Server: Pas GJND-së Kosova të sigurojë rreth 100 njohje

Kosova

Server: Pas GJND-së Kosova të sigurojë rreth 100 njohje

Më: 15 korrik 2010 Në ora: 16:42

Eksperti i mirënjohur amerikan për Balkanin, Daniel Server tha se opinioni i GJND së nuk do të ndryshojë faktet bazë për pavarësinë e Kosovës. Server theksoi se opinioni duhet studiuar me kujdes dhe nuk duhet ngutur me vlerësimet për të. "Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë edhe për shkëmbimin e territoreve, por duhet të kenë parasysh pasojat", theksoi shefi i Institutit Amerikan për Paqe me seli në Uashington. Nga ana tjetër, Server vlerësoi se incidentet në veri duhen marrë si paralajmërime serioze. Sa i përket paralajmërimeve për njohje të reja të Kosovës, pas opinionit të GJND-së, Server thotë se ka disa vende të cilat kanë hezituar të veprojnë derisa Gjykata të bëjë publik opinionin e vet. Ai shpreson të "shohë Kosovën të ketë të siguruar dikund rreth 100 njohje në një të ardhme të afërt", duke shtuar se kjo ishte një "qëllim i rëndësishëm". Duke komentuar përpjekjet e Serbisë për të filluar negociata të reja për statusin e Kosovës, Server thotë se nuk sheh "rrethana në të cilat Prishtina do të pranonte të negocionte për çështjen e statusit". "Dua të jem i qartë: ka shumë çështje për të cilat Prishtina dhe Beogradi mund të flasin dhe të provojnë t'i zgjidhin. Unë vërtet nuk i kushtoj rëndësi faktit se si quhen bisedimet, por është e rëndësishme që palët të ulen dhe të fillojnë të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore", theksoi Server në një intervistë për Radio Kosovën.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat