Kosova ka shumë shpresa te vizita e zonjës Hillari Klinton

Kosova

Kosova ka shumë shpresa te vizita e zonjës Hillari Klinton

Nga: Editoriali Më: 13 tetor 2010 Në ora: 02:42

Sot Sekretarja e Shtetit e SHBA zonja Hillari Klinton, mike e madhe e Kosovës dhe e mbarë kombit tonë, vjen në Prishtinë dhe në Kosovë, ku e presin me krahët dhe zemrat hapur të gjithë shqiptarët. Ardhja e zonjës Klinton këtu përkon me përmbylljen e vizitës në tri kryeqytete të Ballkanit Perëndimor: Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë. Emri i kryediplomates aktuale amerikane, ish Zonjës së Parë të SHBA është gjithnjë fatsjellës për Kosovën dhe kombin shqiptar, dhe gjithkujt nga ne ia kujton atë që bëri Presidenti Bill Klinton në pranverën e vitit 1999, duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë pushtimit barbar milosheviçian në Kosovë, duke ia sjellë lirinë Kosovës dhe duke ia hapur rrugën asaj drejt ndërtimit të pavarësisë dhe sovranitetit. Natyrisht, ashtu siç kanë theksuar në intervistat, deklaratat për shtyp dhe qëndrimet e tjera zyrtare bashkëpunëtorët më të afërt të shefes së diplomacisë amerikane, kryefjala dhe kryefjalia e kësaj vizite është Kosova, konsolidimi dhe forcimi i shtetit të pavarur të Kosovës si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e jashtëm. Kosova e pavarur dhe sovrane në një Ballkan Perëndimor të stabilizuar, paqësor, konstruktiv dhe të orientuar drejt integrimeve perëndimore është një kusht themelor për të ardhmen e hapësirës kombëtare shqiptare, të pjesës perëndimore të gadishullit tonë, të rajonit të Evropës Juglindore dhe të të gjitha proceseve euroatlantike. Konsolidimi dhe forcimi i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës do t'i jepte fund një herë e përgjithmonë projektit serbomadh të kulmuar te Milosheviçi dhe ende i gjallë e me orekse të mbrapshta në Beograd. Ky projekt famëkeq nuk e lejon integrimin e brendshëm të Bosnjës, ky projekt famëkeq nuk e lejon integrimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës, ky projekt famëkeq nxit dhe frymëzon nacionalshovinizmat në Ballkan, nxit dhe frymëzon fantazmat të cilat iu sollën aq dëme e kobe projekteve evropiane në shekujt e kaluar. Gati tri vjet pas zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të saj, i cili u realizua më 17 Shkurt 2008, Kosova ka shumë shpresa tek vizita e këtyre ditëve e zonjës Hillari Klinton në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos tek qëndrimi i kryediplomates amerikane sot në Prishtinë dhe në Kosovë. Të gjithë ne shpresojmë se kjo vizitë do të jetë vendimtare që përfundimisht shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës të vihet në binarët e konsolidimit të plotë të tij, duke u mundësuar tashmë funksionimi i tij i plotë në gjithë hapësirën e vendit, duke i dhënë fund një herë e përgjithmonë politikës armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, duke iu dhënë fund një herë e përgjithmonë ndërhyrjeve të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Vetëm në një Kosovë ku shteti të funksionojë në mënyrë të njëllojtë në të gjithë hapësirën e tij, në çdo qelizë të tij, është e realizueshme frymëmarrja e plotë dhe e lirë e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësive. Vetëm në një Kosovë unitare, në një Kosovë të qytetarëve të saj të barabartë, larg reminishencave të privilegjeve të së kaluarës pushtuese, do të ishte e mundur një bashkëjetesë pa paragjykime midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe. Vetëm një Kosovë e forcuar, e konsoliduar, anëtare e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare dhe sa më shpejt e integruar me Perëndimin, do të ishte burim i qëndrueshëm i paqes, përparimit, fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesë së përkatësive të ndryshme. Prandaj Kosova e mban mendjen dhe zemrën gjithnjë tek Amerika dhe ka shpresa të mëdha te kjo vizitë e sotme e zonjës sekretare të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Hillari Klinton.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat