Sejdiu: Integrimi euroatlantik është vizioni i vetëm i Kosovës

Kosova

Sejdiu: Integrimi euroatlantik është vizioni i vetëm i Kosovës

Nga: Bota sot Më: 21 janar 2010 Në ora: 18:31

Prishtinë 21 janar - “Secili njeri në Kosovë e ka të garantuar të drejtën e kthimit në pronën e tij, pavarësisht etnisë apo besimit”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me zonjën Claudia Luciani, drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme për Demokraci dhe Çështje Politike të Këshillit të Evropës me seli në Strasburg.

Në takim ishte e pranishme edhe znj. Orsolya Szekely, kryesuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë. Presidenti Sejdiu çmoi kontributin e Këshillit të Evropës në Kosovë, veçmas në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në atë të sundimit të ligjit. Po ashtu, ai ritheksoi synimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e kritereve që kërkohen për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe KE-në.

“Populli dhe institucionet demokratike të Republikës së Kosovës kanë vetëm një vizion, integrimin e plotë dhe sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare, siç janë Bashkimi Evropian dhe NATO-ja”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shprehur bindjen se nuk do të shkojë shumë kohë, kur Kosova të jetë anëtare edhe e Këshillit të Evropës.

Ndërsa, zonja Luciani theksoi se Këshilli i Evropës përcjell nga afër zhvillimet në Kosovë dhe shpreh kënaqësinë për progresin e përgjithshëm të arritur në Kosovë. Po ashtu, ajo kërkoi nga Presidenti Sejdiu që të përdorë ndikimin e tij, me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të gjendjes në fushë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat