Hapen ofertat për Aeroportin e Prishtinës

Kosova

Hapen ofertat për Aeroportin e Prishtinës

Më: 28 prill 2010 Në ora: 16:23

Për herë të parë, kompanitë ndërkombëtare po garojnë për të bërë investime strategjike afatgjate në infrastrukturën publike të Kosovës. Sot, Republika e Kosovës pranon ofertat nga të tri konsorciumet e para-kualifikuara për të drejtën e operimit dhe të zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, me një kontratë 20 vjeçare të koncesionit. Nga ofertuesi i përzgjedhur do të kërkohet të modernizojë dhe të zgjerojë aeroportin e vetëm komercial të vendit, duke investuar rreth €100 milionë në infrastrukturën e re, përfshirë këtu ndërtimin e një ndërtese të re të terminalit. Nga Koncesioneri i ardhshëm do të kërkohet gjithashtu të operojë Aeroportin me oferta të zgjeruara të shërbimeve dhe me nivele shumë më të larta të cilësisë. Në këmbim për të drejtat e tij, operatori privat do ti paguajë Qeverisë së Kosovës një përqindje të të hyrave bruto të Aeroportit në formë të tarifës vjetore të koncesionit. Republika e Kosovës do të mbajë pronësinë 100% të Aeroportit.

Ofertuesit kanë përfshirë një konsorcium të përbërë nga kompanitë koncesionare franceze Bouygues Batiment International dhe Egis Group; një konsorcium të përbërë nga kompania ndërtimore turke Limak Group dhe operatori francez i aeroportit Aéroport de Lyon; si dhe nga aleanca gjermane-turke e operimit të aeroportit dhe ndërtimit Fraport IC ICTAS.

Aftësia e Kosovës për tërheqjen e investitorëve serioz afatgjatë në këtë projekt po përshëndetet nga autoritetet e Kosovës si dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Fatmir Limaj, Ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, dhe kryesues i komitetit drejtues ndër-ministror që bën mbikëqyrjen e implementimit të projektit për partneritetin publik-privat të Aeroportit, ka thënë që “Kosova ka nevojë urgjente për infrastrukturë dhe shërbime publike të zgjeruara dhe më efikase nëpër të gjithë sektorët, por Qeveria posedon resurse të limituara financiare për ti dedikuar për këto prioritete. Përmes infuzionit të kapitalit dhe menaxhimit privat, Partneritetet Publike-Private mund të zbusin kufizimet fiskale dhe mund ti japin shtysë rritjes së efikasitetit të infrastrukturës publike dhe shërbimeve në Kosovë.”

Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar urojnë gjithashtu Kosovën për përpjekjen e parë të suksesshme të saj për tërheqjen e investimeve private afatgjata në infrastrukturën publike të Kosovës.

Përzgjedhja e ofertuesit fitues do të bëhet në përputhje me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Fitues do të jetë ofertuesi që plotëson kriteret ligjore dhe teknike dhe që ofron përqindjen më të lartë të të hyrave bruto të aeroportit për Qeverinë e Kosovës.

Përveç se një komponentë jetike e infrastrukturës së transportit të Kosovës, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është një nga aeroportet më të ngarkuara në Ballkan, duke u shërbyer mbi 1.2 milion pasagjerëve vetëm vitin e kaluar. Në vitet e fundit, Aeroporti ka shënuar shkallë mbi mesataren të rritjes së trafikut të pasagjerëve, por kapacitetet e Aeroportit nuk po zgjerohen me shpejtësinë e duhur për ti përmbushur këto kërkesa. Si rezultat, aeroporti në këto momente nuk ofron nivelet adekuate të shërbimeve apo nuk është duke nxjerrë fitimet maksimale.

Fjala e ministrit të MTPT-së Fatmir Limaj, kryesues i Komitetit Drejtues Ndër-Ministror të Projektit, përgjegjës për implementimin e këtij Partneriteti Publiko-Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në emër të anëtarëve të Komitetit Drejtues Ndër-Ministror të Projektit, përgjegjës për implementimin e këtij Partneriteti Publiko-Privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ju uroj mirëseardhjen në këtë ceremoni.

Falenderoj:Ofertuesit, Ambasadorët, Donatorët- USAID, BE, Banka Botërore, ICO, Anëtarët e Komitetit Drejtues Ndër-ministror të Projektit, Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës-Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil dhe Kryetarin e Bordit, ANP Sh.A.– Drejtori menaxhues dhe Kryesuesin e Bordit, Këshilltarin e Transaksionit, Njësinë për implementim të projektit.

Jemi mbledhur sot këtu për të shënuar një hap të rëndësishëm në këtë projekt, Partneritetin e parë Publiko-Privat të Republikës së Kosovës. Për herë të parë, Republika e Kosovës po pranon oferta nga kompanitë ndërkombëtare të interesuara për të bërë investime strategjike afatgjata në infrastrukturën publike të Kosovës. Jemi vërtetë të nderuar nga këto oferta dhe këtë numër impresiv të pjesëmarrësve e shohim si vlerësim të punës së madhe të Komitetit tonë gjatë vitit të shkuar.

Siç u përmend pak më parë nga Kryeministri, Kosova ka nevoja të mëdha infrastrukturore në shumë sektorë, por buxheti i vendit është shumë i limituar. Deficiti infrastrukturor i vendit, i definuar si dallim ndërmjet resurseve në dispozicion dhe nevojave tona sa i përket infrastrukturës, përbën një pengesë të konsiderueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Për këtë shkak, ne u jemi drejtuar investimeve të sektorit privat për të ndihmuar në zvogëlimin e këtij boshllëku dhe për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike.

Ndërsa Partneritetet Publiko-Private janë një mjet i zakonshëm i politikave në mbarë botën, ato janë një gjë e re për Kosovën. Prandaj, ne kemi vepruar me kujdes të madh në këtë projekt, gjithnjë të fokusuar në nxjerrjen e përfitimeve sa më të mëdha për popullin e Kosovës.

Në këtë drejtim, ne u jemi jashtëzakonisht mirënjohës Qeverisë së SHBA dhe USAID-it për asistencën dhe përkrahjen e tyre të jashtëzakonshme për këtë projekt dhe përgjithësisht për sektorin e aviacionit.

Pa përkrahjen bujare të popullit Amerikan, sigurisht që nuk do të ishim këtu ku jemi sot dhe shpresojmë që mund të llogarisim në asistencën tuaj të vazhdueshme në të ardhmen.

Historiati i Projektit & Përshkrimi

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është i rëndësisë strategjike për ekonominë e Kosovës dhe si aeroporti i vetëm ndërkombëtar komercial i vendit, shërben si porta kryesore e Republikës drejt pjesës tjetër të botës. Përveç të qenit një komponentë jetike e infrastrukturës së transportit të Kosovës, është gjithashtu një nga aeroportet më të ngarkuara në Ballkan, duke u shërbyer mbi 1.2 milion pasagjerëve vitin e kaluar.

Në vitet e fundit, Aeroporti ka shënuar shkallë mbi mesataren të rritjes së trafikut të pasagjerëve, por kapaciteti i Aeroportit nuk është duke u zgjeruar mjaft shpejt, për ti bërë ballë këtyre nevojave. Si rezultat i kësaj, aeroporti nuk është duke nxjerrë profitet maksimale apo duke ofruar nivele adekuate të shërbimeve.

Për ta adresuar këtë problem para se të marrë përmasat e krizës, në vitin 2008 Qeveria ka themeluar Komitetin Drejtues Ndër-ministror të Projektit, të përbërë nga Ministrat e Transportit, të Ekonomisë e Financave, të Punëve të Brendshme, të Mjedisit & Planifikimit Hapësinor, të Tregtisë e Industrisë dhe të Drejtësisë, si dhe nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, për të analizuar opsionet rreth operimit dhe investimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Ky projekt ka nisur me një objektiv të qartë: Që të sigurojë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do të zgjerohet, operohet dhe mirëmbahet në mënyrën sa më efikase dhe të sigurt që është e mundur. Populli i Kosovës meriton një aeroport të klasit botëror, të operuar me nivel të shërbimeve të cilësisë më të lartë.

Me ndihmën e Këshilltarit tonë të Transaksionit, Komiteti Drejtues i Projektit ka bërë studimin e realizueshmërisë së shkallës së investimeve dhe analizën e opsioneve, për të konstatuar cila strukturë kontraktuese do të gjeneronte vlerën më të mirë për Kosovën. Rezultati i analizës ka qenë i qartë: Partneriteti Publiko-Privat do të ofronte përfitimet më të mëdha për popullin e Kosovës.

Më 30 dhjetor, Qeveria ka lëshuar dokumentet e tenderit për ofertuesit e para-kualifikuar dhe sot, pas një përpjekjeje të jashtëzakonshme nga të gjitha palët, të tre Ofertuesit kanë dorëzuar propozimet e tyre për operimin dhe zgjerimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Partneriteti Publik-Privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të marrë formën e një marrëveshjeje 20 vjeçare për dizajn-ndërtim-financim-operim-transfer. Ofertuesi i përzgjedhur do të investojë paratë e veta për ndërtimin e një ndërtese të re të terminalit dhe të hapësirave të tjera të aeroportit.

Ofertuesi i përzgjedhur gjithashtu do të operojë dhe do ta mirëmbajë aeroportin gjatë kohëzgjatjes së kontratës, në pajtueshmëri të plotë me nivelet e definuara të cilësisë dhe të shërbimeve. Hapësirat e reja të aeroportit do të jenë arsye për krenari nacionale, ndërsa ofertat e përmirësuara dhe të zgjeruara të shërbimeve do të duhej ti plotësonin kërkesat e aeroportit në të ardhmen.

Ofertuesi i përzgjedhur pritet të shtojë fitimet e aeroportit përmes kursimeve në efikasitet dhe të ardhurave të shtuara komerciale dhe do të kompensohet për shërbimet dhe investimet e tij përmes përqindjes nga të hyrat bruto të aeroportit. Për herë të parë, Buxheti i Konsoliduar i Kosovës do të marrë gjithashtu një përqindje të të hyrave bruto të aeroportit, në një shumë që do të përcaktohet në mënyrë transparente nga oferta fituese.

Vlerësimi dhe përzgjedhja e ofertuesit fitues do të bëhet në pajtim të plotë me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Komiteti vlerësues përbëhet nga profesionistë me kualifikimet përkatëse që do të bëjnë vlerësimin e përshtatshmërisë ligjore të ofertave dhe të propozimeve teknike, para se të bëhet hapja publike dhe vlerësimi i propozimeve financiare. Fitues do të jetë ofertuesi që përmbushë kriteret ligjore dhe teknike, dhe që ofron përqindjen më të lartë të të hyrave bruto për Qeverinë e Kosovës.

Komiteti Drejtues i Projektit është i përkushtuar tërësisht në dhënien e kësaj kontrate përmes procedurave konkurruese, të drejta dhe transparente, prandaj jemi në pritje të konstatimit të komitetit vlerësues.

Komiteti Drejtues i Projektit është gjithashtu i përkushtuar plotësisht në insistimin që Partneri i ardhshëm privat të veprojë në pajtim me të gjitha obligimet që rezultojnë nga Kontrata. Ne synojmë të dalim me rezultate të suksesshme dhe të qëndrueshme për popullin e Kosovës.

Jemi të përkushtuar gjithashtu që të veprojmë si një homolog kompetent për Partnerin privat dhe për këtë qëllim, do të bëjmë çdo përpjekje për ngritjen e kapaciteteve dhe për alokimin e resurseve adekuate për promovimin e zhvillimit dhe mbikëqyrjes së mirë të kontratës.

Përsëri, në emër të Komitetit Drejtues të Projektit, i falënderoj të gjithë ofertuesit për interesimin e tyre për këtë projekt. Ne mirëpresim secilin nga ju si partner dhe investitor potencial, dhe u urojmë të gjithëve fat të mirë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat