Fajon: Nuk guxohet që Kosova të lihet anash nga procesi i vizave

Kosova

Fajon: Nuk guxohet që Kosova të lihet anash nga procesi i vizave

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 15:47

Raportuesja për vizat në parlamentin evropian, Tanja Fajon deklaroi se nuk guxohet që Kosova të lihet anash nga procesi i vizave sepse vendi nuk bën të mbetet vrimë e zezë në rajon. Ajo e kualifikoi si sukses faktin se mori përkrahjen e eurodeputetëve që t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian për gjetjen e formulës se si të nisë dialogu për vizat edhe me Kosovën.

Eurodeputetët votuan për raportin ku pos këtij propozimi përfshihet edhe përkrahja për liberalizimin e plotë të vizave për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Gjithashtu ata kërkuan që për Shqipërinë e Bosnjën dhe Hercegovinën të hiqet regjimi i vizave deri në mesin e vitit që vjen.

Qytetarët e tri shteteve të para që gëzojnë këtë regjim do mund të udhëtojnë në shtete e Evropës perëndimore që nga 19 dhjetori i këtij viti. Pas këtij votimi pason vendimi formal i ministrave të brendshëm të BE-së në takimin e 30 nëntorit kur edhe përfundimisht zyrtarizohet liberalizimi i vizave për tri vendet e rajonit.

Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet që të përkrahin këtë nismë në takimin e dhjetorit ku edhe do duhej të deklarohen lidhur me kërkesën që një lloj i procesit për vizat të nisë edhe për Kosovën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat