LDK përmbylli fushatën parazgjedhore

Kosova

LDK përmbylli fushatën parazgjedhore

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 20:24
Me moton “Mos e le pa dalë”, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmbylli fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën. Kjo parti e ka vlerësuar fushatën shumë të suksesshme, të qetë dhe dinjitoze. Kjo parti pret një fitore në shumicën e komunave të Republikës së Kosovës. Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, i ka ftuar qytetarët që të dalin të votojnë me 15 nëntor. ““Mos e leni pa dalë”, vota e qytetarëve e dhënë më 15 nëntor për LDK-në është votë që do të ndryshojë vendin, është votë për programe të mira e të realizueshme. Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e vlerave. LDK e ka pasur një lider, Presidentin Ibrahim Rugova ku nën udhëheqjen e tij Kosova de-jure më 17 shkurt 2007 e realizoi qëllimin, pavarësinë e vendit”, tha nënkryetari i LDK-së Haziri. Sipas tij, sot Kosova ka një lider tjetër, presidentin Fatmir Sejdiu, i cili do ta çojë Kosovën drejt integrimit Evropian. “Në luftën tonë për demokracinë, e cila është e rrezikuar në Kosovë, ne mund ta fitojmë bashkë me ju dhe me ndihmën tuaj. Ky manifestim sot e dëshmon se ne e kemi përkrahjen tuaj”, tha Haziri. Ai gjatë këtij takimi përmbyllës me rektoratin, ka përmendur edhe fushatën agresive që e kanë organizuar partitë e tjera. Kjo fushatë sipas tij tregoi se si trajtohet LDK-ja, se si nuk respektohet ajo.

“Ata menduan se LDK po rrëzohet, por këtyre ditëve ne treguam me sjelljen, kulturën tonë se ajo po rritet. LDK është një trup i madh, një lis i madh, të cilën po e udhëheq presidenti Fatmir Sejdiu”, tha Haziri. Nënkryetari i LDK-së, tha se edhe ish-presidentin amerikan Bill Klinton, tregoi se ky vend ka pasur një njeri të madh që u respektua nga Uashingtoni, Presidenti Ibrahim Rugova. “Ne duhet t’i kthejmë sytë nga Uashingtoni, shtëpia e madhe e shqiptarëve mbetet Uashingtoni”, tha ai. “Ne sot këtu po e dëshmojmë një vlerë të re, me LDK-në janë bashkuar rokerat, kullerat, janë bashkuar reperat, elita, njerëzit më të mirë të artit etj”, tha Haziri. Sipas tij, këtë parti e kanë shpëtuar njerëzit e dijes dhe akademikët. “Komunat tona i udhëheqin profat, në komunat tona ne kemi quar njerëz të përgatitur me programe të realizueshme dhe shumë serioz”, tha Haziri. Sipas tij, kandidatët e LDK-së për kryetar komunash e kanë programin për rregullimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore dhe urbanizmit, prandaj u mbetet qytetarëve që t’ua japin atyre mandatin për të qeverisur. “LDK ka arritur t’i bashkojë edhe kishat, xhamitë e teqetë, sepse i respekton besimet, i respekton fetë. Andaj, ne nuk do të lejojmë të na vjedhin votën, prandaj mos e leni pa dalë në zgjedhje, tregoni se ju dini për kë të votoni, votoni për ata që e sjellin demokracinë tek ju”, tha Lutfi Haziri. Ndërsa, pas prezantimit të kandidatëve për kryetarë komunash nga Lidhja Demokratike e Kosovës, qytetarëve të mbledhur në sallën “1 tetori”, i është drejtuar kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa. Ai i ka falënderuar qytetarët për fushatën madhështore që e kanë zhvilluar dhe i ka ftuar ata të dalin të votojnë për LDK-në, numrin 77, sepse ka një qëllim dhe një vizion. “Dilni e votoni, sepse në këtë ditë, pra më 15 nëntor ju jeni para politikës, ju jeni sovrani, mos e lëshoni këtë shans, është shans për demokracinë dhe zhvillimin e vendit”, tha Isa Mustafa. Sipas tij, kandidatët e LDK-së i kanë programet më të mira, programe që tregojnë se si qeveriset një komunë, si ndërtohet një shtet. “Andaj, do të menaxhojmë me komunën ashtu si duhet, dhe nuk do të lejojë që të ketë manipulime me tenderë e me taksa të qytetarëve”, tha ai. Në këtë takim përmbyllës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sallën “1 tetori” kishin ardhur qytetarë të shumtë nga tërë Kosova.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat