nën tendencë të vazhdueshme për shpërngulje e asimilim. Është mjaftë brengosëse fakti se përderisa shqiptarët atje janë në rrezik të shpërnguljes, politika shqiptare ndjekë një politikë pasive ndaj atyre”, tha Murati.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat