Vazhdojnë mospajtimet për datën e zgjedhjeve

Kosova

Vazhdojnë mospajtimet për datën e zgjedhjeve

Më: 8 tetor 2010 Në ora: 14:34

Takimi i ushtruesit të detyrës së presidentit Jakup Krasniqi me përfaqësuesit e partive politike nuk ka nxjerrë ndonjë të re sa i përket datës së zgjedhjeve, përveç pajtueshmërisë që të mos ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, por zgjedhje të parakohshme, të cilat imponohen nga situata. Ndërkohë, dy partitë më të mëdha, PDK e LDK, duket të jenë ende largas me qëndrime sa i përket datës. Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka dalë pak minuta më herët nga takimi për t'u deklaruar para mediave për qëndrimin e LDK-së, përderisa u.d. presidenti, Krasniqi, kryeministri Thaçi dhe përfaqësuesit e subjekteve tjera politike kanë dalë më vonë.

Krasniqi megjithatë e ka vlerësuar takimin të frytshëm për faktin se është arritur pajtueshmëria që të mos ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, por vetëm të parakohshme.

Krasniqi: Më 28 mars më së fundi, Kosova t'i ketë institucionet

"Unë mendoj që konsensusi në fakt është i arritur. Janë pajtuar të gjithë që të ketë zgjedhje të parakohshme e tani duhet që ekspertët ta japin mendimin e tyre dhe ta përcaktojmë datën. Vullneti edhe i imi ndoshta është që ta mbahen në maj se koha është më e mirë, por për mua mandati përfundon më 28 mars dhe unë jam i interesuar që me 28 mars më së fundi, Kosova t'i ketë institucionet që dalin nga zgjedhjet e lira", ka thënë Krasniqi në konferencën për media.

Ai ka thënë se kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk ka dhënë ndonjë afat për zgjedhje, por sipas Krasniqit, duke i pasur parasysh procedurat që janë aktualisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PDK-ja e favorizon pjesën e parë të shkurtit.

Kjo ndërkohë bie tërësisht ndesh me kërkesën e partnerit të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu ka thënë se data 6 mars është më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

"Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është prezantuar dhe do të jetë në vazhdimësi në pjesën e konsulencave, që zgjedhjet e parakohshme të jenë brenda afateve kushtetuese dhe kjo nënkupton fillimin e pranverës, përkatësisht fillimi i muajit mars, që është data e 6 marsit, mendoj që do të jetë e përshtatshme për përfundimin e procesit të konstituimit të institucioneve të dala nga vota e lirë e qytetarëve. Pra ky është ai orientimi ynë themelor", ka thënë Sejdiu.

Sido që të jetë, data 28 mars, është data e fundit, e cila duhet ta gjejë Kosovën me institucione të konstituuara dhe për këtë ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi ka thënë se do të ketë edhe konsultime të tjera për të arritur konsensusin e plotë, por nëse nuk arrihet ky konsensus është Kushtetuta e Kosovës, dokumenti i cili në fund të fundit duhet të respektohet patjetër.

"Kushtetuta e jep atë. Ka afat kohor. Ne do të kemi edhe pak konsultime dhe besoj që ne do ta respektojmë Kushtetutën që është dokument për neve, Bibël, edhe Kur'an nëse doni, edhe njëra edhe tjetra", është ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se do të ketë konsultime edhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me ekspertë edhe vendorë edhe ndërkombëtarë për të parë se cili do të jetë afati optimal brenda procedurave të zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se nëse miratohet Ligji i ri i zgjedhjeve dhe shkurtohen disa afate të ankimimeve dhe nëse subjektet politike arrijnë t'i zvogëlojnë afatet e ankimimeve, vendimi për datën e zgjedhjeve do të merret shumë shpejt.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat