Edhe Rexhepi e Mustafa janë optimistë për votimin e marsit...

Kosova

Edhe Rexhepi e Mustafa janë optimistë për votimin e marsit...

Më: 12 mars 2010 Në ora: 18:34

Gjilan, 12 mars - Telenovelës së rivotimit në Gjilan po i vjen fundi. Fundi dhe pritet epilogu. Të premten në Teatrin e qytetit, Gjilanit, u përmbyllën dy ceremonitë e dy subjekteve, PKD dhe LDK, të cilat, gjer sot, kanë hedhur gurë në njëra tjetrën.

Fatmir Rexhepi, kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit, është shprehur i bindur se Gjilani do t’iu kthehet vlerave të traditës dhe demokracisë. E përkrahur nga AAK-ja dhe LDD-ja, dega e LDK-së ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Gjilan, duke kërkuar votën për Fatmir Rexhepin. Duke i dhënë mbështetje Rexhepit, Lutfi Haziri tha se Gjilanin po e thërret koha për ndryshime. Ai kritikoi kryetarin aktual si dhe kryeministrin e vendit, duke thënë se po prekin në magjen e qytetarit, kurse premtoi se me fitoren e koalicionit demokratik, do begatohet sofra e qytetarit, derisa Gjilani do të lirohet nga depresioni politik. Në anën tjetër, z. Lutfi Haziri ka thënë se, Asambleja komunale e Gjilanit, qysh në mbledhjen e parë, nisi me shkelje, duke ofruar si dëshmi para zgjedhësve, kërkesën e MAPL-së për rishikimin e vendimit për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se, diku duhet të ndalet dëmi që po i bëhet Kosovës dhe kjo më së miri është që të bëhet në Gjilan, ngase siç ka thënë ai, -Gjilani duhet t’iu jap ndihmesë proceseve në Kosovë, ndërsa vendin që e meritojnë, atyre që deshën ta ngufasin demokracinë. Në fund, Xhemajl Hyseni, nënkryetar i LDD-së, tha se maratona politike po i bind qytetarët e Gjilanit se ata do të ngadhënjejnë mbi të keqen.

Ndërkaq lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, hapur ka kërkuar votën e gjilanasve për kandidatin e këtij subjekti që i takon, pra, për Qemajl Mustafën, kandidat për kryetar komune. Ai ka thënë se, Mustafa dhe projekti i tij për zhvillimin e Gjilanit kanë fituar herën e parë, herën e dytë, por do të fitojnë edhe herën e tretë dhe bindshëm nga të tjerët. Si shtoi ai, -këtyre ditëve i takuam të gjitha shtresat e komunës sonë dhe ua shpjeguam vullnetin e tyre që fituam. Siç e dimë, në dy vitet e kaluara, Mustafa ka realizuar më shumë se sa kishte premtuar, derisa vizioni i tij për katër vitet e ardhshme, është edhe më i qartë, ka thënë Thaçi, i cili gjatë këtyre ditëve ka qëndruar shpesh në Gjilan, për të mbështetur kandidatin e PDK-së për kryetar komune, derisa ka ritheksuar edhe në tubimin përmbyllës se Mustafa e ka përkrahjen e tij personale dhe të qeverisë së Kosovës. Qemajl Mustafa, kandidat për kryetar ka shtuar: “Po u ftoj të gjithë të gjithë, të dielën me 14 mars të dilni dhe të votoni për ta vulosur edhe njëherë fitoren e madhe, të Partisë Demokratike të Kosovës. Po kështu, kreu i Qeverisë shfaqi dyshime se kundër kandidati i Mustafës, Fatmir Rexhepi nuk do ta pranojë përsëri humbjen, por e garantoi atë se nuk do të ketë votim të katërt në Gjilan.. /T. Selimi

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat