Bllaca sërish në intervistë nga EULEX-i

Kosova

Bllaca sërish në intervistë nga EULEX-i

Më: 4 dhjetor 2009 Në ora: 18:24

Prokuroria speciale e EULEX-it ka vazhduar hetimet për rastin e Nazim Bllacën, ndërsa prej dje atij i është ndaluar komunikimi me media. Lidhur me këtë rast kanë vazhduar reagimet e zyrtarëve institucionalë dhe politikë. Ndërsa Qeveria ka kërkuar ndriçmin e këtij rasti, lideri opozitar, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga pjesëtarët e SHIK-ut që të distancohen nga deklarimet se kjo organizatë ka qenë patriotike. EULEX-i ka vazhduar hetimet në lidhje me rrëfime e Nazim Bllacës, i cili publikisht ka pranauar se ka kryer vrasje dhe vepra të tjera kriminale në periudhën e pas luftës në Kosovë.

Zyrtarët e EULEX-it nuk kanë dashur të thonë asgjë më tepër për këtë rast përveç deklarimit se hetimet po vazhdojnë.

Ndërkohë, mësohet se EULEX-i ia ka ndaluar Nazim Bllacës të flasë për media derisa po zhvillohen hetime ndaj tij.

Lidhur me këtë rast as sot nuk kanë munguar reagimet e ndryshme të zyrtarëve institucionalë dhe partiakë në lidhje me zhvillimet e fundit.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës theksuan se gjykimet dhe vlerësimet duhet të nxirren nga faktet që prezantojnë institucionet përgjegjëse dhe jo nga shpifjet, të cilat e dëmtojnë imazhin e Kosovës, ndërsa kërkuan edhe një herë nga drejtësia që rasti të ndriçohet deri në fund.

"Ne kemi kërkuar që të bëhen të gjitha hetimet e mundshme, që të bëhet një zbardhje e plotë e të gjitha fakteve dhe unë besoj se kryeministri ka qenë i qartë në deklarimet e tij për sa i përket këtij rasti. Ajo që dua të them dhe të ritheksoj është se ne vendimet tona nuk i marrim duke u bazuar në shpifje politike, por i marrim duke u bazuar në të vërtetat e nxjerra nga proceset hetuese, proceset e sistemit të drejtësisë të cilat janë të bazuara në Kushtetutën e vendit", tha Memli Krasniqi,zëdhënës i Qeverisë.

Krasniqi tha se Qeveria e Kosovës ka qenë shumë e qartë në deklarimet e veta që rastet nuk duhet të politizohen, duke shtuar se publikimi para medieve ka qenë politik dhe e ka dëmtuar procesin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga organet e drejtësisë, që të fillojnë me ndriçimin e të gjitha veprimtarive të SHIK-ut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat