EULEX-i 'viziton' komunën e Klinës

Kosova

EULEX-i 'viziton' komunën e Klinës

Më: 10 qershor 2010 Në ora: 18:13

Policët e EULEX-it, pa paralajmërim të enjten paradite, rreth orës 10:00, kanë hyrë edhe në objektin e Kuvendit Komunal të Klinës, ku në mungesë të kryetarit të komunës, Sokol Bashota, ata kanë zhvilluar një takim me nënkryetarin Zenun Zeqa. Zeqa konfirmon se në zyrën e tij ka zhvilluar takim me policë të EULEX-it, të cilët kanë qenë edhe të armatosur.

“Po, kanë ardhur në zyrën time 8 policë të EULEX-it, kemi biseduar për situatën e sigurisë dhe kthimin e të zhvendosurve”, ka thënë Zeqa, sipas të cilit takimi ka qenë i papritur dhe se nuk ka pasur një termin me ndonjë delegacion të EULEX-it.

Një “vizitë” e tillë prej 15 policëve të EULEX-it në objektin e komunës nuk është dukur aq e zakonshme.

“Nuk më kanë pyetur për asgjë tjetër, as dokumente nuk kanë marrë e as kërkuar”, ka thënë nënkryetari Zeqa. Pas qëndrimit 20 minutash, ata kanë dalë nga objekti i Komunës.

Ndërkohë në orët e paradites janë parë edhe dy vetura të EULEX-it në oborrin e Stacionit të Policisë në Klinë. Qytetarët kanë treguar se kanë vërejtur një prani më të shtuar të policisë së EULEX-it në qytet, paraditën e së enjtes.

Njëkohësisht, siç raporton “Ekonomisti” duke iu referuar burimeve të tyre, edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, është thënë se njësitë e hetuesisë së EULEX-it kanë “vizituar” edhe Kuvendin komunal të Pejës. Nuk bëhet e ditur për detajet e kësaj vizite.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat