Pacolli: T’i japim fund qeverisjes së errët, të fitojë transparenca

Kosova

Pacolli: T’i japim fund qeverisjes së errët, të fitojë transparenca

Më: 13 nëntor 2009 Në ora: 20:49

Viti, 13 nëntor – Me LDD-në dhe AKR-në Kosova më nuk do të jetë në karantinë, tha të premten në Viti, kryetari i Lidhjes Demokratike te Dardanisë, Nexhat Daci në fushatën përmbyllëse në këtë qytet, në praninë e mijëra qytetarëve. Liderët e dy partive, se këto dy parti nuk do të lejojnë që Kosova edhe më tej të mbetet në karantinë dhe se do të japin kontribut të pa zëvendësueshëm në zhvillimin e vendit dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.

“LDD-AKR me punën e vet do t’ia mundësojnë Kosovës, që më të mos jetë në karantinë, kjo do të jetë porosi e shkëlqyeshme, pasi që Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe udhëtimin e lirë në Evropë”, tha lideri i LDD-së Nexhat Daci.

Kryetari Daci tha se LDD-AKR kanë zgjedhur lidershipin më të fuqishëm nëpër të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa Vitia është shembullin e veçantë, një komunë që i ka pasur të gjitha resurset që i ka dhënë perëndia dhe ajo duhet të filloj të jetoj një jetë normale.

“Qytetar mos harroni ndryshimet janë të obligueshme sepse koalicioni qeverisës çdo muaj është duke i rrudhur kufijtë të Kosovës dhe as presidenti e as kryeministri nuk i dinë kufijtë e Kosovës Prandaj, me 15 nëntor është një motivim i veçantë që të dalim të gjithë në zgjedhje dhe ti themi një jo të madhe keqqeverisjes dhe t’i fillojmë ndryshimet që i meriton Kosova që i meritoni ju”.

Akademik Daci i ftoi qytetarët e Vitisë dhe Kosovës që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje dhe të votojnë Sokol Halitin për kryetar dhe këshilltarët nga lista e LDD-së dhe AKR-së.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se rinia nuk donë vazhdimësi, rinia e Kosovës donë ndryshime dhe ndryshimet duhet të ndodhin tani.

“Edhe ju jeni rinia zemra, shpirti i Kosovës, jeni rinia shpirti i ndryshimeve dhe ju baballarë, nëna, motra, vëllezër që jeni në shtëpi dhe mendoni mos të dilni të votoni duhet të shikoni dhe dëgjoni këshillat e bijve e bijave tuaj, të cilët dëshirojnë ndryshime”.

“Koalicioni AKR - LDD është forca e parë politike për organizim, për anëtarësi dhe për rezultate. Sikur e gjithë anëtarësia jonë të dalë në votime bashkë me familjarët e vet, atëherë ne e fitojmë Prishtinën! Mos e humbni këtë rast. Dilni të gjithë në votime! Ne nuk duam pushtetin të vetëm. Ne krijuam aleancë me LDD-në, parti e pasuesve të denjë të Ibrahim Rugovës, babait të pavarësisë sonë. Ne kemi në radhët tona pjesëtarë të epopesë së Adem Jasharit, Pajazitëve, Agim Ramadanit, Haradinajve dhe shumë të tjerëve. Ne ftojmë më të mirët që të na bashkohen në sfidat tona të qeverisjes, nga cilado parti qofshin - nga LDK-ja, nga PDK-ja, nga AAK-ja. Ne nuk jemi xhelozë, ne s’kemi frikë nga konkurrenca! Ne nuk kemi lista të zeza apo të bardha për bashkëpunimin në të mirë të Kosovës! Ne jemi parti e lirisë! E njerëzve të lirë! Në rrugën tonë drejt fitores dikush është munduar të na ndalë. Me pengesa qesharake. Me bllokime sallash, sheshesh,me grisje posterash, shkëputje të energjisë elektrike, me kërcënime, por askush nuk mund të ndalë energjinë e fitores. Energjinë e të rinjve që kam gjetur kudo nëpër të gjithë Kosovën. Që anëtarësohen përditë në AKR. AKR-ja është parti e të rinjve! Kandidatët tanë në gjithë Kosovën janë të rinj ose miq të të rinjve”, tha kryetari Pacolli.

Kryetari Pacolli tha se kjo rini nuk toleron vazhdimësinë, nuk toleron qeverisje të errët, por kjo rini kërkon një qeverisje transparente, një qeverisje të mirë, një qeverisje të sinqertë që do të punoj për rininë e juaj prandaj ju prind, më 15 nëntor të gjithë duhet të dilni në votime të votoni për ndryshime. Votoni numrin 64 AKR ose në listat tjera votoni për LDD-në me numër 65.

Pacolli shprehu përkrahjen e fortë personale dhe të AKR-së për kandidatin për kryetar të Vitisë, Sokol Halitin.

Kandidati për kryetar të Vitisë, Sokol Haliti tha se LDD-ja në këto zgjedhje ka hyrë më e përgatitur se sa asnjëherë deri më tash.

“Kemi hyre në këto zgjedhje të përgatitur shumë më mirë dhe të bindur thellë në fitore. E them këtë për faktin se në listat tona zgjedhore kemi kandidat dhe njerëzit më të devotshëm, më të dëshmuar si në aspektin kombëtar ashtu edhe në atë intelektual e profesional”, tha Haliti.

Ai tha se oferta e LDD-AKR-së për qytetarin e Vitisë nuk është thjeshtë alternative, por është e vetmja zgjidhje, pasi që konkurrojnë me vlera dhe ofrojnë vlera me të cilat do t’ia kthejmë dinjitetin komunës tone.

Ai tha se do të angazhohet për krijimin e një ambienti të sigurt dhe stabil për qytetin dhe qytetarët, për respektimi dhe zbatimi i ligjit, për administratë efikase komunale në shërbim të qytetarit, menaxhim të drejtë të përgjegjshëm të buxhetit komunal si dhe transparencë të plotë.

Haliti tha se do të punojë në krijimin e ambientit të favorshëm dhe joshës për zhvillim ekonomik të qytetit dhe klimë favorizuese për komunitetin e biznesit do të angazhohemi për një politike buxhetore gjithëpërfshirëse të mbështetur në fuqinë ekonomike të taksapaguesve dhe në investime të drejtpërdrejta.

Në tubim u prezantuan edhe kandidatët e LDD për kryetar të komunave të Kosovës. LDD me këtë tubim përmbylli fushatën parazgjedhore për zgjedhjet komunale të 15 nëntorit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat