Krasniqi: Zgjedhjet, jo brenda 2010

Kosova

Krasniqi: Zgjedhjet, jo brenda 2010

Më: 4 tetor 2010 Në ora: 12:55

Të gjitha partitë politike janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme brenda këtij viti. Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit, Jakup Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se do të vazhdojnë edhe më tej konsultat me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve që u përshtatet të gjithëve dhe që është konform afatit kushtetues.

Këto komente Krasniqi i bëri pas takimit me një grup studentësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ç'rast ka theksuar se data e mbajtjes së zgjedhjeve do të caktohet shumë shpejtë dhe brenda afatit kushtetues.

"Kemi pasur konsultime dhe mund të them që kanë qenë në nivelin më të mirë të mundshëm, nuk kemi pasë absolutisht kundërthënie, ajo që mund ta them është se shumica, ose të gjithë liderët e partive politike me të cilët jam konsultuar, nuk e kanë gatishmërinë të zhvillohen zgjedhjet brenda këtij viti, do të thotë janë për zgjedhje të parakohshme, por në afatin që na lejon periudha gjashtëmujore", ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se nuk është në interes të raporteve as të brendshme as të jashtme të Kosovës që të prishet koalicioni, duke thënë se përgjegjësia e këtij koalicioni që ka sakrifikuar në fillim të kësaj legjislature, duhet të vazhdojë sidomos në këtë periudhë të përmbylljes së mandatit.

Sa u përket bisedimeve me Serbinë, Krasniqi ka thënë se për të hyrë në bisedime Kosova duhet të ketë institucione të konstituuara që dalin nga zgjedhjet e lira.

Ai ka theksuar se Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një rezolutë përmes së cilës do të caktonte kornizat brenda së cilës do të mund të bisedohej.

"Këto janë çështje që mendoj që Kosova duhet t'i ketë institucionet e konsoliduara nga zgjedhjet e lira, ndoshta këto ditë Kuvendi i Kosovës duhet të dalë me një rezolutë që jep disa korniza dhe unë mendoj dhe besoj që të gjithë në Kosovë janë të përgatitur që bisedimet të zhvillohen pas konstituimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira", ka thënë Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit ka polemizuar me ish presidentin Fatmir Sejdiu, i cili ditë më parë në një intervistë ka thënë tërthorazi se Krasniqi e shkel Kushtetutën e vendit derisa mban edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së.

Po të votohej nga Kuvendi si president i vendit, Krasniqi ka thënë se do të jepte dorëheqje nga të gjitha postet partiake, duke mos qenë as anëtar i partisë.

"Por sa di vetë, unë do të jepja dorëheqje, jo vetëm nga sekretari i partisë demokratike, por po të votohesha si president, do të jepja dorëheqje edhe nga të qenit anëtar i Partisë Demokratike, sepse në fund të fundit kjo ka varianti i fundit i projektkushtetutës që ka kërkuar nga presidenti që të jap dorëheqje jo vetëm nga pozita udhëheqëse, por edhe nga anëtarësia e partisë. Unë edhe njëherë po them, nuk jam president, e ushtroj detyrën e presidentit në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", është shprehur Krasniqi.

Ai nuk ka dashur t'i komentojë deklaratat e Sejdiut, por ka theksuar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë një sqarim sa i përket pozicionit të tij nëse e shkel Kushtetutën nëse mban në të njëjtën kohë tri poste, atë të kryetarit të Kuvendit, ushtruesit të detyrës së presidentit të vendit dhe sekretarit të përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat