Rasti “Bllaca”, KMDLNJ: Të shkarkohet kryeprokurori Zhitia

Kosova

Rasti “Bllaca”, KMDLNJ: Të shkarkohet kryeprokurori Zhitia

Më: 1 dhjetor 2009 Në ora: 13:17

Personi në fjalë i deklaruar si ish pjesëtar i SHIK-ut edhe pas bërjes publike të krimeve ka vazhduar të shëtis lirshëm në Prishtinë dhe pastaj është kthyer në shtëpinë e tij në fshatin Ribar i Madh.

KMDLNJ-ë është jashtëzakonisht e befasuar me sjelljet e policisë së Kosovës e cila nuk e ka arrestuar Nazim Bllacën. Arsyetimet e prokurorisë se nuk mund të urdhërojë arrestimin e Nazim Bllacës ngase ky rast është kompetencë e EULEX-it, sipas KMDLNJ-së, është non-sens i llojit të vet dhe dëshmi eklatante për politizimin e prokurorisë si edhe kriminalizimin e një segmenti të saj.

Kryeprokurori i Kosovës, z.Hilmi Zhitia, menjëherë pas bërjes publike të dëshmisë së Nazim Bllacës ka qenë i obliguar që ex-offitio (në bazë të pozitës dhe provës që e ka), zyrtarisht t’i nis hetimet duke e urdhëruar arrestimin e të vetdeklaruarit për vrasje dhe pjesëmarrje në aktivitetet kriminale, vlerëson KMDLNJ.

Andaj, KMDLNJ kërkon shkarkimin e kryeprokurorit të Kosovës, Hilmi Zhitia duke mos i përjashtuar as hetimet ndaj tij. Arsyetimi i Policisë së Kosovës, sipas KMDLNJ-së, është gjithashtu i paqëndrueshëm sepse përdor të njëjtën mbrojtje si kryeprokurori Zhitia.

KMDLNJ ka informacione të sigurta se EULEX-i ka penguar arrestimin e menjëhershëm të Nazim Bllacës nga Policia e Kosovës që më vonë, ta arrestoi vet policia e EULEX-it. Megjithatë, ky këshill konstaton se ka pasur 100 arsye që Nazim Bllaca të arrestohet menjëherë pas deklarimit publik dhe ai është dashur të arrestohet menjëherë!

KMDLNJ kërkon që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të zbardhen rastet e vrasjeve të aktivistëve politik pas përfundimit të luftës, vrasje të motivuara etnikisht, vrasjet e tjera si dhe aktivitetet e shumtë të krimit të organizuar.

“KMDLNJ kërkon që të mos prejudikohet fajësisë e askujt, çfarëdo pozite a statusi shoqëror të ketë pa përfunduar hetimet si edhe që mediet të raportojnë objektivisht e jo të ndahen në ato pro CD-së së Nazim Bllacës apo kundër CD-së së Nazim Bllacës. Kështu, duke bërë përpjekje që të hidhen poshtë pohimet e Nazim Bllacës me çdo kusht, krijohet hapësirë për “kundër-argumente” të personave që edhe vet janë të dyshuar për aktivitete në krim të organizuar! Në këtë rast fitues është krimi i organizuar”, thuhet në një komunikatë të këtij këshilli.

“Krimi është krim, si i tillë duhet të hetohet dhe dënohet pavarësisht kush e bënë atë, kush e mbron atë dhe kush e arsyeton atë. Posti politik apo statusi shoqëror nuk do të duhej të ishte mbrojtje – imunitet për kriminelët eventual, në rast se u dëshmohet fajësia”, theksohet më tutje në komunikatë.

KMDLNJ vlerëson se tani është koha që nga gjyqësori i Kosovës, Policia e Kosovës dhe Institucionet e Kosovës të largohen individët apo struktura përgjegjëse për krim të organizuar! Prandaj, KMDLNJ i përkrah Institucionet e Republikës së Kosovës nëse ato do të jenë të gatshme dhe të vendosura të përballen dhe ta luftojnë krimin e organizuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat