Presidenti edhe njëherë për incidentin në Deçan

Kosova

Presidenti edhe njëherë për incidentin në Deçan

Më: 12 nëntor 2009 Në ora: 20:25

Pas dënimit deklarativ të incidentit të djeshëm në Deçan, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se dëshiron të shikojë atë ngjarje si një incident të izoluar dhe nuk beson se do të ketë përsëritje të tyre, ndërsa u bëri thirrje partive politike që të që të ulin tensionet e caktuara dhe Kosova ta mbaj imazhin e saj të mirë.

Incidenti i së mërkurës në Deçan ka ndodhur pas përfundimit të tubimit parazgjedhor të PDK-së në këtë komunë, me ç’rast është gjuajtur me mjete të ndryshme eskorta në të cilin ndodhej kryeministri Hashim Thaçi, si dhe nuk kanë munguar as të shtënat me armë.

Edhe përkundër disa incidenteve të vogla, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur fushatën si korrekte dhe në kuadër të veprimeve ligjore, ndërsa incidentin e djeshëm në Deçan tha se dëshiron ta shikoj si ngjarje dhe një incident të izoluar dhe nuk beson se do të ketë përsëritje të tyre.

“Na kanë mbetur edhe dy ditë që epilogut të parë, sepse mund të ketë edhe balotazh. Vlerësoj se përgjithësisht partitë dhe qytetarët i janë përmbajtur një kodi që është nënshkruar edhe me ftesën e presidentit të Republikës, por në të njëjtën kohë edhe të ligjit dhe kjo është e mirë dhe Kosova duhet të mbaj imazhin që ka”, ka thënë ai.

Derisa partitë e përfshira në incident PDK dhe AAK e akuzojnë njëra tjetrën, dje dhe sot është dënuar ashpër incidenti në fjalë si nga liderët institucional, ashtu edhe nga përfaqësitë e ambasadave të huaja, ndërsa nga presidenti i vendit është bërë thirrje për ulje të tensioneve.

I pari i vendit ka thënë se për incidentin e djeshëm përgjegjësit duhet të japin llogari, porse partitë duhet të ulin tensionet e mundshme, sepse duhet t’i jepet mundësia votës së lirë.

“Kam lëshuar një ftesë timen të përgjithshme, që edhe aty ku nganjëherë mund të ketë tensione të caktuara që ato të bien. Arma më e fortë flasim në kuptimin më të mirë të mundshëm për çdo njeri është arsyeja dhe në këtë rast edhe për zgjedhje, vota e qytetarëve. Vota është e shenjt, asaj duhet t’i japin shansën më të mirë dhe natyrisht nuk është e pranueshme asnjë rrugë tjetër, pra as rruga që kem pa storien e hedhjes së gurëve në makinat e kryetarit të Partisë Demokratike dhe në këtë rast edhe të kryeministrit të Republikës së Kosovës”, është shprehur Sejdiu.

Presidenti Sejdiu u bëri thirrje edhe qytetarëve të vendit që të kontribuojnë për përfundimin sa më të suksesshëm të fushatës parazgjedhore, e sidomos të zgjedhjeve, duke dëshmuar kështu vlerat e mirëfillta qytetare, por edhe funksionalitetin e demokracisë sonë të re.

Sejdiu ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por edhe institucionet e vendit kanë bërë punë të madhe dhe presin që më 15 nëntor të ketë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat