KQZ: Mbyllen vendvotimet në Gjilan, pjesëmarrja 41.3 %

Kosova

KQZ: Mbyllen vendvotimet në Gjilan, pjesëmarrja 41.3 %

Më: 14 mars 2010 Në ora: 08:33

(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga gjithsej 87 mijë e 430 votuesit potencialë të Gjilanit, deri në orën 19:00 kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit në 127 vendvotimet, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 41, 3 për qind, përkatësisht 35 mijë e 876 votues.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, e vlerësoi pozitiv procesin zgjedhor në komunën e Gjilanit.

“Procesi ka shkuar me rregull e pa incidente - së paku nuk kemi pasur asnjë informatë për ndonjë incident, ose ndonjë parregullsi, e cila kishte mundur të ndikojë në rregullsinë e zgjedhjeve”, tha Lushta.

Përfaqësuesit e KQZ-së bënë të ditur se në 2 nga 9 vendvotimet alternative, pra në fshatin Budrikë dhe në Cërnicë, qytetarët nuk kanë votuar fare.

Ndërkohë, në intervalin kohor prej orës mesnatës e deri në orën 01 të mëngjesit, KQZ-ja pritet të japë rezultatet preliminare për Gjilanin, ku për kryetar komune garojnë Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Qemajl Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës.

* * * * * *

KQZ-ja thotë se deri në orën 16:15 votuan 30.16 për qind e votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ),në konferencën e tretë që mbajti për media, ka bërë të ditur se të drejtën e tyre për të votuar në komunën e Gjilanit deri në ora 16:15 e kanë shfrytëzuar 30.16 për qind e qytetarëve të kësaj komune, nga gjithsej 87 mijë e 430 qytetarë me të drejtë vote, ndërkaq u tha se deri më tash nuk është shënuar asnjë incident i cili do të ndikonte në procesin zgjedhor.

* * * * * *

Deri në ora 12.00 kanë votuar 15 %

Demokracia në Veprim paraqet raportin e dytë nga procesi i votimit në Gjilan

Koalicioni i OJQ ve "Demokracia në Veprim", ka paraqitur raportin e dytë nga të dhënat e vëzhguesve të Demokracisë në Veprim, ku është paraqitur përqindja e daljes së votuesve në zgjedhje deri në ora 12:00, si dhe disa parregullsi të evidentuara.

Nga të dhënat e vëzhguesve, raportohet për numër të madh të vëzhguesve të cilët pengojnë procesin.

Në Shkollën Selami Hallaqi, nr. 0402d, ka ndodhur një fjalosje si pasojë e prezencës së tre vëzhguesve, ku më pas njëri është detyruar të largohet. Demokracia në Veprim u bën apel partive politike që të delegojnë vetëm numrin e paraparë të vëzhguesve për tÆi ikur krijimit të tollovive brenda vendvotimeve.

Në fshatin Pogragjë, është evidentuar një rast ku një person ka votuar në emër të të vdekurve. Po ashtu, në këtë fshat ka pasur edhe votime të hapura, ndërkohë një polici i uniformuar ka votuar në mënyrë të hapur.

Ndërkohë në Shkollën Musa Zajmi, janë vërejtur katër raste të votimeve familjare. Raste të tilla si dhe votime të shumta me asistencë janë vërejtur edhe në Përlepnicë dhe Dobërτan.

Në disa vendvotime vërehet prezenca e personave të paautorizuar për të pasur rol në vendvotime .

Në Dobërçan ka pasur edhe një rast kur votuesi është lejuar që të votoj me kopje të letërnjoftimit.

Sa i përket përqindjes së daljes së votuesve, deri në orën 12 kanë votuar rreth 15 % të totalit të votuesve të regjistruar.

* * * * * *

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se 9.89 për qind nga gjithsej 87 mijë e 430 qytetarë me të drejtë vote të komunës së Gjilanit deri në orën 12:00 kanë hedhur votën në zgjedhjet për kryetar të kësaj komune.Mirëpo, KQZ-ja ka mohuar të ketë marrë ndonjë informatë që flet për parregullsi në procesin e votimit në komunën e Gjilanit.Në konferencën për shtyp, kryetarja e këtij Komisioni, Nesrin Lushta, ka thënë se në KQZ nuk ka arritur asnjë informatë nga terreni në lidhje me parregullsitë eventuale.“Në këtë takim pyeta a ka ndonjë parregullsi,a ka ndonjë incident dhe informata, të cilën e mora ishte se nuk ka.Nëse ndërkohë na vijnë informatat, ato do t’ju japim edhe juve”, ka deklaruar Lushta.Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” kishte njoftuar se janë shënuar, siç thuhet,parregullsi të vogla në disa vendvotime në komunën e Gjilanit.

* * * * * *

Në konferencën e parë për media të mbajtur sot nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”. janë paraqitur të dhënat e para të vëzhguesve të DV-së.Vëzhguesit kanë bërë të ditur se deri në orën 09:00,numri i votuesve ka qenë i vogël.

Shtabi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan ka vërejtur disa parregullsi gjatë procesit zgjedhor për kryetar komune.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ),Nesrin Lushta,në një konferencë për media ka thënë se të gjitha vendvotimet në komunën e Gjilanit janë hapur.“Sipas informatave që kemi pranuar nga komisionarët komunalë të zgjedhjeve në këtë komunë, të gjitha vendvotimet janë hapur”, ka thënë Lushta.Ajo ka thënë se shpërndarja e materialit sensitiv dhe atij josensitiv nëpër të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë është bërë me kohë.Ndërsa rezultatet preliminare sipas përfaqësuesve të KQZ-së do jepen pas mesnate.Në këtë raund rivotimi, 87 mijë e 430 votuesit potencialë të komunës së Gjilanit do të kenë mundësi të zgjedhin të preferuarin e tyre

* * * * * *

Që nga ora 07:00 filluan votimet sot në Gjilan

Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm në komunën e Gjilanit ka nisur procesi i votimeve për kryetar të komunës. Në garë janë dy kandidatë që konkurrojnë për një mandat katër vjeçar për të parin e komunës së Gjilanit. Nga PDK-ja garon kryetari aktual i komunës Qemajl Mustafa,ndërsa nga LDK-ja Fatmir Rexhepi. Në këtë komunë janë të caktuar gjithsej 31 qendra të vendvotimeve me 127 vendvotime. Të gjitha këto pika do të sigurohen nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga Drejtoria Rajonale e Gjilanit. Për sigurinë rreth këtij procesi zgjedhor të rivotimit do të jenë të angazhuar rreth 450 zyrtarë policorë. Të gjithë pjesëtarët e PK-së të përfshirë në këtë proces sot do të punojnë me orar të zgjatur 12 orësh. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka bërë të ditur se ka bërë të gjitha përgatitjet për votimet e sotme në komunën e Gjilanit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat