PD: Zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shkurt

Kosova

PD: Zgjedhjet e parakohshme të mbahen në shkurt

Më: 10 tetor 2010 Në ora: 14:55

Partia e Drejtësisë ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, që javën e ardhshme t'i përfundojë të gjitha konsultat me të gjitha partitë politike në vend dhe të dalë me datën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat sipas PD-së do të duhej të mbaheshin në muajin shkurt.

Nënkryetari i PD-së Amir Ahmeti, në konferencë për media të dielën, duke shprehur kënaqësinë për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që të jetë i përfshirë në mënyrë të plotë në procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, ka kërkuar nga institucionet vendore që gjatë tërë këtij procesi të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Duke përgëzuar Republikën e Shqipërisë në emër të PD-së për afrimin përfundimtar në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, Ahmeti ka kërkuar nga Parlamenti Evropian që një vendimi tillë të merret sa më shpejt edhe për Republikën e Kosovës.

Duke shprehur pakënaqësitë e PD-së që me kohë nuk është marr parasysh propozimi për funksion të parandalimit të krizës politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që fillimisht të shpallen zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi që të përfundojë konsultat me partitë politike javën e ardhshme dhe të shpallet data e zgjedhjeve parlamentare.

Sa i përket protestave të ditë më parë për ndalimin e shamive nëpër institucionet arsimore, Ahmeti ka theksuar se PD-ja në mënyrë të vazhdueshme ka insistuar parimet e rëndësishme për kulturën dhe vlerat e popullit në Kosovë, edukatën fetare nëpër shkolla dhe mos diskriminimin e femrës myslimane me mbulesë për t'u shkolluar dhe për t'u punësuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat