Krasniqi: Data e zgjedhjeve këtë javë

Kosova

Krasniqi: Data e zgjedhjeve këtë javë

Më: 5 tetor 2010 Në ora: 13:51

Kryetari i Kuvendit të Republikës, Jakup Krasniqi tha se data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të caktohet këtë javë, ose më së largu javën që vjen, pas zhvillimit të raundit të dytë të konsultimit me partitë parlamentare dhe jo-parlamentare.

Krasniqi siguroi se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen brenda afatit kushtetues, që nënkupton jo para katër muajve dhe jo më shumë se gjashtë muaj, nga dorëheqja e presidentit të Republikës.

"Data përfundimtare do të merret mbi bazën e asaj që jep Kushtetuta, mandati im është gjashtë muaj dhe brenda këtij afati duhet të kryhen zgjedhjet. Unë kam kërkuar në pika të shkurtra, një informim nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të m'i jep afatet, të cilat duhet pas ditës zgjedhore, për të qenë tamam në afatin kohor të zgjedhjes së institucioneve, që dalin nga zgjedhjet e lira", tha Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Javën që shkoi, ushtruesi i detyrës së presidentit ka zhvilluar takime me të gjitha partitë politike, për të harmonizuar qëndrimet rreth datës së zgjedhjeve, të cilat sipas afatit kushtetues duhet të mbahen më së largu deri më 28 mars të vitit 2011.

Partitë më të mëdha kanë përmendur marsin, si muajin e zgjedhjeve, ndërkohë që data përfundimtare do të dihet, sipas Krasniqit këtë javë ose më së largu javën tjetër.

"Kemi edhe pak kohë që ne të jemi në atë kuadrin e katër muajve dhe besoj se së shpejti ne do ta kryejmë detyrën tonë që na jep Kushtetuta, por të kuptohemi, respektoj kërkesat e subjekteve politike, por të gjithë edhe unë edhe subjektet politike duhet ta respektojnë Kushtetutën", tha Krasniqi, duke premtuar se brenda afatit kushtetues do të miratohet edhe Ligji i modifikuar për zgjedhjet e përgjithshme.

Përndryshe, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare është vendosur që seanca e radhës së Kuvendit të mbahet më 7 tetor. Në rend dite do të jetë diskutimi dhe miratimi i ligjeve që kanë shkuar në leximin e dytë, ligje këto që janë pjesë e raportit të progresit të Komisionit Evropian.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat